Talasemia, fëmijët 12-13 vjeç të depistohen
Anemia mesdhetare, e quajtur ndryshe talasemi, çdo vit e më shumë po zgjeron hartën e të prekurve. Mesatarisht çdo muaj, në vend, evidentohen të paktën dy lindje me probleme talasemie. Këto statistika janë mbledhur nga mjekët dhe shoqatat që aktualisht po kujdesen për të bërë sensibilizimin dhe parandalimin e lindjeve të fëmijëve me talasemi. Ndërkohë që të dhëna specifike për sëmundjen, për bartësit e shëndoshë, apo një informacion të detajuar për rrezikun e “ruajtjes” së kësaj sëmundjeje në organizëm, as vetë ne nuk e dimë me siguri.
Kjo për shumë arsye, por më e rëndësishme në kuadrin social, sipas specialistëve mbetet sensibilizimi i pakët i popullatës për të dhuruar gjak, jo vetëm për humanizëm, por edhe për të kuptuar se ky “medikament” apo substancë është e nevojshme për të gjithë ne, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës sociale, financave, por njëkohësisht duke sjellë përmirësim të gjendjes shëndetësore, për të sëmurët me talasemi.
Dy ditë më parë, në një konferencë të organizuar nga universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë”, specialistë të huaj të ftuar nga universitetet italiane dhe specialistë shqiptarë ishin të mendimit se dhurimi i gjakut është i mirë, jo vetëm për t’i ardhur në ndihmë pacientëve, por nga ana tjetër edhe për të pasur një informacion më të gjerë lidhur me sëmundjet dhe të dhënat që ka gjaku i secilit prej nesh. Praktika e dhurimit të gjakut në vend është e tillë që për çdo dhurim gjaku vullnetar, rezultatet e analizave jepen falas.
DiskutimiKreu i Komisionit parlamentar të Shëndetësisë, Tritan Shehu, ka hedhur një projekt-ide, i cili është mirëpritur edhe nga specialistët, i cili është depistimi i hershëm i fëmijëve në shkolla. Madje politikat shëndetësore duhet të stimulojnë dhe të drejtojnë grupet e kontrollit, duke i financuar dhe duke i krijuar terrenin e përshtatshëm për të kryer kontrollin e fëmijëve të moshave 12-13 vjeç, në shkollat 9-vjeçare. Sipas kreut të Komisionit të Shëndetësisë, realizimi i një depistimi të tillë do të sillte një informacion më të saktë, lidhur me përhapjen e sëmundjes në vend, rrezikun për të lindur fëmijë talasemikë, parandalimin e hershëm të pasojave për ata që janë bartës të talasemisë apo kanë premisë për të lindur një fëmijë me anemi mesdhetare. Ky projekt është realizuar kohë më parë nga një organizatë jofitimprurëse në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë. Rezultatet e depistimit u bënë publike rreth tre vite më parë, duke referuar qytete si Fieri, Vlora dhe Saranda me përhapje më të theksuar.
Përhapja e talasemisëFjala talasemi e ka prejardhjen nga greqishtja e vjetër dhe do të thotë “sëmundje e Detit Mesdhe”. Talasemia është sëmundje gjenetike, që shkaktohet nga mungesa ose nga pakësimi i prodhimit të vargjeve të hemoglobinës. Në varësi të sasisë së hemoglobinës që prodhohet, talasemia emërohet majore, intermedia, ose minore.
Një të sëmuri me talasemi i nevojitet rreth 20 mijë dollarë për të përballuar kostot e sëmundjes. Këto janë shpenzimet që i rimburson shteti. Për shkak të gjakut janë infektuar 26 fëmijë me hepatit C dhe HIV/AIDS. Të sëmurët me talasemi kërkojnë të sensibilizojnë popullatën për të dhuruar gjak dhe për t’u ardhur në ndihmë jo vetëm këtyre pacientëve, por edhe vetes. Secili prej nesh mund të ketë nevojë për gjak në rast fatkeqësie, aksidentesh.
#