E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirë dhe jotransparencë

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka reaguar ndaj shitjes së fabrikës së cementit Sharrcem. Ai ka vlerësuar se shitja është bërë me çmim shumë të ulët dhe janë mashtruar punëtorët. Ekonomistët deklarohen të shqetësuar me jotransparencën që ka ndodhur në këtë proces. Nga Albulena Maloku më 16 dhjetor 2010 në ora 09:01

Shitja e fabrikës së cementit Sharrcem pa tender ka çuar peshë ekonomistët kosovarë dhe drejtuesit e Komunës së Hanit të Elezit.

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka kërkuar edhe pezullimin e shitjes së fabrikës. Të paktën deri në krijimin e institucioneve të vendit të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Suma ka deklaruar se përpos çmimit shumë të ulët që i është dhënë kompanisë greke “Titan Group”, janë mashtruar edhe punëtorët.

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit gjithashtu vlerësojnë se ka munguar transparenca në këtë proces të privatizimit.

“Shitja e fabrikës Sharr Cem është bërë në kohë jo të duhur, në momentin kur në Kosovë mbahen zgjedhjet parlamentare për formimin e institucioneve të Kosovës, është bërë pa tender, ku është eliminuar konkurrenca që nuk ka qenë dukuri normale në Kosovë si dhe nuk janë marrë për bazë as kërkesat e punëtorëve e as ato të institucioneve komunale që punojnë në interesin e qytetarëve të komunës”, ka thënë kryetari Suma.

Kjo çështje, sipas tij, duhet të ngrihet në institucionin më të lartë të vendit, në Parlamentin e Kosovës, sepse nuk ka të bëjë me një ndërmarrje të vogël, por me një gjigant ekonomik.

Përpos çmimit shumë të ulët dhe pa asnjë konkurrencë që kjo fabrikë i është dhënë kompanisë greke, për Sumën, nuk janë shikuar fare interesat e punëtorëve. Punëtorët mashtrohen se do të mbeten në punë edhe për tri vite tjera.

“Shtrohet pyetja ku do të shkojnë pas tri vitesh këta punëtorë. Ata pas tri vitesh nuk do ta kërkojnë as AKP-në e as Haxhi Arifin, por do të vijnë para komunës ku do të kërkojnë punë”.

Ai deklaroi se është ndërruar pronësia para 6 muajve për të vazhduar me dallaveret për blerjen nga kompania greke “TITAN” për 30 milionë euro, ku vetëm fitimin vjetor kjo fabrikë deri më tani e ka pasur 20 milionë euro.

Kryetari i Hanit të Elezit tregoi edhe disa detaje, ku komuna që ai drejton në një takim me zyrtarët e AKP`së janë dakorduar që për çështjen e SHARR-CEM-it të vazhdohet me bisedime trepalëshe Komunë-AKP,Sindikatë.

“Mirëpo nga ajo kohë nuk kemi pasur asnjë takim trepalësh”, tha Suma.

Zyrtarë brenda AKP`së tregojnë se ky agjension mund të privatizojë ndërmarrjet shoqërore edhe pa njoftimin e komunës.

“Kjo mund të ndodhte edhe pa njoftimin e kësaj komune, mirëpo ajo ka qenë e informuar për këtë qysh në fillim të këtij”.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se Kosova ka nevojë për investime të huaja, mirëpo thotë se është shqetësuese jotransparenca.

“Investimet janë të domosdoshme në vend, por ka qenë e nevojshme krahas përkrahjes që ka marrë AKP-ja ta ketë një transparencë më të madhe apo të jetë një formë e hapur e këtij procesi të privatizimit”, tha Gërxhaliu.

Ai mendon se shumë më tepër ka qenë orientimi në atë që të arrihet një çmim i volitshëm për privatizim sesa të mbrohen apo të jenë paketë edhe të drejtat e punëtorëve që janë të punësuar. Transparenca më e madhe dhe dialogimi me komunitetin dhe shoqërinë civile, sipas tij, ka qenë më se i nevojshëm në këtë privatizim.

Për AKP`në shitja e “Sharr Cem” është një arritje e jashtëzakonshme në progresin e privatizimit në Kosovë dhe paraqet transaksionin më të madh të privatizimit në historinë e këtij shteti.

35 milionë investime

Kryetari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP), Dino Asanaj, e ka vlerësuar të suksesshme shitjen e Sharr Cemit. Ai thekson se investimet e bëra gjatë periudhës së qirasë janë 22.5 milionë euro, si dhe shitja e aseteve aktuale 30.1 milionë. Investimet në të ardhmen 35 milionë euro, që e sjellin totalin e investimeve të huaja direkte në fabrikën e Sharr Cemit deri në 87,6 milionë euro.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›