E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, si do të jepen kreditë studentore

18/10/2011  Bode u përgjigjet rektorëve, skema e përballueshme për realitetin shqiptar

Tërhiqen dikasteret, zbatimi fillimisht në publik. Berisha mbështetje edhe për privatin

Ndonëse drejtuesit e universiteteve kanë vënë në dyshim zbatimin e modelit të ri financiar për arsimin e lartë, nga financat vjen një tjetër reagim që konfirmon mundësinë e përshtatjes së tij me realitetin shqiptar. Megjithatë, bëhet e ditur se ky financimi i studimeve të larta fillimisht do të përfshijë vetëm sektorin publik, ndërsa privati do të mund të përfitojë vetëm në rastet për kërkimin shkencor. Kjo pasi, buxheti i 2012-ës, edhe pse ka rrije të fondeve për arsimin, nuk mund të përballojë njëherësh financimin e studimeve të ciklit të parë trevjeçar, për privatin e publikun. Ky model do të sanksionojë rritje të tarifave të studimit, për të cilat nga ana tjetër shteti do të bëjë subvencionimin e tyre. Kështu, për kategoritë në nevojë apo ata që do ta kenë të pamundur për të përballuar këto kosto studimesh në publik, do të trajtohen me hua studentore, e cila do të jepet nga një filial i caktuar bake. Teka shlyerja do të mundësohet dy vite pasi studenti të ketë siguruar vendin e punës. Por, kjo skemë përcakton se jo të gjithë studentet mund të përfitojnë nga kjo lloj huaje. Trajtim, i cili do të shkojë vetëm për ato kategori që japin rezultatet e duhura në testimet vendimtare për pranimet në universitete siç janë ato të maturës, si dhe kategoritë në nevojë që e kanë të pamundur për të përballuar koston e studime. Në këto kushte, të gjithë kandidatët që në bazë të rezultateve të tyre, do të shpallen fitues brenda kuotave të përcaktuara nga qeveria për çdo program do të përfitojnë kreditë studentore. Ndërsa të tjerët do të duhet të paguajnë vetë të gjithë koston e studimeve të larta. Për të diskutuar rreth mundësive të zbatimit të kësaj skeme, janë mbledhur gjatë ditës së djeshme, kreu i ekzekutivit Sali Berisha, ministri i Financave Ridvan Bode, i arsimit Myqerem Tafaj, përfaqësuesit e BB-së, si dhe drejtues të arsimit të lartë në vend. Numri një i financave ka deklaruar se kjo reformë nuk do të cenojë buxhetin për shkollat e lara publike, ndryshe nga sa është debatuar në radhët e rektorëve e dekanëve, të cilët dolën kundër pasi favorizonte hapur privatin duke çuar drejt degradimit shkollat e larta shtetërore kryesisht ne rrethe. “Kjo qeveri nuk do të pranojë ndonjëherë që të ardhurat të jenë pengesë për djemtë dhe vajzat e këtij vendi për të ndjekur universitetet. Kjo qeveri është e vetëdijshme se barazia e imponuar, në të vërtetë, mbart në vetvete shkallën më të lartë të pabarazisë dhe ne duhet të dalim prej saj. Duke aplikuar një mekanizëm të ri financiar në një studim pilot në universitetet publike dhe më pas në universitete private. Ne jemi të hapur për universitet private të cilat duhet të jenë sipas kritereve të vendosura por këto kritere nuk duhet të jenë produkt i burokracisë”, ka pohuar Berisha.

Zbatimi

“Reforma e financimit të universiteteve duhet të jetë realiste, duhet të bazohet në mundësi reale dhe jo presupozime fondesh të paqena. Shpesh herë debatet rreth reformimit dhe modernizimit të arsimit të lartë çojnë në diskutime dhe krahasime pa asnjë lloj baze dhe sensi. Shqipëria është mes 25 vendeve me qeverisje të vogël dhe eficiente, çka do të thotë se është mes vendeve që ka nivelin më të ulët të taksave, por që ofron cilësi të mirë shërbimi, ndaj nuk mund të pretendojmë që me këto taksa të sigurojë kosto të lartë shërbimesh”.

Kushtet

Të gjithë të rinjve do t’u jepet mundësia për të ndjekur studimet pavarësisht, gjendjes së tyre ekonomike. Deklarata është bërë nga kreu i arsimit, Myqerem Tafaj, gjatë diskutimeve për reformën financiare. “Nuk plotësojnë në asnjë rast uljen e investimit publik për arsimin e lartë. Kredia studentore është mekanizmi që t’i japë mundësi çdo maturanti që ka përfunduar me sukses Maturën Shtetërore, të vazhdojë arsimin e lartë pa qenë i varur nga të ardhurat e familjes. Kjo kredi do të jetë për gjatë gjithë kohës së studimeve", tha Tafaj.

Cilësia

“Rendja pas cilësisë është emergjencë. Ne na takon që për këto rrethana të krijuara në mënyrë gati të papritur, të krijuara në katër vite, të përballemi në universitete me një situatë emergjence. Në bashkëpunim të ngushtë me ju do të bëjmë gjithçka që ju të dispononi sa më shpejtë kampuset dhe të gjithë logjistikën e nevojshme, do bëjmë gjithçka të rrisim buxhetin për të modernizuar mësimdhënien, kërkimin shkencor në çdo njësi tuajën. Mund të ndërtosh çdo gjë tjetër, por po ndrydhe lirinë akademike nuk mund të kesh ndonjëherë rezultatin që pret”.

Dhënia e huave për studimet

Kundrejt rritjes së tarifave për studimet, për të mos penalizuar kandidatët në ndjekjen e shkollës së lartë do të jepen huat në formën e kredisë studentore. Kështu që nuk do të ketë barriera financiare për hyrje në universitet për asnjë student, pavarësisht gjendjes social ose ekonomik personale apo të familjes së tij. Huaja do të fillojë të paguhet vetëm pasi studenti të ketë mbaruar universitetin, e të ketë filluar punë (1 apo 2 pasi studenti të ketë nisur punën). Vlera maksimale e një huaje studentore në këtë skemë ka të ngjarë të jetë përafërsisht rreth niveleve maksimale të tarifave studentore që do të. Brenda skemës, qeveria mund të japë ndonjë formë subvencionimi dhe/ose garanci. Ky subvencionim do jepet vetëm për ata studentë që do arrijnë të fitojnë të drejtën brenda kuotave të miratuara në çdo program ata që nuk përfshin në to do të duhet të paguajnë vetë studimet e larta.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›