Opozita, pak minuta në Kuvend. Ja dy draftet që e kalojnë krizën në parlament Nga TemaUPDATE- Pas rreth 6 muajsh nga nisja e punimeve të legjislatures parlamentare, 64 deputetët socialistë zunë vendet e tyre në sallën e Kuvendit. Pas betimit, që bën
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Opozita, pak minuta në Kuvend. Ja dy draftet që e kalojnë krizën në parlament Nga TemaUPDATE- Pas rreth 6 muajsh nga nisja e punimeve të legjislatures parlamentare, 64 deputetët socialistë zunë vendet e tyre në sallën e Kuvendit. Pas betimit, që bën të vlefshëm mandatin parlamentar të të zgjedhurve socialistë, kreu i Asamblesë së kësaj partie, Gramoz Ruçi mbajti qëndrimin e grupit, duke lëshuar sfidën se nëse në sallën e parlamentit hapen vetëm kutitë e Ruzhdies në Fier, opozita është gati ta quajë të kryer këtë betejë.
Zoti Ruçi tha se opozita hyn në Kuvend për të sjellë çelësin e zgjidhjes, në të kundërt protestat janë afër.
Opozita paraqiti sot dy dokumente, një projekt-vendim për ngritjen e menjëhershme të komisionit hetimor për zgjedhjet, dhe amendimi për komisionet hetimore, në mënyrë që sipas Ruçit, cilado force politike që ka kontestime për zgjedhjet të mund t’i hetojë ato.
Pas zotit Ruçi, kreu i parlamentarëve demokratë Astrit Patozi ka përshëndetur hyrjen e opozitës në Kuvend.
Më pas kryeministri Berisha, menjëherë pas fjalëve përshëndetëse për opozitën, shfaqi dhe qëndrimin e ndryshëm ndaj hetimit të zgjedhjeve.
Menjëherë pas disa replikave mes tij dhe Ruçit, grupi parlamentar socialist la sallën e Kuvendit, ndërsa kryetarja e Kuvendit u detyrua të kërkojë pushim për të sfumuar daljen e opozitës nga parlamenti.
Tashmë kriza ndodhet ne institucionin e Kuvendit, ku opozita depozitoi dy drafte. I pari synon ngritjen e komisionit, që përmban hetimin e pakufizuar dhe të pakushtëzuar të zgjedhjeve.
Projektligji i dytë, që mban firmat e deputetëve të majtë, garanton cilëndo parti politike që ka ankesa për zgjedhjet, të kërkojë hapjen e kutive dhe hetimin e plotë të procesit.
Tani topi është vërtet në fushën e mazhorancës.
RELACION PËR PROJEKTLIGJIN “PER DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8891 Datë 2.5.2002 “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONEVE HETIMORE TË KUVENDIT”
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8891, datë 02.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” është një nismë legjislative e cila synon ngritjen e një komisioni parlamentar të posaçëm, të kryesuar dhe me shumicën e anëtareve nga opozita, që do të hetojë mbi dyshimet në lidhje me shkeljet e ligjeve dhe akteve nënligjore qe rregullojnë procesin zgjedhor, parregullsitë në procesin e numërimit, shpërdorimin e pasurive publike dhe angazhimin e detyruar të punonjësve te administratës publike për fushatat zgjedhore, etj.
Nëpërmjet këtij projektligji, Partia Socialiste e Shqipërisë, si subjekt nismëtar, nuk synon të përmbysë rezultatin përfundimtar dhe as shfuqizimin e zgjedhjeve. Ajo nuk është duke kërkuar rinumërim të votave në mënyrë që të ribëjë rezultatet e zgjedhjeve apo të sfidojë këto zgjedhje ligjërisht. Shtrirja e interesit është për të gjetur se deri në çfarë shkalle shtrihen parregullsitë dhe se si kanë ndikuar këto parregullsi në rezultatet e zgjedhjeve në zonat zgjedhore në funksion të realizimit të transparencës së plotë mbi procesin zgjedhor.
Ngritja e një komisioni hetimor është parashikuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, neni 77 i saj. Ky komision nuk ka për qellim dhe nuk do të ndërhyjë në veprimtarinë e institucioneve te tjera dhe nuk do të kundërshtojë asnjë vendim të gjykatës zgjedhore apo ndonjë vendim tjetër. Komisioni thjesht do të hetojë, do të mbledhë dëshmitë dhe do t’i analizojë ato në dritën e çështjeve për të cilat ka dyshime te forta dhe te arsyeshme se janë të rrezikuara.
Mbi këtë bazë do të evidentohen përgjegjësitë ligjore dhe institucionale të subjekteve të përfshira në proces si edhe do të propozohen masa legjislative, administrative etj për të garantuar në të ardhmen standartet zgjedhore të vendeve anëtare të NATO-s dhe të BE-së.
Për këtë qëllim, propozohet që në ligjin nr. 8891, datë 2.5.2002, “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore te Kuvendit”, ne nenin 4 të tij, pika 5 të ndryshohet duke parashikuar që komisionet hetimore te kuvendit, bashkë me raportin përfundimtar i paraqesin Kuvendit në seance plenare edhe rekomandime lidhur me ndryshime të mundshme ligjore për të parandaluar përsëritjen në të ardhmen të fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin dhe kur çmohet se është rasti, marrjen e masave të mëtejshme nga organi i prokurorisë. Jemi të mendimit se një parashikim i tillë me ligj do të ridimensiononte dhe forconte në vijim vetë rolin e komisioneve hetimore, në kuptim të asaj se, ajo ç’ka do të evidentohet si problematike apo antiligjore gjatë veprimtarisë hetimore të çfarëdolloj komisioni hetimor në këtë vlerësim a posteriori të legjislacionit ekzistues, nuk do të mbetet thjesht e vetëm brenda retorikës parlamentare por do të shërbejë realisht për të përmirësuar në të ardhmen legjislacionin e interesuar. Kjo gjë me një synim parandalues të shkeljes së ligjit në të ardhmen.
Në nenin 2 të projektligjit, propozohet që po në nenin 4 të ligjit ekzistues të shtohet pika 6/a, e cila parashikon rishtazi që, ne rastet kur kërkohet ngritja e komisionit hetimor për hetimin e çështjeve qe lidhen me zgjedhjet e përgjithshme ose ato te qeverisjes vendore, ky komision nuk mund të ngrihet nëse kane kaluar 6 muaj nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të përgjithshme të Kuvendit dhe 3 muaj nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për qeverisjen vendore. Sikurse vihet re, nëpërmjet këtij propozimi synohet të vihet një afat në procesin e ngritjeve të komisioneve të posaçëm parlamentar që kanë si objekt hetimi proceset zgjedhore, me qëllim respektimin e parimit të shtetit ligjor, i cili imponon si kërkesë sine qua non bindjen ndaj vendimeve të autoriteteve shtetërore dhe qetësinë publike. Gjithashtu, propozohet që në çdo rast, veprimtaria e këtyre komisioneve do të pushojë ditën kur do të duhen edhe 24 muaj për përfundimin e mandateve reciprokë të Kuvendit dhe organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive bazë të qeverisjes vendore. Ky afat synon mospërdorimin e veprimtarisë së komisioneve hetimore për qëllime të tjera nga ato të parashikuara nga ligji.
Në nenin 9 të projektligjit, pas pikës 3 propozohet të shtohet pika 3/a që parashikon se në rastet kur kërkohet të hetohen problematika të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, apo të zgjedhjeve të qeverisjes vendore, shumica e anëtarëve të komisionit duhet t’i përkasë partisë më të madhe opozitare. Argumenti i këtij propozimi është i qartë: në një shtet me standarde demokratike perëndimore kryesimi nga opozita, si e interesuara e parë, i komisioneve të kësaj natyre është në thelb parakusht i suksesit të hetimit si i tillë dhe nga ana tjetër, i hap asaj rrugën për të adresuar rekomandime në lidhje me përmirësimin e kuadrit ligjor për zgjedhjet. Kjo zgjidhje besojmë se do të shërbejë për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë paqartësive apo dyshimeve shumëvjeçare që kanë shoqëruar procesin zgjedhor në vend. Përmes kësaj, palët e interesuara do të detyrohen të gjejnë zgjidhje të përbashkëta, për të ndihmuar arritjen e të vërtetës së padiskutueshme. Kontrolli i komisionit nga opozita do të mundësojë hetim të plotë për të gjitha akuzat dhe do të japë rezultatet e vërteta duke shërbyer si një mekanizëm i mëtejshëm roje i zgjedhjeve të drejta e të ndershme.
Në Kreun e IV-të të ligjit, propozohet ndryshimi i nenit 17 të tij. Rregullimi i ri parashikon qe ne shërbim te hetimeve mbi çështjen, komisioni administron dokumente zyrtare, prova filmike si dhe te dhëna te tjera qe, ndihmojnë ne zhvillimin e hetimeve. Po këtu detajohet detyrimi i organeve shtetërore kompetente që i disponojnë këto të dhëna apo prova për t’i përcjellë zyrtarisht ose vënë në ato në dispozicion të komisionit, sipas kërkesës së tij. Në rastet kur është kërkuar hetimi i zgjedhjeve për Kuvendin ose për qeverisjen vendore, në shërbim të hetimeve mbi çështjet komisioni me shumicë votash mund të vendosë hapjen e kutive të materialeve zgjedhore për të këqyrur, hetuar ose publikuar sipas rastit një ose disa nga dokumentet zgjedhore dhe/ose hapjen e një ose disa kutive të fletëve të votimit duke urdhëruar rinumërimin e tyre.
Siç është theksuar edhe më lart, komisioni nuk synon dhe nuk mund të sfidojë asnjë vendim gjykate dhe as nuk mund të marrë vendime mbi rezultatet e zgjedhjeve. Ai nuk do të rivlerësojë apo ndryshojë vendimet e institucioneve gjyqësore apo administrative të autorizuara për menaxhimin e procesit zgjedhor. Sidoqoftë, komisioni mund t’iu drejtohet dhe përdorë prova apo dokumentacione të cilave iu janë referuar më herët këto institucione, duke respektuar vendimin e tyre, me synimin e vetëm mbledhjen e informacionit për të parandaluar në të ardhmen fenomene negative për shoqërinë dhe shtetin, përmes miratimit të ligjeve të reja apo ndryshimit të atyre ekzistuese. Për të përmbledhur argumentin, vëzhgimi i materialeve zgjedhore të mbyllura në kuti dhe fletëve të votimit, do të bëjë të mundur kuptimin e shkallës së mospërputhjes mes të dhënave të shpallura dhe realitetit. Kjo synon njohjen e dinamikës së manipulimit të pretenduar zgjedhor, si dhe, për aq sa do të jetë e mundur, identifikimin e subjekteve të përfshirë në këto procese dhe denoncimin e autorëve të këtyre akteve. Këto veprime, nëse do të jenë të suksesshme, do të mbyllin përfundimisht kapitullin e mosndëshkimit për autorët e shkeljeve në çdo proces zgjedhor, me synim rivendosjen e besimit të lëkundur tashmë të qytetarëve te demokracia dhe politika shqiptare.
Në vijim të mbrojtjes së dokumentacionit dhe të procesit zgjedhor në përgjithësi, parashikohet që anëtarët dhe personeli ndihmës i komisionit janë përgjegjës për ruajtjen e sekretit shtetëror gjatë hetimeve, sipas rregullave të parashikuara në nenet 159 “Ruajtja e sekretit profesional”, 160 Ruajtja e sekretit shtetëror” dhe 161 “Përjashtimi i sekretit” të Kodit të Procedurës Penale.
Në nenin 5 të projektligjit, propozohet një dispozitë kalimtare, që parashikon se për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit 2009 afati i paraqitjes së kërkesës në përputhje me nenin 4, pika 6/a të ligjit, fillon nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Përjashtimi në këtë rast nga rregulli i përgjithshëm për ngritjen e komisioneve hetimore me objekt proceset zgjedhore që prezanton ky ligj është normal, duke pasur parasysh zhvillimet aktuale politike në vend.
Për shkak të prioritetit që ka miratimi i këtij projektligji në funksion të zgjidhjes së krizës aktuale politike dhe mbështetur në nenin 28 të rregullores së Kuvendit kërkohet miratimi i këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar.
VENDIM PËR NGRITJEN E KOMISIONIT HETIMOR TË KUVENDIT PËR TRANSPARENCËN E ZGJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË MBAJTURA NË 28 QERSHOR 2009
Në mbështetje të nenit 77 të Kushtetutës, të neneve 8 e 9 të ligjit nr.8891, datë 02.05.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit" (të ndryshuar), si dhe të nenit 25 të Rregullores së Kuvendit, me propozimin e një grupi deputetësh të grupit parlamentar socialist,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:
I. Ngrihet Komisioni Hetimor Parlamentar i Kuvendit për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për të realizuar transparencën e plotë të procesit të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 28 qershor 2009;
II. Objekti i punës së Komisioni Hetimor Parlamentar është:
a. hetimi i akuzave dhe dyshimeve publike të ngritura nga partitë politike si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për moszbatim të legjislacionit në lidhje me procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave në VNV-të;
b. hetimi i dyshimeve dhe akuzave të ngritura nga partitë politike si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për proces të parregullt votimi në qendrat e votimit;
c. hetimin e vepritmarisë të administratës së KQZ në lidhje me dështimin apo mangësitë e shfaqura në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në procesin e numërimit të votave;
ç. hetimi i akuzave publike për përdorim të mjeteve publike si dhe të administratës publike të çdo niveli, në favor të subjekteve të caktuara zgjedhore;
d. hetimi i akuzave për presione të ushtruara për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën qendrore, lokale apo të çdo enti publik, për shkaqe që lidhen me fushatën zgjedhore, të kryera gjatë periudhës 29 maj - 28 qershor 2009 si dhe periudhën vijuese pas saj;
dh. hetimin e rasteve të dhënies në kundërshtim me ligjin të lejeve të përkohshme për personat e dënuar apo duke vuajtur masën e sigurisë arrest me burg, nga administrata e burgjeve gjatë periudhës 29 maj - 28 qershor 2009;
e. çdo shkelje tjetër që lidhet me procesin zgjedhor dhe që do të rezultojë gjatë hetimit.
III. Hetimi i shkeljeve, objekt i veprimtarisë së këtij komisioni, është i pakufizuar përsa i përket natyrës së materialeve, dokumenteve apo provave që kërkohen të administrohen nga organet përgjegjëse. Procesi i hetimit përvec dokumentave apo provave të tjera që parashikon ligji në fuqi, do të përfshijë edhe këqyrjen dhe administrimin e materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit që ndodhen në kutitë e votimit nën administrimin e KQZ-së;
IV. Komisioni hetimor i ngritur sipas këtij vendimi, bashkë me raportin përfundimtar i paraqet Kuvendit në seancë plenare rekomandime lidhur me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime apo miratime ligjesh me qëllim ndalimin përfundimtar të fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin, dhe sipas rastit, njoftimin e prokurorisë per marrjen e masave të mëtejshme ligjore.
V. Komisioni Hetimor Parlamentar përbëhet nga 15 anëtarë, shumica të cilëve i përket partisë më të madhe të opozitës, që ka edhe kryesimin e komisionit.
Kryesia e Komisionit, në bazë të ligjit nr.8891, datë 2.5.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit", i takon Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste .
VI. Komisioni e ushtron veprimtarinë e tij për një afat që në çdo rast nuk mund të jetë më pak se 5 muaj dhe nuk duhet të tejkalojë kufirin e 24 muajve që paraprijnë ditën e mbarimit te mandatit te Kuvendit.
VII. Ngarkohen Kryetarja e Kuvendit dhe Sekretari i Përgjithshëm të krijojnë kushtet e nevojshme logjistike për veprimtarinë normale të këtij Komisioni.
***
Deputeti i PS, Namik Dokle, pas mbledhjes së sotme të grupit parlamentar socialist, bëri me dije se opozita do të futet në Kuvend dhe do të paraqesë dy draft-propozime.
Bëhet fjalë për projektligjin për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe një draft tjetër që i garanton çdo force politike që ka ankesa për procesin zgjedhor, që të kërkojë hetim të plotë dhe të pakushtëzuar.
“Ne, duke ia lënë këto dy drafte mazhorancës, presim reagimin e saj në lidhje me këto dy propozime që janë pjesë e standardeve evropiane, që Shqipëria tashmë duhet të fitojë në pragun e anëtarësimit në BE dhe si një vend anëtar i NATO.
Është e drejta dhe detyrimi i PD, që të reflektojë mbi këtë bazë, sepse ne hyjmë në parlament për të mos dalë, por edhe për të mos qëndruar nëse nuk garantohet transparenca e plotë e zgjedhjeve,” tha Dokle.
***
Partia Socialiste do jetë e pranishme në seancën e së enjtes, për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve nga aty. Kryetari i PS, Edi Rama deklaroi dje se mandatet e tyre nuk do jenë peng i Berishës, Metës apo Nanos. Rama tha se transparenca e zgjedhjeve do të kushtëzojë jetën parlamentare. Rama tha se çështja e tyre u fut në axhendën ndërkombëtarë. Sipas tij, transparencën e zgjedhjeve e mbështeti edhe vetë OSBE që hartoi raportin për zgjedhjet. Rama tha se do ketë protesta në rast se nuk do bëhet transparenca.