E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmshpërblimi 1 000 euro, banorët shprehen kundër

Shkodër/ Banorë të Livadheve shprehen të pakënaqur për vlerën e deklaruar


SHKODËR - Banorë të lagjes së Livadheve në qytetin e Shkodrës që u përmbytën në fillim të vitit nga hapja e portave të hidrocentraleve shprehen të pakënaqur nga vlera e publikuar për kompensim të dëmeve, e cila shkon mesatarisht 1000 euro për familje.


Sipas këtyre banorëve, këto para nuk mjaftojnë as për paisjet e orenditë shtëpiake, ndërsa dëmtime ka pasë dhe në ushqimin e bagëtisë dhe të mbjellat në oborret e tyre. Mark Lulash Basha, i ardhur para disa vitesh nga Dukagjini dhe i vendosur tek Livadhet, shprehet se uji ka hyrë brenda dhe ka dëmtuar banesën, pa folur për dëmin në sane, kashtë, lakra e vreshtë. "Kanë ardhë kanë shënuar çfarë kanë dashtë dhe tash thonë 1000 euro se aq ua merr mendja.


Kjo nuk është e drejtë se ka familje që kanë pasë dëmtime më pak se kjo vlerë dhe ka të tjera që dëmet kanë qenë më të mëdha. Mua nuk ma kompensojnë dëmin 1000 euro, se janë pak. Megjithatë, ishalla i japin dhe aq, se më mirë se aspak është", thotë Basha.


Ndërsa Vera Ndreu shton se lagështira ka bërë që dyert të mos mbyllen, ndërsa 1000 euro janë vetëm për televizor, frigorifer e lavatriçe që kanë dalë jashtë përdorimit. "Por këtë e kanë vendosur të tjerët dhe nuk kemi çfarë të themi", shton ajo.


Të tjerë banorë të Livadheve shprehen se vlera 1000 euro e deklaruar është e pamjaftueshme, pasi ka familje që përveç pajisjeve brenda në shtëpi u janë dëmtuar dhe shpend e bagëti dhe ato nuk vihen dot në vend me 1000 euro. "Uji ka hyrë deri 1 metër brenda dhe lagështira nuk kalon kollaj.


Jemi detyruar të hyjmë brenda se nuk kemi ku të shkojmë dhe që nga dita që kemi hyrë, blejmë veç ilaçe se jemi ftohur. Ai thotë 1 000 euro dhe me këta unë mundem vetëm të blej dru zjarri se më janë kalbur pasi i ka zënë uji, dhe vlera e tyre ka shkuar 8 000 lekë të reja një makinë me 2,5 metër kub, sobën që ka dalë jashtë përdorimit dhe televizorin e frigoriferin.


Po divanë, karrige, apo shpendët e ushqimi për lopën, e cili ka shkuar i gjithi dëm dhe e blejmë me lekë çdo ditë?" pyet Pjetër Marashi, një tjetër banor i kësaj lagjeje. Përfundimet e verifikimeve në terren të dixhitalizuara priten të dërgohen deri të hënën në Ministrinë e Brendshme sipas vendimit përkatës të nxjerrë nga qeveria.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›