E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Facebook"-u plagos rivalët në dashuri

TIRANE-Dashuritë e nisura në rrjetin social 'Facebook' nuk u kanë ecur për mbarë dy djemve nga Tirana. Për hir të ndjenjës, njëri prej tyre, Adriatik Bajramaj, ka plagosur rëndë me thikë një biznesmen, i cili tentoi t'i merrte të dashurën, Panajota, që e kishte punësuar si kameriere. Për Akil Gj., njohja me Anisën në 'Facebook' ka shkuar si mos më keq. Sapo është ulur në kafe me vajzën e zemrës dhe me kushëririn Artemis Pecmarkaj, është vënë përballë kërcënimeve të një grupi të rinjsh, pasi njëri prej tyre pretendonte se kishte pasur një lidhje me Anisën dhe nuk kapërdinte dot historinë e lindur mes tyre. Në përleshje e sipër, kushëriri i Akilit, godet me thikë njërin nga grupi i të rinjve duke e lënë të plagosur. Më poshtë po botojmë të plota historitë e dashurive të nisura në 'Facebook', që për pak sa nuk kanë rezultuar fatale për jetët e dy personave…
Historia
Para rreth dy muajve, i dyshuari Adriatik Bajramaj është njohur nëpërmjet rrjetit social "Facebook" me Panajota B., nga Roskoveci, njohje e cila ka përfunduar me një lidhje mes tyre. Panajota ka ardhur të bashkëjetojë me të dashurin e saj në Tiranë. Gjatë kësaj kohe, ajo është interesuar të gjejë ndonjë punë pasi ka edhe një fëmijë. Pas disa përpjekjesh, ka gjetur një pune si kameriere, pas një telefonate që ka pasur me pronarin e lokalit. Pas rreth dy javësh, Panajota i ka thënë të dashurit të saj, Adriatikut, se pronari i lokalit ku punonte dëshironte ta takonte atë. Nëpërmjet telefonit, Adriatiku është lidhur me të (pronarin Ilir B.) dhe kanë lënë një takim tek lokali i lagjes ku banonte. Pas pak ka ardhur personi në fjalë me një mjet 'Audi' dhe pas tij ka ardhur dhe Panajota e janë ulur në një tavolinë. I sapoardhuri, i prezantuar me emrin Ilir, i ka thënë të dyshuarit se Panajota nuk dëshironte të qëndronte më me të, pra me Adriatikun, por do të shkonte me të. Të dyshuarit i është dukur se gjithçka po bëhej me sforco, pasi vajza ishte e frikësuar. Biseda, dhe pse e filluar e qetë, ka vazhduar me tone të ashpra, pasi Iliri e ka goditur me grusht Adriatikun dhe më pas së bashku me një person tjetër e kanë shtrirë në tokë dhe e kanë qëlluar me sende të forta (ku i dyshuari pretendon se ata kanë pasur dhe thikë). Në përpjekje për t'u mbrojtur, ai i ka marrë thikën biznesmenit dhe e ka goditur atë në pjesën e krahut dhe të shpinës. Biznesmeni është shoqëruar nga miku i tij për të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak. Për shkak se gjykatës nuk iu vu në dispozicion nga prokuroria një akt-ekspertim mjekoligjor lidhur me masën e dëmtimit që kishte pësuar biznesmeni Ilir B., 45 vjeç, ndaj të dyshuarit Adriatik Bajramaj u caktua masa e sigurisë "arrest me burg për 20 ditë".
Lidhja
në 'Facebook'
Njohjet në 'Facebook' duket se janë kthyer tashmë në modë dhe sherret për këtë shkak nuk janë të pakta. Pak ditë më parë, në gjykatën e Tiranës u zbardh një tjetër histori që filloi me njohjen në 'Facebook' dhe pasoi me zënka e sherre deri në plagosjen e një të riu. Për të dyshuarin Artemis Pecmarkaj është caktuar masa e sigurisë "arrest shtëpie". Në vendimin e gjykatës ku sqarohen rrethanat e ngjarjes ku mbeti i plagosur Greis Sorra, thuhet ndër të tjera se "Akil Gj., ka njohur nëpërmjet Facebook-ut, një vajzë me emrin Anisa, banuese në Tiranë, me të cilën kishte komunikuar disa herë. Ai është takuar me Anisën më datë 11 gusht 2011, në zonën e "21 Dhjetorit" në Tiranë, afër banesës ku jetonte e reja. Në këtë takim, Akili është shoqëruar nga kushëriri i tij, Artemis Pecmarkaj, i cili kishte rreth dy muaj që kishte zbritur nga Dojani i Tropojës për të jetuar me tezen e tij në Tiranë. Pas këtij takimi, po nëpërmjet internetit, në rrjetin social 'Facebook', Akil Gj. ka shkëmbyer sharje me një tjetër person për shkak të lidhjes me Anisën. Kështu, pasditen e 11 gushtit kur Akili, Artemis Pecmarkaj dhe Anisa janë ulur për të pirë kafe, pranë tyre ka ardhur t'i takojë një person me emrin Kristi. Ky person ka filluar të shkëmbejë me Akilin sharje dhe kanë filluar të grinden. Ndërhyrja e Artemisit ka bërë që Kristi të largohet. Nuk ka vonuar shumë dhe Kristi i shoqëruar nga disa persona të tjerë, kryesisht të mitur, është rikthyer dhe kanë filluar të debatojnë. Sherri ka përfunduar në goditje me mjete të forta nga të dyja palët dhe në një moment Artemis Pecmarkaj ka qëlluar në bark me thikë njërin nga personat që shoqëronin Kristin. I plagosuri i identifikuar si Greis Sorra është dërguar për mjekim në Spitalin Ushtarak nga të afërm të tij. Pas ngjarjes, policia ka ndaluar të dyshuarin Pecmarkaj, i cili më vonë është lënë nga gjykata nën masën e sigurisë "arrest shtëpie".

K.Lala/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›