Mos u ngutni
Kryetarja e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka reaguar të mërkurën pas deklaratave të Kryetarit të LDK’së, Isa Mustafa dhe kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të cilët kanë kontestuar rezultatin preliminar të zgjedhjeve, duke akuzuar këtë institucion se ka anuar për Partinë Demokratike të Kosovës.
Në një konferencë për media, Daka nuk ka përmendur asnjë emër e asnjë parti, por ka thënë se rezultatet preliminare nuk kanë prodhuar efekte ligjore.
“Rezultatet preliminare të prezantuara nga KQZ-ja janë rezultate të cilat janë përpiluar nga komisionet komunale te zgjedhjeve dhe, si të tilla, nuk prodhojnë efekt juridik”, ka shtuar Daka, duke lënë të kuptohet se megjithatë bëhet fjalë vetëm për rezultate preliminare.
Ajo ka pranuar se, megjithatë, diçka nuk ka shkuar mirë, ditën kur qytetarët iu janë drejtuar kutive të votimit.
“KQZ’ja është e brengosur lidhur me disa zhvillime në ditën e zgjedhjeve, në disa qendra të votimit në Kosovë”, ka konstatuar Daka.
Megjithëkëtë, Daka ka lexuar një letër ku ka paraqitur qëndrimet e KQZ’së, duke mos lejuar që t’i bëhet asnjë pyetje nga gazetarët.
Ajo ka thënë se vendimet që do të nxirren pas shqyrtimit të ankesave nga institucionet kompetente, do të zbatohen me përpikëri.
“KQZ’’ja ju garanton se në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore do të bëjë maksimumin që vullneti i qytetareve i shprehur përmes votës së tyre të pasqyrohet dhe të respektohet plotësisht”, ka garantuar Daka, duke përkujtuar se KQZ’ja është përgjegjëse për organizimin, shpalljen e rezultateve dhe certifikimin zgjedhjeve.
Udhëheqësja e KQZ’së ka provuar që pas akuzave që i janë bërë institucionit që e drejton, të tregojë se do të punojnë për respektimin e ligjit.
“KQZ’ja ju garanton se në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore do të bëjë maksimumin që vullneti i qytetarëve i shprehur përmes votës së tyre të pasqyrohet dhe respektohet plotësisht”, ka premtuar Daka.
“KQZ’ja do të kujdeset që të evitohen të gjitha parregullsitë eventuale, të cilat mund të konstatohen nga zyrtaret tanë, e gjithmonë duke u bazuar në ligjin zgjedhor të Republikës së Kosovës dhe rregullat zgjedhore te KQZ’së”, ka shtuar ajo.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë për media të martën ka akuzuar drejtpërdrejt KQZ’në se është vënë në shërbim të PDK’së.
Rezultati është kontestuar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila, po ashtu, ka pohuar se rezultat e shpallura nga KQZ’ja janë të papranueshme.
Gjatë ditës, për KQZ’në ka folur edhe zyrtarja e AKR’së, Mimoza Kusari – Lila, e cila ka thënë se institucioni që i udhëheq zgjedhjet nuk i ka të gjitha kapacitetet për të hulumtuar vjedhjen e votave.
“KQZ’ja nuk i ka të gjitha kapacitetet që në tërësi t’i hulumtojë të gjitha rastet”, ka thënë Kusari – Lila, duke u bërë thirrje institucioneve të drejtësisë të ndërhyjnë dhe të gjejnë manipuluesit e votave.
Skenderaj, Deçani e Drenasi në PZAP
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë të mërkurën në KQZ disa materiale zgjedhore për komunat Skenderaj, Drenas dhe Deçan, ku partitë politike kanë bërë ankesa për parregullsi gjatë ditës së votimit në këto tri qytete.
Sipas Kryeshefit të KQZ’së, Xhemail Peqani, PZAP’i ka marrë kopjen e Listës Përfundimtare të Votimit, kopjet e Librit të Votimit dhe kopjet e Formularit të Përputhjes së Rezultateve nga qendrat e votimit në këto tri komuna.
Në këto tri komuna ka pasur ankesa nga shumica e partive që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 12 dhjetorit, të cilat pretendojnë se janë bërë manipulime masive.