E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita paralajmëron rrezikun e krijimit të një mini-parlamenti serb

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Petar Milletiq ka mbështetur idenë kryeministri serb Ivica Daçiq për krijimin e bashkësisë së komunave serbe në gjithë territorin e Kosovës. Nga ana tjetër, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci takimin e fundit e ka quajtur fitore për Kosovën, përderisa opozita paralajmëron rrezikun e krijimit të një mini-parlamenti serb, i cili do të ishte kërcënim serioz për Kosovën.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Petar Milletiq i ka deklaruar Radio Kosovës se personalisht mbështet idenë e kryeministrit të Serbisë Ivica Daqic për krijimin e bashkësisë së komunave serbe si në veri ashtu edhe në jug të Kosovës.

“Ajo çka nuk është e mirë, është nëse krijohet vetëm asociacioni për komunat veriore. Mirëpo nëse arrihet marrëveshje ndërmjet dy kryeministrave, do të duhej të ishte asociacion i të gjitha komunave me shumicë serbe pa dallim a janë në veri apo edhe në jug”, tha Milletiq.

Në anën tjetër shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci takimin e fundit e quan fitore për Kosovën. Megjithatë, ai e sheh të rrezikshme krijimin e privilegjeve midis komunitetit serb.

“Unë e përshëndes edhe vullnetin e minoritetit serb që jetojnë edhe në komunat tjera në Kosovë, të cilët duhet ta kenë parasysh që të mos krijojmë privilegje brenda edhe një komuniteti, edhe vetë komunitetit serb, sepse do të na shkaktojë probleme se ka rrezik të na rrezikojë procesin dhe të na kthejë prapa. Ne duhet të punojmë me interesat e shtetit të Kosovës dhe minoriteti serb dhe të gjithë qytetarët duhet ta pranojnë realitetin e ri në Kosovë”, tha Grabovci.
Sipas Lutfi Hazirit nag LDK-së, qëllimi i Serbisë është që të krijojë një miniparlament, i cili do të ishte rrezik për Kosovën.

“Tendenca e Serbisë pavarësisht si quhet apo si është emëruar ky organ, është tendencë me kriju një miniparlament, ku komunat delegojnë përfaqësuesit e vet dhe ku delegojnë përgjegjësitë në vendimmarrje dhe kjo është kërcenim për Kosovën sepse krijohet shtresa e tretë e pushtetit që quhet administratë apo niveli i mesëm i pushtetit e kjo nuk guxon të ndodh”, tha Haziri .

Ndërsa Alma Lama nga Vetëvendosje thekson se krijimi i asociacionit të komunave serbe në veri do ta bosnjëzonte Kosovën.

“Nuk mund të lejohet asociacion i komunave, sidomos me bazë territoriale siç po e kërkojnë ata sepse ky do të ishte thjeshtë ndërtimi i një shteti tjetër brenda shtetit të Kosovës. Ata kanë kërkuar që të kenë edhe parlamentin e vet, të kenë institucione të cilat i udhëheqin këto komuna, asamble parlament, që do të thotë thjesht është një imitim i asaj çfarë po ndodh një Bosnje”,tha Lama.

Kurse eksperti i së drejtës kushtetuese, profesori Riza Smaka konsideron se krijimi i asociacionit të komunave serbe në Kosovë do të thotë autonomi për serbët e Kosovës dhe dëmtim i subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë.

“Subjektivitet diskutabil, shumë i ndjeshëm, të brishtë dhe problematik. A do të kishte a nuk do të kishte , sepse nuk është fjala për një autonomi të tipit klasik por kjo do të ishte e lidhur direkt me Serbinë”, tha Smaka.

Ndryshe takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë Serbi do të mbahet me 4 mars në Bruksel./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›