Opozita ka kërkuar shtyrjen e diskutimit të projektligjit

Komisioni i Ligjeve, debate për “përgjimet”, mazhoranca: Ish kreu i SHISH, Fatos Klosi ka kryer përgjime antiligjore
Mazhoranca dhe opozita kanë debatuar në mbledhjen së Komisionit parlamentar të Ligjeve, mbi ndryshimet e propozuara në ligjin “Për përgjimet telefonike”. Opozita, pasi ka kërkuar shtyrjen e diskutimit të nismës, ka theksuar se duhet treguar kujdes në mënyrë që të mos abuzohet me përgjimet.
Por, pretendimet e opozitës janë hedhur poshtë nga mazhoranca. Deputeti demokrat Gent Strazimiri, duke kujtuar abuzimet që sipas tij ka kryer me përgjime ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi, është shprehur se gjithkush që keqpërdor ligjin duhet të shkojë para drejtësisë.
Për mazhorancën, me ndryshimet e propozuara në ligj nuk mund të krijohen hapësira për abuzime, pasi bërthama e përgjimeve gjendet në Prokurorinë e Përgjithshme.