Kastrioti e ha turpin me buke ka vetem analize jo ndeshkime
Edhe këtë herë, si gjithnjë. Kastrioti u dërmua nga një humbje e thellë 4-0 ndaj Tiranës, ku madje në shumë raste u duk se lojtarët krutanë as nuk ishin të interesuar se çfarë po ndodhte në fushë. Këtyre u shtohen edhe komentet e ashpra të shtypit sportiv, i cili ka aluduar për mosimpenjim të qëllimshëm. Por në fund, klubi nuk mori asnjë masë ndaj askujt, thjesht u tërhoqi “veshin” në përgjithësi dhe bindi edhe këtë herë trajnerin Ramadan Ndreu të rikthehet në krye të skuadrës. Këto janë të rejat në vija të përgjithshme që vijnë nga kampi krutan. Tekniku u dorëhoq menjëherë pas humbjes, me fjalët “nuk mund të vazhdoj kështu”. Rikthimi i djeshëm, pasi u bind nga drejtuesit të bënte prapaktheu, përsërit skenarin e 2 prillit 2010, ku pasi dha dorëheqjen (ishte java e 26-të e Superiores), pak kohë më vonë ndryshoi mendim dhe u ul sërish në stol. Të humbësh me rezultatin 4-0 në transfertë, për më tepër ndaj Tiranës, nuk është turp, pasi të gjithë ia dimë potencën 24-herë kampionëve të Shqipërisë, të cilëve edhe vetëm fanella iu rëndon. Por të mundesh në një mënyrë të tillë, si ajo e së premtes, ku impenjimi i lojtarëve ishte në shkallën minimale, dhe në disa raste të linte një shije dyshimi mungesa e interesit të tyre për të marrë pjesë në lojë, kjo është minimalisht për t’u ndëshkuar të paktën nga vetë klubi. Të dielën ishte paralajmëruar të mbahej një analizë e ashpër. Madje kishte filluar të përflitej edhe për koka të prera. Sipas burimeve pranë klubit, në shënjestër ishin vënë dy futbollistë, Ylli Shameti dhe Liridon Leci, të cilët do të përjashtoheshin ose minimumi do pezulloheshin. Dhe analiza e shumëpritur u bë. Por rezultati përfundimtar i saj nuk ishte ai i paralajmëruari. Madje ishte shumë i butë, aq sa të lë përshtypjen se gjithçka ka qenë normale dhe se ajo ishte thjesht një humbje. Sigurisht që tonet e analizës nuk ishin të buta, por vendimet po. Gjatë kësaj analize drejtuesit evidentuan gabimet e humbjes 4-0, ku dy më kryesoret ishin “nuk u zbatuan detyrat taktike të dhëna nga trajneri dhe skuadra nuk tregoi impenjimin e duhur në fushën e lojës”. Por nuk u mor asnjë masë ndëshkimore nga krerëve të klubit, të cilët thjesht i kërkuan lojtarëve “impenjim maksimal në ndeshjen e radhës kundër Bylisit”. Për ta vërtetuar nëse ka pasur tolerim nga ana e lojtarëve ndaj badhebluve, ndoshta nuk është shumë e lehtë, pasi edhe pse kemi një nismë “Me këmbë të pastra”, ajo kurrë nuk është përdorur deri më tani. Megjithatë, nëse klubi është i interesuar, ka mënyra të tjera ligjore për të hetuar.