Opozita, në shesh kundër qeverisë në Ditën e Europës
Vetëm 10 ditë pas protestës së madhe të 30 prillit, opozita shqiptare do të kërkojë të përsërisë edhe njëherë përmasën e pelegrinazhit njerëzor që pagëzoi edhe nisjen e grevës së urisë. Paralajmërimin e saj e ka bërë kreu socialist, Edi Rama, tri ditë më parë, i cili duke folur para çadrës ku janë ngujuar 200 deputetë dhe qytetarë, ka apeluar për pjesëmarrje në një protestë që zhvillohet në një ditë simbolike. 9 maji, si Dita e Europës, por edhe si datë e triumfit mbi fashizmin, është zgjedhur kështu sipas një llogarie politike që i beson simbolikës së një date që në çdo përvjetor ka një domethënie të përforcuar. Tubimi i sotshëm pra, priret që përveç mesazhit politik që lidhet me problemet e brendshme të politikës, të afishohet edhe si një akuzë e fortë ndaj qeverisë së Sali Berishës për sa u përket tipareve të saj autoritariste. Elementi më domethënës i pelegrinazhit protestues më 9 maj lidhet natyrshëm me përmbysjen e një feste mbarë europiane, që në Shqipëri mban vulën e protestës ndaj pushtetit. Për këtë arsye, kjo lëvizje e opozitës synon ndërkombëtarizimin e situatës politike të vizatuar sipas retorikës së saj, e cila e sheh pushtetin e Sali Berishës si një rudiment të deformuar të fashizmit historik. Fjalimet e fundit të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij, po i apelojnë komunitetit ndërkombëtar për një emergjencë të demokracisë në Shqipëri, e cila në zbërthimin e saj final natyrshëm çon te manipulimi elektoral. Në rast se mesazhe të kësaj natyre, suksesi i të cilave është në varësi të pjesëmarrjes së qytetarëve, do të godasin sa duhet në adresën e Bashkimit Europian, është e pritshme që fatura e saj të bjerë mbi integrimin e afërt të Shqipërisë. Një akuzë që vjen nga brenda, në emër të aspiratës për demokraci, është në fund të fundit një fakt që nuk mund të kapërcehet me standardet e raporteve ndërkombëtare. Duke afirmuar kështu edhe njëherë vullnetin e vet për transparencën e 28 qershorit, riciklimi i protestës masive e shton presionin ndaj qeverisë, që duhet medoemos të nisë procesin e dialogut konkret. Ky përshkallëzim i situatës politike në të vërtetë mbërrin sot përmes një menaxhimi politik të përditshëm. Protestat në mbarë vendin, bllokimi i rrugëve nacionale, si dhe përpjekja për të lobuar në arenën ndërkombëtare janë shprehje të kësaj taktike që sot pret të marrë një përmasë të re. Nga ana tjetër, një element shtesë mund të mendohet edhe për sa i përket mënyrës së zhvillimit të protestës, teksa dje qytetarë të ardhur nga rrethet kanë qëlluar me vezë godinën e Televizionit Publik Shqiptar. Përshkallëzimi i fjalës po frymëzon ndërkohë edhe përshkallëzimin e veprimeve, që sipas gjasave mund të sjellë elementë të rinj dhe më të fortë të asaj që njihet si mosbindje civile.
#