Opozita pas Bukureshtit

-Zonja Leskaj, samiti i NATO-s në Bukuresht vlerësohet si shumë i rëndësishëm. Ndërkohë, pa kurrfarë dallimi partiak, edhe në Shqipëri vlerësohet si një pikë e rëndësishme për historinë e vendit. Çfarë mendoni se përfaqëson në vetvete ky samit?
Valentina Leskaj: “Ky samit është konsideruar shumë i rëndësishëm edhe nga vetë përfaqësuesit e NATO-s, madje më i rëndësishmi jo vetëm për shkak të nivelit të pjesëmarrjes, ku janë 26 kryetarë shtetesh që do të marrin pjesë, por edhe për shkak të objektivave që ka ky samit.
Në Samitin e Bukureshtit do të diskutohet për angazhimet operacionale të NATO-s, ku Kosova ka një vend të rëndësishëm, që lidhet me rolin e KFOR-it në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB. Vazhdimësia në Afganistan me një përqasje të re të rolit të aleancës që siguria të shkojë paralel me rikonstruksionin dhe zhvillimin, duke mbështetur një Afganistan stabël e demokratik, do të ketë gjithashtu një vend të rëndësishëm të punimeve.
Çështja e dytë e madhe është ajo e zgjerimit, ku përfshihen tre vendet e kartës: Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni. Çështja e tretë është ajo e avancimit të transformimit të NATO-s, që lidhen me adoptimin e strukturave dhe kapaciteteve me mjedisin e ri të sigurisë, ku hyjnë edhe çështje të sigurisë së energjisë, të sigurisë së informacionit që lidhet me internetin etj. Çështje tjetër e rëndësishme është ajo e marrëdhënieve të partnershipit etj.
Për t’u kthyer tek Shqipëria, ajo që ne presim nga ky samit, pra marrja e ftesës, është shumë e rëndësishme dhe natyrisht këtu nuk mund të ketë ngjyra për sa kohë që kjo ngjarje është përtej interesave partiake. Ka të bëjë me interesa të mëdha të vendit e, pse jo më gjerë se kaq, për të gjithë rajonin. Pas një ftese të mundshme bashkë me Kroacinë dhe Maqedoninë, edhe pse Maqedonia mund të përballet me një veto të Greqisë për shkak të emrit, gjithsesi shqiptarët mund të jetojnë jo vetëm në një vend me siguri e stabilitet më të lartë, por edhe në një rajon me siguri e stabilitet më të lartë dhe kjo nuk është e pakët për një vend e rajon që ka kaluar ferret e luftërave”.
-Ju jeni përfaqësuese e lartë e opozitës në delegacionin zyrtar të Shqipërisë. Një shans i mirë që dëshmon rolin e vetë opozitës në procesin tërësor drejt NATO-s, pra jo vetëm të përfundimit të tij. Çfarë përbën për Shqipërinë ky samit i ri i zgjerimit, i pari që nga Vilniusi 5 vjet më parë?
“Unë mendoj se opozita ka ofruar një model të ri opozitar që nuk është parë në këto 17 vjet, një opozitë që është dominuar nga një kulturë e re politike, që ka vënë në radhë të parë interesat e vendit dhe që brenda kontributit opozitar ka ditur të gjejë balancën mes presionit, kundërshtimit opozitar dhe ofertës për reforma të mëdha, siç ishte edhe rasti i ofertës për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore. Besoj se sot kemi një opozitë që peshon nga argumenti dhe jo nga agresiviteti, dhe besoj se kjo kulturë e re politike opozitarizmi ka pasur një ndikim jo të vogël në marrjen e ftesës. Po ju kujtoj këtu se disa muaj më parë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Shefer, kërkoi nga Presidenti gjatë takimit në Bruksel, reformën në drejtësi, atë zgjedhore dhe një kulturë të shëndetshme politike, ku besoj se të gjithë shqiptarët e dinë që PS-ja ka qenë një makinë e rëndësishme lëvizëse në këto tri detyra, edhe pse duhet thënë që edhe reforma në drejtësi që ka filluar, ka ende një rrugë të gjatë për të bërë.
Gjithsesi, ne dhamë një mesazh dhe disa garanci që mund të bashkëpunojmë për interesat e mëdha të vendit dhe kjo dha rezultat. Natyrisht ajo që kemi përpara për të bërë është shumë më e madhe, një sfidë kjo jo e lehtë. Siç e thashë, ky samit është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë për stabilitetin dhe sigurinë, por është më shumë se kaq. Është normale që një vend anëtar i NATO-s ofron më shumë siguri për biznes, për investime të huaja, po unë besoj se Shqipëria përfiton edhe nga fakti që detyrat janë edhe më të mëdha, reformat duhet të bëhen edhe më të thella, edhe më komplekse dhe nga kjo përfitojnë qytetarët shqiptarë. Nga një shtet i reformuar, nga një shoqëri ku sundon ligji, nga një demokraci funksionale të fituar janë shqiptarët. Pas një ftese të marrë nga NATO-ja, sepse marrja e ftesës nëse ajo do të vijë dhe ne besojmë shumë që do të vijë, detyrimet shtohen po edhe mbështetja për t’i realizuar ato është më e madhe”.
-Në më shumë se 50 vjet organizatë, NATO-ja është shndërruar nga “armike”, në partnere të jashtëzakonshme për Shqipërinë. E meritojmë të jemi pjesë e saj, qoftë edhe për shkak të vendit që ka Shqipëria në hartën gjeostrategjike dhe gjeopolitike?
“Unë mendoj se, natyrisht që nuk është pak të jesh partnere me një aleancë që përfaqëson vlera të lirisë e sigurisë. Për sa i përket Shqipërisë, unë besoj se meriton ftesën, ndërsa e kaluara tani duket shumë larg dhe për këtë mjafton të shohësh sondazhet që janë bërë lidhur me mbështetjen e NATO-s në Shqipëri. Sipas një ankete të fundit të kryer nga ISN, rezulton se, nëse do të zhvillohej një referendum, 91.3 për qind e shqiptarëve do të votonin në favor të hyrjes së Shqipërisë në NATO, një mbështetje e tillë besoj që e ka lënë shumë larg të kaluarën”.
-A mendoni se samiti i Bukureshtit është përfundim i suksesshëm i të gjithë rolit të opozitës në mbështetje jo thjesht të synimeve të vendit për anëtarësim, por plotësisht për të realizuar reformat e domosdoshme, pavarësisht se ka një ngecje pas Gërdecit?
“Ne si PS, rolin tonë në reformat e mëdha të vendit nuk e kemi parë si një qasje që ka të bëjë me Bukureshtin, pra si një rol sa për të kaluar provën e NATO-s. Kjo është një konstante e filozofisë sonë dhe e mënyrës së të bërit politikë. Në rastin e marrjes së ftesës, natyrisht deri në anëtarësim, ka një periudhë relativisht të gjatë, që në fakt varet nga suksesi i reformave. Gjithsesi, detyrat janë më të vështira dhe monitorimi më i madh në këto kushte vendi ka nevojë për bashkëpunim nëse duam reforma cilësore e të qëndrueshme që japin garanci jo vetëm përpara partnerëve ndërkombëtarë, por që i shërbejnë vendit”.
-Do të doja të qëndroja tek Gërdeci. Nuk duket se ka seriozitet nga qeveria, posaçërisht nga kryeministri në trajtimin, sqarimin dhe tejkalimin e tragjedisë. Nuk kemi asnjë raport zyrtar të shkruar prej tij mbi gjithë sa ndodhi. Po ashtu, ndryshimet e shpeshta të tregimit prej tij të historisë së Gërdecit e bëjnë pak të besueshëm, po aq sa edhe për trafikun e armëve, aq edhe për shpërthimin. Duhet ta bëjë këtë raportim, apo gjithçka kryeministri mund ta kalojë me entuziazmin e ftesës së NATO-s?
“Pikërisht për shkak të mungesës së seriozitetit në analizën e shkaqeve të tragjedisë, në mungesën e koherencës së deklaratave të kryeministrit, deklarata që kanë ndryshuar edhe në harkun kohor të dy orëve, ne u detyruam që të kërkojmë raport me shkrim për të ditur se kush është qëndrimi zyrtar i qeverisë mbi këtë ngjarje shumë të rëndë. Ne shpresojmë që organet e hetimit të hedhin dritë mbi të vërtetën, por kjo vihet në dyshim, për sa kohë që kryeministri është në detyrë. Natyrisht që gjërat janë të ndara. Raportimi nuk ka asnjë motiv për të mos u bërë. Detyra e parë e një qeverie është siguria e jetës së shtetasve të vet nëse nuk bën këtë, përse duhet tjetër. Natyrisht, Gërdeci do të mbetet jo vetëm një dhembje e madhe, por edhe një njollë turpi në prag të samitit të sigurisë”.
-Të premten opozita do të organizojë tubimin e dytë pas tragjedisë së Gërdecit. Motoja “Po NATO-s, jo Berishës” është po aq korrekte sa zgjedhja e manifestimit të heshtur. Kemi një politikë të re, një opozitë të ndryshme, krah çdokujt për interesat madhore të vendit, kundër çdo gjëje apo individi që i dëmton këto interesa. A është korrekt ky përfundim?
“Historia nuk mbaron këtu, do të thotë që lufta në Parlament dhe protestat do të vazhdojnë. Besoj se mesazhi ynë është i qartë”.