Oketa lëvdon ushtrinë

Qeveria e Shqipërisë dje nëpërmjet ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketës, deklaroi se marrja e ftesës për anëtarësim në NATO është fillimi i një procesi intensiv pune dhe angazhimesh për përmbushjen e detyrave dhe objektivave nga Forcat e Armatosura dhe kuadri i plotë i reformave. Shqipëria beson se vendosmëria për kryerjen e reformave politike dhe ushtarake po rezulton me marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, theksoi rolin vendimtar që ka luajtur intensifikimi i procesit reformues në dy vitet e fundit, si dhe pjesëmarrja në operacionet paqeruajtëse. “E shohim gjithashtu si një vlerësim të kontributit madhor të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të përpjekjeve dhe realizimit të reformave, nëpërmjet së cilave ato kanë kaluar, si dhe të kontributit që ato kanë dhënë dhe po japin në operacionet paqeruajtëse në Afganistan, Irak dhe në Bosnje e Hercegovinë”, - tha Oketa. Ministri i ri i Mbrojtjes përshëndeti gjithashtu trupat ushtarake me mision në Afganistan dhe në Irak. Ai shtoi se nuk mund t’i linte pa falënderuar për kontributin e jashtëzakonshëm në operacionin pas ngjarjes së Gërdecit, i cili meritoi edhe përgëzimet e ndërkombëtarëve për mënyrën e organizimit dhe të veprimeve të kryera. “Unë dua t’i falënderoj për atë çfarë kanë bërë në situata të tilla emergjente, duke treguar se janë të përgatitur për të përballuar operacionet e kërkim-shpëtimit të standardeve të NATO-s”.