E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Opozita, kënetë bretkosash që ka në krye një buf”, Berisha i përgjigjet Ramës nga Gjermania: PD alternativa e ndryshimit

“Opozita një kënetë bretkosash që ka në krye një buf kënete”.

Kështu e etiketoi kreu i qeverisë Edi Rama opozitën shqiptare gjatë fjalës së tij në Kongresin Kombëtar Rinor të Partisë Socialiste.

Nga Gjermania, kreu i Partisë Demokatike, Sali Berisha i është përgjigjur kryeministrit, të cilin e akuzon për “gjenocid ndaj të rinjve shqiptarë”.

Berisha në mesazhin e tij thotë se Rama nuk foli për punësimin e të rinjve, ndërsa shtoi se PD do të sjellë ndryshimin.

Berisha: Edi Rama, nuk foli asgjë për punësimin e tyre, injoroi faktin se ky është sundimtari i vetëm që ka kryer një gjenocid ndaj të rinjve shqiptarë, duke larguar në 10 vite rreth 600 mijë prej tyre nga Shqipëria. Para këtyre që kanë mbetur nuk tha një fjalë për punësimin e tyre, për ëndrrat e tyre.

Në kohën e zhvillimeve të mëdha teknologjike, resë kompjuterike, të dhënave big data, internetit 3, dhe inteligjenca artificiale, ai nuk shqipëroi një fjalë për Shqipërinë e nesërme, por u mor fund e krye me opozitën që e ka damkosur dhe e ka zhveshur atë, i ka faktuar shqiptarëve se Edi Rama ka hyrë në histori si kryehajduti i kombit.

Gjeti kohë të merrej edhe me kundërshtarët e tij brenda partisë, të cilët kanë dhënë dhe japin një kontribut të veçantë për çdo shqiptar për të kuptuar, për të demaskuar aktivitetin e tij si kreu i organizatës kriminale të narkoshtetit.

Të dashur miq, me këtë fjalë Edi Rama i faktoi dhe të riut më të fundit në këtë vend se ai, përveç sharjeve, përveç fjalorit ordiner, përveç mbrojtjeve të krimeve të tij, të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë nuk iu ofron asgjë tjetër, pos largimit të tyre nga Shqipëria.

Partia Demokratike qëndron e vendosur të bëjë gjithçka sot në kohën e teknologjive të mëdha, që ço i ri dhe e re të ndërtojë në Shqipëri ëndrrën e tij,të shkollohet në mënyrë cilësore, të punësohet me përparësi, të drejtojë, të udhëheqë transformimin digjital të Shqipërisë. Shqipëria e resë kompjuterike, Shqipëria e big data-ve, Shqipëria e internetit 3, dhe Shqipëria e inteligjencës artificiale, do të jetë Shqipëria e të rinjve shqiptarë.

Ndaj dhe, ftoj çdo të ri të ndjekë jo alternativën e një sharësi profesionist, që mbrohet me sharje, por alternativën e Partisë Demokratike që ofron me të vërtetë mundësi të mëdha për çdo të ri që të ndërtojë të ardhmen e tij në vendin e tij të bukur.

Berisha udhëtoi ditën e djeshme në Gjermani pasi do të marrë pjesë në Kongresin Elektoral të CDU-së në Gjermani, pas një ftese zyrtare si përfaqësues i opozitës shqiptare./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›