E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, dy shtëpi dhe ujësjellësi çahen nga rrëshqitjet e dheut

Burime nga ujësjellësi bëjnë të ditur se problemet kanë nisur një vit më parë, ndërsa situata vijon të përkeqësohet


VLORË - Shkarjet e dheut në një nga zonat kodrinore mbi lagjen "10 Korriku" jo vetëm janë të dukshme, por kanë bërë të pabanueshme dy shtëpi banimi, njëra prej të cilave rrezikon shembjen.


Kodra mban edhe depozitën e ujit të pijshëm të qytetit, si dhe tubacione shpërndarëse, të cilat kanë pasur probleme, ndërkohë që punonjës të ujësjellësit që po punojnë pranë zonës, pohojnë se gjendja mund të jetë deri kërcënuese.


Në banesën e Idajet Dulajt ka nisur shpërngulja. Familjarët thonë se krisjet filluan dy ditë më parë dhe në orët e natës, shtëpia nuk kishte më krisje, por ishte gati për t'u shembur.


Çarje ka në të gjitha dhomat. Pllakat e dyshemesë kanë dalë nga vendi duke u hapur tërësisht në pjesën veriore të shtëpisë, dyert nuk mbyllen më, ndërkohë që pjesa e jashtme është fundosur tërësisht.


Dy pleq dhe djali i tyre i paralizuar, banorët e shtëpisë, janë ndihmuar nga të afërm dhe fqinjë të heqin gjithë plaçkat, ndërsa do të zhvendosen. Një prej tyre pohon se gjithçka mund të ketë ardhur nga tubacionet e ujit, të cilat tashmë të amortizuara, shumë herë kanë rrjedhur ujërat përgjatë kodrës, duke ndikuar në këtë proces.


Gjithsesi, ende nuk dihet se kush është shkaktari kryesor i çarjeve të tokës. Punonjës të ujësjellësit, të cilët në këtë situatë kanë prerë lidhjen me dy prej tubave të ujit, pohojnë se në një godinë pranë depozitës së ujit ka çarje dhe thellimi i tyre mund të ketë pasoja edhe në vetë depon furnizuese.


Siç mësohet, një pjesë e qytetit nuk furnizohet si më parë me ujë të pijshëm, për shkak të shkarjes së dherave në kodrën ku është vendosur depozita dhe tubacionet. Problemet kanë nisur qysh një vit më parë, kur kanë nisur edhe çarjet dhe shkarjet e dherave.


Kjo ka ndikuar me çarjet e tubave herë pas here. Punonjësit tregojnë se pranë depozitës ka qenë edhe një shtyllë e tensionit të lartë, e cila është zhvendosur pikërisht për këtë problem në një zonë tjetër.


Situata është përkeqësuar edhe më tepër nga reshjet e shumta të rëna në këto ditë të këtij viti, ku rrëshqitjet kanë vijuar. Si pasojë e dëmtimeve të tokës, janë çarë të shtatë tubat kryesore të linjës që furnizojnë qytetin e Vlorës.


Rreziku më i madh, sipas një punojnësi të ujësjellësit, nuk është vetëm çarja e tubave të ujit që furnizojnë qytetin, por vetë depoja, një çarje e së cilës rrezikon të përmbytë një zonë të konsiderueshme, përfshi këtu edhe shtëpi banimi, të cilat ndodhen në faqen kodrinore, ku ndodhen dhe tubat e ujit. Ujësjellësi po punon prej dy ditësh që të shpërndajë ujë për popullatën e Vlorës në disa linja dytësore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›