E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita kritikon Qeverinë për moszbatim të Kushtetutës

Derisa të gjitha partitë politike në Kuvendin e Kosovës pajtohen se mbajtja e djeshme e zgjedhjeve serbe në pjesën veriore të Kosovës paraqet cenim të integritetit territorial të Kosovës dhe shkelje të aktit më të lartë juridik – Kushtetutës, deputetët nga opozita kritikojnë institucionet se nuk kanë bërë sa duhet për zbatimin e ligjshmërisë në pjesën veriore të Kosovës.

Gjatë ditës së djeshme shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë mbajtur një protestë në jug të qytetit të Mitrovicës, porse nuk ka munguar as protesta në veri nga serbët, të cilët madje kanë bërë veprime provokuese, të cilat detyruar ndërhyrjen Policisë së Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të djeshme nga shteti fqinj siç është Serbia ka cenuar sovranitetin e Kosovës, ndërsa e quajti të drejtë reagimin e qytetarëve shqiptarë kundër këtyre ndërhyrjeve të jashtme.

“Ajo nuk do koment të veçantë. Ky është cenim i sovranitetit të Kosovës nga ana e një shteti fqinj siç është Serbia, fatkeqësisht ka vazhduar edhe dje me një improvizim të mbajtjes së zgjedhjeve, jo ligjore, ilegale për institucionet Kosovës dhe ato të bashkësisë ndërkombëtare ose prezencës ndërkombëtare në Kosovë. Sigurisht vet caktimi i datës dhe mbajtjes së këtyre zgjedhjeve ilegale e ka nxitur ata paramilitar që i kanë fatkeqësisht të shumtë dhe paramilitar edhe institucional edhe qytetarë dhe mekanizmave të ndryshëm”, ka thënë Beqiri.

Ai e vlerësoi të suksesshme ndërhyrjen e policisë, e cila arriti të evitoj incidentin në urën e lumit Ibër mes protestuesve shqiptarë dhe serbë.

Mirëpo, deputetët nga opozita kanë kritikuar institucionet, përkatësisht qeverinë se nuk ka bërë sa duhet për zbatimin e ligjshmërisë në pjesën veriore të Kosovës.

Deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë se qysh nga 17 shkurti i vitit 2008 nuk është dashur të lejohen ngjarje të tilla, të cilat ajnë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën.

“Institucionet tona në këtë rast qeveria me EULEX-in dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtar duhet të kenë në angazhimin e tyre permanent, praktik zbatimin e Kushtetutës në veriun e Kosovës. Lënia në dorë e qytetarëve që të merren me çështjet e zbatimit të ligjit dhe marrjen e masave tilla vetëm e dëmton imazhin e Kosovës para bashkësisë ndërkombëtare dhe po ashtu ndikon në zbehjen e institucioneve të Kosovës”, ka thënë Isufi.

Ai në këtë rast vlerësoi si të dështuar edhe Strategjinë për Veriun, sepse nuk ka ndonjë elementë praktik të veprimit dhe afat të caktuar të implementimit.

Edhe deputeti nga AKR-ja, Ibrahim Gashi tha se veprimet që janë duke ndodhur në pjesën veriore janë në kundërshtim të plotë me të gjitha dokumentet që kanë dal nga pavarësia e Kosovës dhe si rrjedhojë edhe reagimi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe qytetarëve ka qenë i drejtë.

“Ky reagim i këtyre, i qytetarëve të Kosovës i veteranëve të luftës ndodhi nga provokimi i mbajtjeve të zgjedhjeve të një shteti tjetër në territorin e Kosovës që është një veprim natyrisht ilegal, jolegjitim, por që është një rishkelje e sovranitetit të Kosovës. Unë mendoj që këtë shqetësim duhet të ndajmë edhe me mekanizmat e sigurisë në veri, qofshin vendore apo ndërkombëtare, duhet të ndajmë me bashkësinë ndërkombëtare të cilat kanë ndihmuar thellë krijimin e shtetit të Kosovës”, theksoi Gashi.

Ndërkaq deputeti nga LDD-ja, Lulzim Zeneli ka thënë se po mungon vullneti politik për të implementuar Kushtetutën e vendit.

“Në fakt problemi ekziston se në kursin aktual që e ndjek Qeveria e Republikës së Kosovës po tregon mungesën e vullnetit politik për ta impelementuar Kushtetutën dhe për ta ushtruar sovranitetin në gjithë territorin e vendit”, ka thënë Zeneli.

Gjatë ditës së diel janë mbajtur zgjedhjet serbe në veri të Mitrovicës dhe në Novobërdë. Këto zgjedhje janë cilësuar ilegale si nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare. /kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›