Opozita e politizoi projektligjin për përgjimet

Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, i cili është edhe nënkryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), e ka akuzuar opozitën për politizimin e Projektligjit për përgjimet.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Demaku ka thënë se vetëm për këtë arsye ky projektligj është kthyer në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
“Opozita ka dashur ta shfrytëzojë këtë draftligj për konsum ditor politik. Duke parasysh ndjeshmërinë dhe gjërat e tjera që trajton ky draftligj, opozita qëllimisht e bëri të madhe këtë çështje, pa kurrfarë arsye”, ka thënë Demaku, duke bërë me dije se Projektligji për përgjimet do të pësojë vetëm një ndryshim. “Ndryshimi i vetëm që do ta bëjë Qeveria në këtë projektligj është përfshirja e dy qendrave administrative. Qendra administrative në AKI do të jetë vetëm për këtë institucion, ndërsa qendra tjetër, se a do të jetë në polici apo në prokurori, mbetet të diskutohet”, është shprehur Demaku.
Sipas Demakut, qendra administrative e përgjimeve mund ta kontrollojë vetëm numrin e telefonit ose e-mailin. “Edhe një herë po them se qendra administrative mund ta dijë vetëm numrin ose e-mailn që përgjohet, por në asnjë mënyrë nuk mund ta dijë materialin përgjues. Ekspertët teknikisht na kanë shpjeguar se materiali përgjues në polici është i tyre, në doganë është i tyre etj”, ka thënë Demaku. /Indeksonline/