Opozita po zbulon ndaj 8 majit, karakterin e vet piroman
Rreth orës 9:30 të ditës së djeshme Kryeinspektori i policisë ndërtimore të Tiranës, Ardit Kaja është qëlluar me disa plumba nga dy persona mbi motoçikletë. Kaja ka marrë një plumb në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën. Natyrisht asgjë të mirë nuk sinjalizojnë gjithë këto incidente që po ndodhin me përfaqësues politikë, akoma pa filluar mirë fushata elektorale. Edi Rama reagoi keq ndaj ngjarjes duke folur përpara se të shprehet policia, prokuroria dhe drejtësia, por e politizoi atë duke e lidhur me vënien dhe heqjen e flamujve të LSI-së nga rrugët e ish-Bllokut dhe komunës së Parisit. Sigurisht Edi Rama u nxitua me qëllim. Dhe qëllimi është tensioni në kufijtë e paimagjinueshmes. Edhe pse ca incidente të mëparshme tregonin për gjaknxehtësinë e përfaqësuesve socialistë në rastin e Dajtit apo në komunën Balldre, në Lezhë, ku në të dy rastet ishin socialistë përgjegjësit.
Sidoqoftë shumëfishimi i incidenteve para fushatës është një shenjë negative, çka nuk lë gjë të mire të shpresosh për më tutje! Ka sinjale se Opozita do të kërkojë të provokojë incidente të tjera, për shembull me listat përfundimtare, në mënyrë që të delegjitimojë zgjedhjet, pasi ka frikë nga humbja elektorale, çka do parathoshte një tërmet në strukturat dhe forumet e Partisë Socialiste. Bile nuk përjashtohet mundësia që më 8 maj të ketë ndoshta edhe braktisje votimesh nga opozita e bashkuar.
Gjithashtu ata përditë po përgatisin terrenin për ta radikalizuar situatën. Është i freskët lajmi se Partia Socialiste dërgoi në prokurori një padi kundra Blendi Fugës, kryetar i Minibashkisë nr. 10, zonë elektorale e PD, për çështjen e listave. Natyrisht listat janë paraprake dhe s’mund të ketë hetim për një çështje ende të papërfunduar, çka rrjedhimisht të bën të mendosh se PS-ja ka një strategji të përditshme, për të minuar zgjedhjet lokale. Është frika e humbjes shtysa kryesore e këtyre hileve paraprake sepse nëse Ledi Shamku nuk do të dilte përpara një kamere për të shpallur padinë, askush s’do të interesohej për një ngjarje pa thelb.
Është e kuptueshme nevoja për një acarim të kundërshtarit në momente kur ky duhet si të mendojë që i gjithë procesi të shkojë mirë dhe njëkohësisht të mendojë sesi të fitojë. Qeveria Berisha është përgjegjëse për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe njëkohësisht kandidon pretendentët e PD-së për fitimin e bashkive dhe komunave. Vënia nën presion e qeverisë Berisha për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor ka për qëllim të neutralizojë kandidatët e PD-së nëpërmjet mbajtjes së vëmendjes më shumë tek mjeti sesa tek qëllimi. Me këtë strategji provokative udhëheqja e PS-së tenton të njollosë deri në fund procesin, duke hedhur përditë dyshime mbi procesin zgjedhor dhe jo ofrimin e alternativës, sic ndodhi dje me padinë e Ledi Shamkut. Në mungesë të plotë të projekteve dhe faktin që qeverisin pushtetin lokal prej shumë vitesh, Edi Rama do të politizojë zgjedhjet e drejtuesve lokalë, me një artificë burokratike, pa përfunduar lista zgjedhore që del me 8 prill.
Mirëpo kështu nis piromania e një procesi që s’mund dhe s’do të jetë kurrë më i keq se ai i 28 qershorit 2009, përkundrazi ka garancitë ndërkombëtare për një proces të rregullt dhe standarde të plota demokratike.
Sido që të jetë Rama është aktor pa qejf i një prapaskenë të dhimbshme, pasi ai është peng i sipërmarrjes së armatosur në Partinë Socialiste. Ai është peng i afaristëve të Partisë së betonit, të cilët e shikojnë Ramën si kalin e vetëm për të garuar për kryebashkiak. Kurrsesi ata s’mund të lejojnë të humbasim jo vetëm kordonin ushqyes të pasurisë, por edhe burimin e pushtetit të tyre. I detyruar nga të tjerët, Edi Rama kandidon pa qejf të madh për një post që e ka snobuar tash sa kohës është emëruar si kryetar i Partisë Socialiste. Padrejtësisht qytetarët do të ndëshkohen me një tjetër retorikë boshe nga ana e tij, për një tjetër mandat në krye të Tiranës. 11 vite kanë kaluar qëkurse PS-ja drejton kryeqytetin dhe nuk ka sjell ndonjë gjë të re, përkundrazi ka përkeqësuar edhe më shumë jetën e qytetarëve, pasi sipërfaqet e gjelbëruara janë zvogëluar deri në atë masë saqë ndotja është 4 herë më e madhe se mesatarja e BE-së. Të gjithë, i madh e i vogël konstatojnë përditë e më shumë përkeqësimin e kushteve të jetës së përditshme në Tiranë, degradimin higjienik, ndotjen e ajrit, pluhurin dhe baltën rrugëve, ndotjen akustike, ndërtimet e lëna përgjysmë në të katër anët, si dhe vështirësinë për të qarkulluar në këmbë dhe mungesën e parqeve e lulishteve.