Opozita e përçarë, Vetëvendosja opozitë edhe e LDK-së dhe AAK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) si subjekti më i madh opozitar, konsideron se po e kryen mjaft mirë dhe me konstruktivitet detyrën e saj si parti lidere e opozitës.
Deputeti i kësaj partie, Lutfi Haziri kujton me këtë rast çështjen e ish presidentit Behgjet Pacolli, të cilën LDK-ja e ka ngritur në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se me këtë hap, LDK-ja e ka detyruar kryeministrin që ta rishikojë agjendën elektorale.
“Në çështjet që ndikojnë në stabilitet dhe në interes të shtetit, LDK-ja ka qenë konstruktive dhe nuk ka qenë parti që e shfrytëzon situatën politike për të përfituar politikisht. Ne jemi edhe më tutje me kulturë politike opozitare, me një konstruktivitet politik, i cila nuk duhet të kepërdoriet absolutisht, sepse ne konsiderojmë se jemi shumicë politike përfaqësuese në Kuvend, përkundër që jemi opozitë. Kjo tregohet qartë edhe me mbështetjen që LDK-ja është duke e fituar kohëve të fundit”, ka thënë Haziri për Kosovapress.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi ka shprehur interesimin e tij për ta forcuar pozicionin e opozitës, duke pasur një qëndrim më unik të tri subjektet opozitare.
Ai ka thënë se duke qenë opozitë e fuqishme, edhe pushteti do të korrigjohet më mirë në veprimet e dëmshme që mund t’i bëjë vendit dhe po ashtu ta synojë pushtetin në të ardhmen.
Megjithatë, i pyetur nëse LDK-së si subjekti më i madh opozitar i takon që ta mbledh rreth vetes opozitën, Isufi ka thënë se numrat nuk janë gjithmonë përcaktuesit e liderit opozitar.
“Shpeshherë numrat nuk janë përcaktuesit e rolit në një drejtim qoftë pozitar, qoftë opozitar, por theksoj se idetë, veprimet dhe energjia që përcakton në zhvillimin e proceseve, ai është përcaktuesi se kush është opozita. Ju e dini që në mandatin e kaluar e vetmja opozitë e vërtetë në Kuvend ka qenë AAK-ja, për shkak të ideve, për shkak të orientimeve të sakta dhe veprimeve, të cilat kanë qenë konform interesave të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Isufi për Kosovapress.
Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta luajë rolin e opozitës brenda opozitës parlamentare.
Glauk Konjufcja nga kjo lëvizje, vlerëson se ndarja pozitë-opozitë në Kosovë është më shumë formale, ngase sipas tij, dy subjektet tjera opozitare në shumë raste kanë qëndrim të njëjtë me pushtetin, gjë që i bën më shumë pozitë se opozitë.
“Mendoj që nuk duhet ta shohim opozitën si tabor, i cili ka nevojë ta ketë një strumbullar dhe këtë rol ta luajë një parti politike, e cila i rregullon të gjitha. Secila parti i ka qëndrimet e veta dhe për më tepër ne mendojmë që ndarja pozitë opoizitë në Kosovë është më shumë formale, për sa kohë që kemi parë që në shumë qëndrime kur vjen fjala te çështje të rëndësisë politike shumë të thellë siç është Serbia, Plani i Ahtisarit etj., disa nga partitë opozitare që janë kryesore, mendoj që kanë qëndrim të njëjtë me pushtetin dhe kjo i bën të jenë shumë më shumë pozitë sesa opozitë”, ka thënë Konjufca.
Ndryshe, kërkesa e fundit e Lëvizjes Vetëvendosje për seancë të jashtëzakonshme për veriun e Kosovës, ishte rasti i fundit kur dy partitë tjera opozitare në Kuvendin e Kosovës nuk e mbështeten, duke e dështuar një seancë të tillë.
Pozita dhe opozita në Kuvendin e Kosovës kanë një përqindje shumë të vogël që e ndanë fuqinë e tyre, ngase opozita ka 59 deputetë, 27 të LDK-së, 12 të AAK-së, 12 të Vetëvendosjes dhe 8 pa grup, karshi 61 deputetëve që përbëjnë koalicionin qeverisës, 34 të PDK-së, 12 të SLS-së, 9 të KKR-së dhe 6 të Grupit 6+. (Kosovapress)