Zëri i qytetarit, si bashkautor i planit të ri urbanistik të kryeqytetit
“Kemi ardhur të dëgjojmë gjithçka që mendoni dhe sugjeroni. Jemi këtu që Plani i Përgjithshëm Rregullues t’i shërbejë qytetit”. Kështu ka folur dhe vazhdon të flasë kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha në takimet që po zhvillon me banorët e kryeqytetit. Pastaj fill pas tij e marrin fjalën qytetarët me sugjerimet e tyre të vlefshme. I ulur aty bashkë me ta, në sallat e mbushura plot, kryebashkiaku i dëgjon me shumë vëmendje duke marrë shënimet përkatëse. Në fakt ndodhet aty pikërisht për të dëgjuar zërin e qytetarëve të kryeqytetit. Vetë qytetarët e Tiranës ndihen mirë (dhe kjo është e dukshme kur i shikon ashtu të vëmendshëm teksa flitet për qytetin e tyre) që pas kaq e kaq kohësh ka njerëz që i dëgjojnë sugjerimet e tyre. Shumë prej tyre e thonë këtë përpara se të fillojnë me propozimet dhe sugjerimet e tyre. “Së pari do t’ju falenderoja që më në fund dikush nga Bashkia, ka ardhur të flasë me ne dhe të dëgjojë sugjerimet tona” – është shprehur një prej tyre në njësinë numër 1 të kryeqytetit. “Gjatë fushatës ju pamë të vinit në njësinë tonë, aty për aty menduam se ishte normale të ndodhte kjo gjatë fushatës, dhe nuk e mendonim se ju do të ktheheshit dhe shumë herë të tjera tashmë si kryebashkiak” - ka thënë dikush tjetër në njësinë numër 5. Por edhe në njësitë e tjera të kryeqytetit kanë qenë mjaft qytetarë të cilët kanë falenderuar që më në fund po i dëgjohet zëri i tyre për Planin e Përgjithshëm Rregullues të Tiranës. Fjalët e kryebashkiakut Basha janë dëgjuar me shumë vëmendje nga banorët e kryeqytetit. “Ajo që dua t’ju them është që përveç ardhjes para qytetarëve të Tiranës me një draft-plan që i ka munguar prej vitesh këtij qyteti, ne vijmë me vendosmërinë që ky draft-plan të kthehet në një plan vetëm kur të kemi krijuar bindjen e plotë se i shërben në mënyrën më të plotë të mundshme, interesave të qytetarëve të Tiranës […] dhe me bindjen se ky plan pas miratimit do i shërbejë këtij brezi dhe brezave të ardhshëm, sepse në thelb të tij është qëndrueshmëria, në thelb të tij është ndërtimi i së ardhmes dhe jo ndërtimi i së sotmes dhe grabitja e së ardhmes” – ka nënvizuar kryebashkiaku në takimet e tij me qytetarët e Tiranës.
Dhe qytetarët kanë folur pikërisht për të ardhmen. Kanë sugjeruar ndërtimin e ndonjë shkolle profesionale ndërsa në njësi të tjera është kërkuar ndërtimi i ndonjë shkolle të mesme. Ndërkaq kryebashkiaku, Lulzim Basha i ka informuar për ndërtimin e shumë çerdheve (12 të tilla në njësinë 1) dhe gjashtë kopshteve për fëmijë për të vijuar me ndërtimin e pesë shkollave 9-vjeçare. Ka diskutuar me qytetarët e njësisë numër 1 të kryeqytetit për projektet dhe ndërtimin e shumë rrugëve. Ka folur se në këtë njësi do të kalojë unaza e pestë e qytetit, se do të bëhet zgjatimi i dy brigjeve të Lanës që prej bulevardit “Zhan D’Ark” dhe “Bajram Curri” deri tek ura e Shkozës duke i siguruar ndërkaq banorët për ruajtjen e gjurmës dhe gjerësisë së kësaj rruge. “Kemi në këtë zonë për shembull procesin e urbanizimit të të gjithë shtratit të Lanës dhe lidhjen e pjesës fundore me Unazën e Madhe të Tiranës, kemi ish-kombinatin e Autotraktorëve me destinacion të papërcaktuar dhe të papërdorshme deri më sot për komunitetin por që në këtë plan qartësisht do i shërbejë komunitetit, zhvillimit të tij dhe hapjes së mundësive për punësim. Kemi në këtë zonë prona që për nga natyra i përngjajnë pronave rurale por që nesër do të jenë jo vetëm një potencial zhvillimi për pronarët e ligjshëm të tyre por edhe një hapësirë për të shtuar parqe të gjelbra, kënde lojërash për fëmijë dhe institucione social-kulturore, që nga çerdhet, kopshtet deri tek shkollat. Kemi në këtë zonë, potenciale për të vazhduar më tej me traditën e objekteve që punësojnë, objekte industriale, kryesisht industrisë fasone si dhe hapësira të mjaftueshme jo vetëm për banorët e njësisë vendore nr.1 por për të gjithë qytetin” - ka shtuar kryebashkiaku Basha. Si në njësinë 1, në njësinë 5, e kështu me radhë, në këto vite ka patur mangësi sepse gjithçka është menaxhuar shumë dukshëm keq. Në këtë mënyrë kryebashkiaku ndalet përsëri tek ndërtimi i çerdheve, kopshteve dhe shkollave që shërbejnë për të tashmen dhe të ardhmen e kryeqytetit. Në Njësinë Bashkiake nr.11 parashikohet ndërtimi i 9 çerdheve, 7 kopshteve, 3 shkollave 9-vjeçare dhe një shkolle të mesme. Duket qartë se kjo njësi është lënë në harresë në të kaluarën. Nga ana e tij Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka shprehur në takimin me banorët e kësaj njësie angazhimin e tij për t’i dhënë zhvillim të qëndrueshëm dhe të barabartë çdo pjese të qytetit. “Nëse nuk do të kishim këtë vizion, nëse Bashkia do të vazhdonte ta shikonte Tiranën nga vrima e çelësit, për të parë se ku janë pronat që mund të zhvillohen sa më shpejt, sa më mirë, sa më shtrenjtë, normalisht që Lapraka, Kodër-Kamza, Kinostudio, Kombinati, Selita, Alliasi nuk do të ishin në vëmendjen e Bashkisë, nuk do tu vinte radha, ndaj edhe virtyti i këtij plani, pas miratimit është barazia e qytetarëve para ligjit dhe barazvlefshmëria e pronës dhe trajtimit të saj” - ka deklaruar kryebashkiaku. Në të gjitha këto takime kryebashkiaku i Tiranës Z. Lulzim Basha i ka dëgjuar të gjithë qytetarët duke dhënë përgjigjet për pyetjet e tyre të ndryshme, duke mirëpritur çdo sugjerim të qytetarëve për qytetin e tyre, kryeqytet të të gjithë shqiptarëve.