E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita përplaset me mazhorancën pas investigimit se Berisha favorizon mafian serbe duke dëmtuar Kosovën

Share

Opozita kërkon të shpejtohet puna për linjën e transmetimit Shqipëri- Kosovë. Jemin Gjana: Jeni bërë më kosovarë se kosovarët

Sot në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese është diskutuar Projektrezoluta e ERE-s 2012. Në diskutimet mes deputetëve të mazhorancës dhe të opozitës pati debate të forta. Gjatë diskutimeve të deputetëve socialist Besnik Baraj dhe Blendi Klosi vunë në dukje faktin se Projektrezoluta e ERE-s i bën elozhe qeverisë ndërkohë që është në prag kolapsi sistemi energjetik i vendit.

Deputeti socialist, Artan Gaçi, ka propozuar që në këtë projektrezolutë të shtohej një paragraf, i cili të detyronte entin që të intensifikonte përpjekjet për ti bërë presion pozitiv qeverisë për të zhbllokuar ndërtimin e linjës së transmetimit Shqipëri-Kosovë. Kjo linjë energjetike ka rëndësi të veçantë për të dy vendet si Kosovën dhe Shqipërinë, rëndësi jo vetëm ekonomike, por edhe strategjike, për faktin se krijon pavarësinë e shtetit të Kosovës nga linjat e transmetimit të energjisë së Serbisë.

Deputeti Gaçi duke demonstruar në Komision gazetën Zëri të Kosovës që ka si kryeartikull Sali Berisha, me mafinë serbe, kundër Kosovës, tha se kjo linjë e transmetimit të energjisë e financuar nga banka gjermane KFW ka një vit që ka mbaruar tenderimi dhe mbahet peng ndërtimi i saj nga qeveria shqiptare pa asnjë argument serioz.

Ka qenë deputeti i mazhorancës, Jemin Gjana, i cili ka shkaktuar reagim të fortë të opozitës, kur tensionoi situatën duke iu drejtuar deputetëve socialistë: U bëtë ju më kosovarë se kosovarët. Mazhoranca nuk pranoi të shtohet ky propozim i deputetit Gaçi, dhe e kaloi vetëm me votat e saj Projektrezolutën e ERE-s.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›