Opozita na ka krijuar një gjendje anakronike
Edi Rama, në „Refleksionet“, ka thënë edhe disa të vërteta, në autoportretet e veta. Për shembull, në shkrimin e tij të 19 dhjetorit 1990: „Në socializëm të gjithë kemi gënjyer. Sepse, për të ngrënë pak, duhet të gënjesh vetveten ndërsa, për të ngrënë pak më shumë, duhet të gënjesh të tjerët“ (f. 40). Nuk ka thënë një gjë, që duhet t’ia thoshin të tjerët. Se ai, meqë donte të hante më shumë, gënjente të tjerët“!
Kështu propaganda e tij e tanishme mbështetet në gënjeshtrën dhe në mashtrimin.
Kryemashtrimi i tij ishte se e paraqiste veten si antikomunist të vendosur. Doemos, edhe si kryedemokrat dhe ithtar të perëndimit dhe të demokracisë amerikane. Në këto oshilacione, e ndihmonte edhe njëra nga sëmundjet e tij patologjike, e karakterit psikik. Në f. 99 shkruan se e kishin pagëzuar si ekstremist. Në po ato faqe shkruan për veten: kam ca doza ekzibicionizmi. Demek dua të dal në pah, të dukem. Ai nuk ka ca doza ekzibicionizmi, por është i sëmurë si ekzibicionist. Kërkon të dalë mbi gjithë të tjerët.
Si “antikomunist i papërkulshëm”, ai në vitin 1991, që përmban shkrimet më të shumta të marrëzive të tij, e quante Zërin e Popullit, duke përdorur të dyja inicialet, Z dhe P, me nofkën Zuska Plakë. Tani kjo ZP (Zuska Plakë) na del që të jetë propagandistja më e flaktë e propagandës zgjedhore për zgjedhjet administrative të 8 majit, që është shndërruar në propagandë sikur të ishim në zgjedhje parlamentare. Ky politizim, natyrisht që është bërë me urdhër të padronit. Sot ky padron s’e ka për gjë që të bashkëpunojë me Zuskën Plakë, që kjo t’ia bëjë urdhërdhënësit të gjitha mashtrimet e tij elektorale si të vërteta qehlibar!
ZP-ja , me ustallëkun e saj mashtrues që në kohën e diktatorit E. Hoxha, orvatet që të mbulojë Edi Ramën në sabotimin e tij të zgjedhjeve të 8 majit, sepse bilanci i bashkisë së tij, veçanërisht në këto katër vitet e fundit, është bosh! Si prepotent, sapo vuri në dorë kreun e PS-së me ato marifetet e tij të manipulimin mbi nenin 28 të statusit të partisë, në të cilën nuk ishte veçse një parvëny, ai me kokën e vet, mund ta hidhte poshtë arbitrarisht datën fikse të zgjedhjeve vendore(8 majin). Veçse faktori ndërkombëtar ia vuri të dyja këmbët në një këpucë. Dhe në këtë pikë nuk lëshoi pé. Ia dinin se ai nuk manifestoi gëzueshëm, si i gjithë populli, as për aderimin në NATO, as për liberalizimin e vizave. Po kuptohet se ai nuk do të dëshironte as statusin për kandidaturën e Shqipërisë në BE. Çdo ngjarje e madhe me interes kombëtar, duhet të ketë vetëm emrin e tij. Kundërshtari politik për të, është armik, sipas doktrinës së shokut Enver. Duke mos njohur Kodin Zgjedhor, që përmban idenë dhe firmën e tij, (pra, ka marrë atributet e një akti ligjor), ai dëshmon se i ka ligjet e shtetit si për t’i hedhur në plehrat e tij që kanë mbushur të tërë Tiranën. Ç’mund t’i thuash një politikani që i quan tradhtarë të 20.000 komisionerët socialistë, sepse humbi zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009? A mund të falsifikohen 70.000 dokumente identifikime biometrike, siç mund të bëhej në kohën e listave zgjedhore të Finos? Duhej të dokumentoheshin. së paku, tri-katër falsifikime të tilla të pamundshme, (me padi gjyqësore, madjé) që të bindeshin ata leshkot e pakët që e besojnë, se ai nuk mashtron! Por ai s’do t’ia dijë për ligjin. Kërkon ta diskreditojë, kështu, edhe shtetin demokratik, si shtet joligjor... Paçka se të zotët e punës, demokracitë që na monitorojnë, na quajnë shtet ligjor. U dashka që të jetë ai kryeministër, që shteti të meritojë tiparet ligjore, si në shtetin e grabitur të 1997-s, me zgjedhjet e domeneve, domethënë me zgjedhje pa kundërshtarë politikë, në një bashkësí të tërë zonash zgjedhore, që u shndërruan në zgjedhje me litarët nëpër pemë! Zgjedhjet e 29 qershorit të ’97-s, pra, mund të quhen si zgjedhjet që s’bëjnë vakí as në disa vende diktatoriale afrikane.
Në faqen 49 të “Refleksioneve”, me dorën e vet E. Rama shkruan se e quajnë anarkist! Pa dyshim që është i tillë. Përndryshe shebeku i tij, njeriu antiligj S. Ngjela, nuk do të nxiste jepjekët e vet të jeniçerëve për t’i besuar atij megalomani se brenda dy ditëve do të rrëzonte qeverinë! Që të merrej me ligjet, bastarduesi i ligjeve, anarkisti Spartak, që mëton të bëjë qeveri pa zgjedhje!
Do të më falë lexuesi që në faqen 52 të “Refleksioneve” të jap një citat të gjatë që bën fjalë për zgjedhjet alla-Ramiz Alia, i cili tani e frymëzon ende, si një eminencë gri, PPSH-në e shndërruar në PS, si edhe opozitën në përgjithësi:
“PPSH nuk mund të ekzistojë më veçse duke kundërshtuar hapur e totalisht mentalitetin e saj. Vetë R. Alia pat thënë se proceset e reja nuk mund të përballohen me psikologji e mendësi të vjetra. Por tingëllon paradoksale që PPSH po u bën thirrje për solidarizim pikërisht këtyre mentaliteteve të vjetra. Paradoksi mund të bjerë vetëm po të bjerë poshtë thelbi i mentalitetit që sundon kokat e drejtuesve të PP-së. (...) Heqja e Stalinit nga piedestali nuk mjafton. Krerët e burokracisë shqiptare habiten nga habia e çdo demokrati përpara fantazmave të fushatës elektorale me BP, FDSSH, BGSH, BRPSH, VSH, si zhvillim i postmarksizmit totalitar, një pluralizëm fantazmorik, i formuluar në një ligj elektoral (që PPSH e quan një ligj gjenial)!”. (Kllapa e autorit).
Flitet shumë për mendësinë e vjetër. Flitet edhe për karagjozllëqet e zgjedhjeve të R. Alisë! Tani, pas 20 vjetësh, ajo mendësi jo vetëm që ekziston, por është nxitur në Pezë e kudo gjetiu që të përhapet si vaji në lakra. A ka dëgjuar kush që Zuska Plakë (mos ma merrni për keq, shprehja është e Edit), pra, që ZP-ja të bjerë ndesh sot me mendimet e R. Alisë apo të Nexhmijes?
Ja falsiteti i zgjedhjeve që kërkon tani Edi Rama. Në “Refleksiobnert” mund të citohen faqe të tëra kundër kultit të individit të Enverit. Ka tallje të shumta për zgjedhjet e asaj kohe. Po tani? Tani po vepron më keq se R. Alia në atë kohë. Sikur t’i kishte me sinqeritet ato që thoshte bashkë me Ardianin në vitin 1991, Shqipëria do të shpëtonte nga shumë fatkeqësira. Zgjedhjet e 29 qershorit 1997, do të damkoseshin në krahasim me ato të 28 qershorit 2009. Komunistët natyrisht që nuk do të vareshin në litar, si në ato ekzaltimet e “Refleksioneve”. Por, ama, nuk do të mblidheshin gjithata bllokmenë që thonë se “janë krenarë për etërit e tyre”, që të flasin kodra pas bregu, për të fyer pluralizmin shqiptar. Nostalgjia, që përmendet kaq e aq herë me emrin “mentalitet” (e njëjta gjë), do të ishte flashkur dhe nuk do të kishim në më shumë se 2/3-t e shtypit të blerë nga Rama, që t’ia ofronin faqet e tyre Nexhmijes. Se populli ka halle të tjera, jo t’i shpëlahet truri ende me apologjitë për Enverin.
A ka dëgjuar kush që në Gjermani të bëhet apoteoza e Hitlerit?
Jemi katandisur, pra, në një gjendje anakronike, përveçse me një opozitë destruktive, që po i bën sfidë Europës së Bashkuar dhe Amerikës së largët, që ka qenë kurdoherë, nga koha e Vilsonit e këtej, përkrah Shqipërisë dhe kombit shqiptar.