E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita kërkon ndërprerje të bisedimeve, pozita jo

Pozita dhe opozita vazhdojnë të kenë qëndrime tërësisht të kundërta sa i përket vazhdimit të dialogut me Serbinë. Opozita i konsideron edhe bisedimet e deritashme si politike dhe kërkon që të ndërprehen, duke i quajtur të dështuara edhe ato raunde që janë zhvilluar deri më tani, përderisa pozita konsideron se me këto bisedime, Kosova ka shënuar sukses, por është Serbia ajo që është komprometuar karshi faktorit ndërkombëtar.

Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi nuk dëshiron të komentojë nëse ka dështuar ajo jo dialogu, por ka thënë se deri tani nuk janë tejkaluar kornizat e përcaktuara me rezolutën e Kuvendit të Kosovës, ngase sipas tij, deri tani ende nuk ka filluar të bisedohet për diçka që Kuvendi ka vënë vija të kuqe.

“Unë nuk mund të them nga kjo që kemi as po dështojnë as nuk po dështojnë, por ne e kemi thënë prej fillimit se bisedimet do të jenë të vështira, do të jenë të gjata dhe nuk është lehtë të bisedohet me Serbinë, sipas përvojës sonë dhe përvoja jonë është edhe para luftës, edhe në Rambuje, edhe në Vjenë, kështu që gjatë gjithë kësaj periudhe është treguar se Serbia vështirë pajtohet edhe me atë që pajtohet”, është shprehur Krasniqi.

Por qëndrim tërësisht të kundërt shpreh deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni, i cili thekson se bisedimet kanë qenë të dështuara që nga fillimi i tyre.

Sipas tij, Kosova ka hyrë në këtë proces negociator pa një kornizë të qartë të parimeve, përderisa për Serbinë ka qenë më e lehtë, sepse e ka pasur të qartë se çfarë synon dhe këtë e ka arritur.

“Tashti Kosova është futur në një proces nga i cili, qoftë vazhdimi qoftë ndalja ka reperkursione të mëdha ndërkombëtare. Kosova tashti duhet të ndërpres dialogun, duhet të kërkojë një pauzë, të ulet të hartojë një kornizë të qartë të parimeve prijëse, të hartojë një katalog të detajizuar të kërkesave të Kosovës edhe për Bashkimin Evropian, edhe për Republikën e Serbisë dhe vetëm atëherë kur ta ketë aprovuar së bashku me bashkësinë ndërkombëtare një kornizë të qartë të parimeve prijëse, do të mund t’u kthehej bisedimeve për çështje të ndërsjella, për çështje praktike me Republikën e Serbisë”, është shprehur Hyseni.

Edhe Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se bisedimet duhet të ndërpriten, pasi që sipas tij, nuk mund të ketë dialog pa njohje reciproke.

“Dialogu i rekomanduar tash është rekomanduar edhe në vitin 2009 dhe jemi duke u sjell në një rreth edhe më tutje pa përfitime direkte. Pra ky dialog ka dështuar dhe do të dështojë çfarëdo lloj dialogu pa njohje reciproke mes dy vendeve”, ka thënë Ramadani.

Vazhdimi i dialogut, sipas Ramadanit, i mundëson Serbisë rrugën më të shpejtë drejt Bashkimit Evropian, ndërsa Kosova nuk fiton asgjë prej tij.

Sipas përfaqësuesve të opozitës, ka përpjekje nga ana e Qeverisë që gjithë këtë situatë ta kamuflojë me premtimin për fillimin e dialogut për vizat, mirëpo opozitarët konsiderojnë se kjo nuk është shumë bindëse, duke pasur parasysh faktin se nuk dihet qartë se çka në fakt i është premtuar Kosovës.

Nga ana tjetër, deputeti i PDK-së, Shaip Muja, duke folur në emër të pozitës ka thënë se dialogu i deritashëm është sukses për Kosovën dhe kompromitim për Serbinë karshi faktorit ndërkombëtar.

“Nëse dështojnë do t’i atribuohen Serbisë, ndërsa suksesi do t’i atribuohet Kosovës. Kosova e ka rrugën përmes Bashkimit Evropian dhe nëse nuk është në aspektin tokësor përmes Serbisë që të lëvizet, janë edhe dy rrugë tjera, ujore dhe ajrore që mund të arrihet dhe përgjithmonë mund ta harrojmë atë tokë”, ka thënë Muja.

Dialogu me Serbinë është ndërprerë njëanshëm nga Serbia muaj më parë pas veprimeve që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë në veri të vendit për vënien e rendit dhe ligjit në këtë pjesë. Ndërkohë pavarësisht përpjekjeve të ndërmjetësit të BE-së, Robert Kuper që t’i afrojë palët në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, duket se një gjë e tillë nuk do të jetë e lehtë.

Sidoqoftë, pala e Kosovës vazhdimisht ka shprehur gatishmërinë për të biseduar për çështjet teknike, që janë në interes të qytetarëve të të dy vendeve, por duke pasur gjithnjë parasysh vijat e kuqe, që janë përcaktuar me rezolutën e Kuvendit të Kosovës, e që kanë të bëjnë me atë se nuk mund të bisedohet për statusin, për sovranitetin, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm të Republikës së Kosovës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›