Opozita konteston procesin: Zgjedhjet ishin të manipuluara
Ndërkohë që partia fituese po vazhdon negociatat për qeverinë e re, forcat politike të mbetura në opozitë kanë bërë të ditur se kontestojnë pjesën më të madhe të procesit zgjedhor, duke u përpjekur kështu që ta delegjitimojnë qeverinë e re.
LDKLidhja Demokratike e Kosovës nuk i njeh rezultatet preliminare të dhëna nga KQZ-ja. Kreu i saj, Isa Mustafa, ka thënë se ky institucion është radhitur në anën e PDK-së, me rezultatet që i publikoi mbrëmë, duke i futur edhe qendrat e votimit të Skënderajt dhe Drenasit. Duke u shprehur i shqetësuar për manipulimet e votave, Mustafa deklaroi se, nuk do të lejojë që manipuluesit të qeverisin Kosovën, ngase, sipas tij, ata do të manipulojnë edhe me të drejtat e qytetarëve dhe pronat e Kosovës. Madje, i pari i LDK-së akuzoi Hashim Thaçin se shkeli rregulloret elektorale dhe rrezikoi sigurinë e qytetarëve, duke e shpallur fitoren me vota të manipuluara.
LDK-ja kontestoi rezultatet në 6 komuna: Malishevë, Shtime, Mitrovicë, Prizren, Skënderaj e Drenas. Ai deklaroi se i janë vjedhur 50 mijë vota nga PDK-ja. Megjithëse, LDK-ja do të presë vendimin e PZAP-së dhe atë të KQZ-së, Mustafa tha se ka parë edhe mundësinë që ai vetë ta krijojë qeverinë, pasi një gjë të tillë ia lejon Kushtetuta.
“Vetëvendosje”Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka bërë me dije se, rezultatet e zgjedhjeve të shpallura nga KQZ-ja janë të papranueshme dhe si të tilla, i ka kontestuar jo vetëm në dy qytete të rajonit të Drenicës, por në tërë Kosovën. “Zgjedhjet e mbajtura të dielën nuk ishin aspak demokratike dhe të ndershme, dhe si të tilla, janë të papranueshme”, - ka thënë Kurti, duke shtuar se një rezultat i tillë vjen si pasojë e ndikimit të regjimit.
AAKDrejtuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës përsërisin se nuk do të bëjnë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, por megjithatë theksojnë se nuk janë të gatshëm të qëndrojnë në opozitë, dhe për këtë ata presin rezultatet përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nënkryetari i kësaj partie, Ahmet Isufi, tha se AAK-ja ka vijat ndarëse mes atyre që mbrojnë shtetin dhe krijojnë institucionet stabile, dhe atyre që rrënojnë sistemin shtetëror dhe që rrëzohen vetë nga pushteti.