Opozita konfirmohet opozitë, e nis fushatën në kotec
Pas fiaskove në Lezhë e Elbasan, Edi Rama është i tmerruar nga sheshet dhe fushatën elektorale e ka nisur në një pallat sporti në Tiranë, mes një skenari me fatalizëm e histeri. Koteci elektoral u mbush me militantë dhe pagatorë, por kjo s’pengoi përpjekjet për manipulimin e pamjeve, për shkak të revoltës që shkaktoi dalja në publik e kandidatit të LSI, i cili po fliste në emër të rivalit të Ramës, për ëndrrën kryeministrore
Edi Rama ka lodhur elektoratin e majtë. Prezantimet e kandidatëve të Partisë Socialiste po bëhen së fundmi në kotece të mbyllura për shkak të refuzimit të socialistëve për të mbështetur haptazi PS pas aleancës së një prillit. Në fakt duhet thënë se Edi Rama e testoi me disa prezantime jo entuziaste në Lezhë apo Elbasan elektoratin që iu përgjigj ftohtë, ndaj ka preferuar t’i rikthehet mitingjeve në salla të mbyllura 2 mijë vendëse. Pamja e djeshme e Edi Ramës që prezantonte 32 kandidatët e qarkut të Tiranës ishin demoralizuese për një pjesë të militantëve që kanë pritur 8 vjet në opozitë dhe nuk bëhet më shumë se 2 mijë vetë në salla sporti që gjysma është farefis i 32 kandidatëve. Mungesa e programit elektoral, tërheqja nga retorika publike e taksës progresive dhe shëndetësi falas që janë të kundërshtuara publikisht nga aleatja më e re. Po ashtu bashkimi në minutën e fundit me njeriu që e kish anatemuar për 4 vite, duke nxjerr njerëz në demonstratën e 21 janarit për “bllokun e zi”. Sikurse futja në listat e kandidatëve për deputet të sigurt të PS të blerjeve të reja të Edi Ramës që janë pa lidhje me socialistët dhe ata që kanë kontribuar në protestat, greva urie dhe demonstrata ka prishur një harmoni të brendshme të PS duke e kthyer opozitën në një proces pazaresh jo demokratike.
Dhe kjo gjë i ka demoralizuar aq shumë socialistët saqë nuk duan t’ia dinë për fatin politik të Edi Ramës pas 23 qershorit.
Megjithatë Edi Rama këtë pafuqi e justifikon me një strategji elektorale, të cilën e quan “skenar” të përzgjedhur posaçërisht. Është e çuditshme që kreu i opozitës një muaj përpara zgjedhjeve të merret me skenare dhe skenografi të mitingjeve të sallave të mbyllura kur duhet të ishte në shesh dhe të jepte kushtrimin për fitore siç bën kundërshtari i tij, kryeministri Berisha.
Dhe ndërkaq në anën tjetër, Partia Demokratike ka ndezur motorët e fushatës dhe mitingjet e hapura në sheshe janë një specialitet i kryeministrit Sali Berisha që edhe kur ishte në opozitë mbushte sheshet kryesore të qyteteve të vendit në mënyrë madhështore. Padyshim motorët e fushatës elektorale janë nxehur, ndryshimi mes dy kampeve shikohet me sy të lirë edhe tek fuqia e secilit prej tyre për të tërhequr sa më shumë njerëz në mitingje. Nuk do shumë shkencë të perceptosh entuziazmin e kryeministrit Berisha në sheshet e qyteteve të mëdha të vendit. Fuqia galvanizuese e arritjeve dhe premtimeve për një Shqipëri të zhvilluar magnetizojnë qindra mijë qytetarë të dalin në shesh me duartrokitje dhe brohoritje të sinqerta.