E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radhën e kemi ne, “të sojmit”…

Brenda harkut kohor të një jave, shteti dhe pushteti në Shqipëri realizuan dy “reforma”-si gjithë të tjerat në këto 20 vite, por që do të kujtohen gjatë për nga intensiteti agresiviteti dhe falsiteti i tyre. Fillimisht, u përzunë dyzetepesë familjet rome të cilat të paktën për 20 vjet banonin diku në Tiranë, pranë Tregut “Jordan Misja”.
Ata u përzunë andej ashtu siç e ka adet ky pushtet, dhe siç nuk i takon asnjë shteti të çfarëdo natyre në këtë faqe dheu. Romët e thanë hapur para kamerave se... “personat që erdhën disa netë rresht dhe na terrorizuan e plaçkitën, ishin civilë, ata flisnin shqip-por një shçipe speciale- na erdhën disa netë me hekura dhe lostonj, na goditën, na kërcënuan, e më pas na vunë edhe flakën në katanditë tona”...
Romët, duke menduar se ishin shtetas të një shteti minimalisht-policor, iu drejtuan pikërisht kësaj të fundit, policisë. Tek e fundit e ndanë mendjen:-më mirë të rriheshin e të përziheshin nga njerëz me uniformë që paguhen “për këtë punë”-e kjo do të qe edhe pak më dinjitoze, sesa t`u ndodhte nga ata azganët e firmave të ndërtimit që zyrat i kanë diku, në Bllok. Por për çudinë e tyre, asnjë polici me uniformë, “nuk i ra rruga andej”, as për të psonisur ndonjë gjë të paktën. Vetëm nëse ata shkonin e xhvishnin uniformën në shtëpi, dhe...bënin ndonjë “xhiro” mbrëmanet andej, nga kasollet e arixhinjve?!?
Por romët del se kanë qenë me fat dhe se vërtet paskan patur derëbabe. Sepse jo dokushdo, por një shoqatë(nga Britania e Madhe të lutem), paskërkej kohë që mendonte dhe projektonte për të ardhmen e tyre. E edhe pse deri dje britanikët kanë gjetur vetëm një të tretën e familjeve rome që ikën natën nga sytë këmbët, nën zulmën e lostonjve të hekurt dhe të llavës së flakëve, ata do t‘i gjejnë të gjithë, kudo që t‘u jetë ndalur fryma atyre, deri në Elbasan, Fier apo Vlorë. Pra del se për romët dikush kujdeset, të paktën ata e paskan një prostat-edhe pse ky nuk flet gjuhën e tyre, që është një shqipe komunikimi, por gjithsesi, JO shçip!
Kuvendi, si përroi!...
Ministri i Turizmit, kështu u tha kolegëve të tij “të majtë” në sallën e Kuvendit pa Kuvënd:-”Jemi kaq të mirë, sa po ju shplajmë edhe juve”! Më hapur dhe më pastër se kaq, zor se flet politikan, pa lere ministër që bën këto “reforma”. Pra, më në fund u legalizuan edhe gjithë ndërtimet pa leje që politika e të “dy anëve” ka bërë të paktën qysh nga viti 1993 e këtej.
Thonë se dikur, një grua “e shkathët” për kohën, e gjithherë ka patur të tilla- tek po i kërkonte llogari i shoqi(gjithnjë duhet edhe një i tillë)- se ku ksihte qenë një dy ditë e net, ajo vendosi t`i tregonte. Dhe pasi i rrëfeu të vërtetën, nuk harroi ta siguronte: “Dëgjo burrë, unë vërtet gabova(nja dy ditë), por duke ardhur në shtëpi, u futa në përroin që ishte “rrap më rrap”, desha të mbytesha por nuk munda dhe...u shplava mirë, i mori gjynahet përroi. I lashë atje mëkatet”.-Aa, në qoftë kështu, vazhdo e rrit fëmijët-ia priti i shoqi.
Kështu e bënë edhe deputetët tanë në seancën e muajit tw kaluar, me një të rënë të kalemit, i ligjësuan gjithë ç‘kishin bërë për 18 vjet rresht. Tani, nëse presin nja 300.000 familje për të legalizuar shtëpitë e banimit e jo vila e fshatra turistikë, ata le të vazhdojnë të presin, mirë ta pësojnë, se ata kërkojnë ligje, në një shtet që i shërben vetes së tij, e jo atyre.
Domethënë, -në qoftë kështu, ju do të vazhdoni të na qeverisni-duhet t‘u themi ne, tani të “dy palëve”. Në këtë kuptim, romët janë edhe më guximtarë se ne “sojllinjtë”, se të paktën dolën e folën para kamerave, por për ta u kujdeska një shtet jo dosido, por vetë Britania e Madhe. Tani se kur do të nisë të kujdeset për ne “të tjerët” Britania e Madhe apo Amerika e Madhe, këtë nuk mund ta dimë, edhe pse e urojmë dhe e ëndërrojmë. Ndoshta duhet nisur kjo punë duke u rregjistruar në shoqatën e romëve, arumunëve, malazezve, (serbëve e grekërve po se po). Ndoshta kështu do të kemi një fat më të mirë nga ky që kemi, pasi në mos e paçim kuptuar deri më sot, duhet ta marrim vesh një herë e mirë se në kët vend vetëm ne shqiptarët jemi pakicë. Nëse përjashtojmë një njëqintmijë lehës mediokër partiakë që vijnë rrotull tepsisë së madhe, ne shqiptarët e tjerë, kemi vetëm një parti që duhet të votojmë: Partinë e të Drejtave të Mohuara. Kuptohet, përveç atyre që të drejtat i kanë “të garantuara”. Përndryshe, ndonjë natë pa hënë(zakonisht këto parapëlqejnë ata që flasin shçip), secili prej nesh-”pakicës”, do të shikojë ndonjë skuadër me “trimosha” tek dera e hyrjes së vet, me shkopinj dhe qysqi në duar... Do të jetë tepër vonë, e nuk do të ketë jo shoqatë, por as Britani e as Amerikë të thotë ndonjë fjalë për ne, pa lere të na kërkojë se ku mund të jemi fshehur nga...Avra! Sepse thjesht, do të na thonë:-Gjejeni vetë, e keni brenda “sojit”! Por... “fisi cofisi, e kush s‘e pat‘ e poftisi”-tha një burrë i mençur një herë që disa sojsëzë e vunë në mes, dhe i shanin pikërisht të pasharën; sojën e tij...
(shkrimi eshte botuar me 8 prill ne Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›