E Shtunë, 31 Tetor 2026

KDI: Kuvendi i shkeli edhe rregulloret e veta

Instituti Demokratik i Kosovës e ka publikuar raportin e monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës për muajin gusht-shtator, me ç’rast është vlerësuar se edhe kjo legjislaturë nuk po arrin të ushtrojë kontroll në zbatimin e ligjeve, madje në shumë raste thuhet se Kuvendi po i shkelë edhe rregulloret e veta.

Në raportin e publikuar, KDI vlerëson se gjatë muajve të fundit Kuvendi është mobilizuar të punoj vetëm për shkak të Raportit të Progresit dhe ka miratuar ngutshëm një sërë projektligjesh, por nuk ka treguar cilësi.

Një rast të shkeljes së procedurave të punës për Kuvendin, Isuf Zejna nga KDI-ja e përmend seancën e 31 gushit, kur pas miratimit të dy propozimeve në një projektligj, duke shkelur rregulloren e punës Kuvendi e ka shfuqizuar një amendament.

“Gjetje tjetër e raportit është edhe paqëndrueshmëria e vendimeve të Kuvendit, e cila në seancën e datës 31 gusht 2011 atëherë kur Kuvendi ishte në vlugun e punëve dhe në atë seancë miratoi dy amandamente të deputetes Albana Gashit nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilat kishin të bënin me personat e zhdukur dhe pas dy ore në seancën e radhës e cila u mbajt Kuvendi në kundërshtim me procedurat e veta dhe rregulloren e punës e shfuqizoi amendamentin 3 të cilin e kishte miratuar pak kohë më parë. Ne mendojmë se kjo e paraqet Kuvendin si joserioz dhe e vë në pikëpyetje dinjitetit e vetë institucionit dhe të deputetëve, të cilët nuk mund t’i qëndrojnë votë së tyre as për një ditë të vetme”, ka thënë ai.

Një çështje tjetër të cilën e cekë raporti është ai për Komisionin për Financa, i cili ka filluar t’i mbyllë mbledhjet e tij nga vëzhguesit dhe ata të cilët janë të interesuar ta përcjellin punën e tyre. Sipas Isuf Zejnas, kjo është n jë praktikë e mbrapshtë dhe nuk i ndihmon transparencës.

Ndërkaq KDI me raportin e saj ka bërë vërejtje edhe për vazhdimin e mungesës së transparencës për sa i takon financimit të partive politike. Koordinatorja e KDI-së, Natyra Kasumaj thotë se shumica e partive ende nuk publikojnë raportet financiare dhe donacionet.

“Partitë politike nuk janë të gatshme që t’i raportojnë donacionet. Ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për financimin e partive politike, i cili ishte në thumbin e kritikave nga Komisioni Evropian ka vënë në pah mungesën e vullnetit politik, sidomos partitë e mëdha që të raportojnë për financimin dhe donacionet e tyre”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar më tej se zëri i qytetarëve nuk po ka ndikim në vendimet e Kuvendit, por zakonisht është Raporti i Progresit ai i cili ka ndikim të madh, sepse kur ky raport po nxjerr keqpërdorime ose parregullsi, menjëherë Kuvendi vihet në aksion.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›