Lulzim Basha: “Në 4 vitet e ardhshme, ulje të taksave dhe ndërtim të shkollave të reja”

Alternativa e rikthimit të Tiranës në epiqendrën ekonomike e shoqërore të vendit mbërrin tek njësia bashkiake numër 9. Kandidati i PD-së për kryebashkiak detajoi projektin për disiplinimin e Lumit të Tiranës, një provë e shndërrimit të kësaj arterieje në një kancer për kryeqytetin
Kandidati i Partisë Demokratike dhe koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për Bashkinë e Tiranës Lulzim Basha ka dëgjuar gjatë bashkëbisedimit me banorët e njësisë numër 9 shqetësimet kryesore të tyre që janë mungesa e parkimeve, shkollave, kopshteve, rrugët e amortizuara dhe abuzimet me pronat.
Gjatë takimit, banorët janë shprehur se problemet që shqetësojnë ata edhe në këtë njësi janë strehimi e punësimi. “Nuk ecën kurrë dot këtu, ka mungesa parkimi”, tha një banor ndërsa një tjetër u shpreh se kishte mbyllur biznesin për pamundësi për të vijuar.
“Ne do t’i përvishemi punës që ti ta rihapësh përsëri dhe të marrësh prapë njerëz në punë. Do ulim taksat dhe do të japim të gjitha mundësitë”, u shpreh Basha.
Banorët e kësaj lagje folën për mungesat e mëdha të shërbimeve në jetën e tyre. “Kemi rrugën ‘5 Maji’ që s’ka shkollë, kemi rrugën ‘Besa’ që s’ka shkollë, kemi rrugën ‘Jordan Misja’ që nuk kemi shkollë”, tha një prej mësueseve të zonës.
Nga ana tjetër banorët autoktonë kërkuan zhvillimin lagjeve dhe garanci për pronat e tyre.
“Të siguroj që grabitjes së pronave do t’i japim fund njëherë e mire”, tha Basha i cili bashkëbisedoi me ta për një formë të manaxhimit të pronës private dhe rifitimit të hapësirave publike.
Edhe në këtë njësi Basha ka marrë falënderime dhe mirënjohje nga banorët për heqjen e vizave që mundësoi që ata të shohin fëmijët e tyre pas shumë vitesh. “Kam shkuar te vajza pas 17 vjet. Ju falënderoj shumë”, i tha Bashës një e moshuar në ditën e 9 të bashkëbisedimit të tij me banorët e kryeqytetit.
Lulzim Basha flet për projektin e Lumit të Tiranës
“Qyteti do të bëhet i jetueshëm për qytetarët”
Në ditën e 9 të turit të dëgjimit dhe bashkëbisedimit, kandidati për bashkinë e Tiranës Lulzim Basha ka vizituar ekspozitën e rreth 16 artistëve shqiptare ku ka shprehur angazhimin e tij për ndërtimin e galerisë së metropolit. Basha tha se Bashkia duhet të shohë artin në interes të qytetarëve dhe foli për projektin e tij për Lumin e Tiranës, i cili do kthehet një zonë rekreative dhe një mundësi ku arti mund të shkrihet me mjedisin.
“Gjelbërimi, marrëdhënia e artit me ambientin dhe me gjelbërimin, këtu qyteti është shumë mbrapa sepse në të gjithë Europën edhe në qendra të vogla me 20 mijë apo 30 mijë banorë, shikon që ky lloj arti është bërë pjesë organike e jetës qytetare. Nuk ka qytet që të mos ketë nevojë për këtë më shumë se Tirana e cila për shkak të zmadhimit të shpejtë ka humbur tiparet e qytetarisë në qendër dhe në periferi. Interesi i Bashkisë është që qytetin ta bëjë sa më të jetueshëm, ta bëjë sa më qytetar, t’i japë një fytyrë sa më qytetare. Jam i bindur dhe i vendosur për t’i vënë ato në dispozicion të artistëve dhe gjithë qytetarëve”, u shpreh Basha.
Kandidati për Bashkinë e Tiranë shtoi se Lumi i Tiranës do të jetë një korridor rekreativ për qytetarët e Tiranës, krejt ndryshe nga sa është sot.
“Sot lumi i Tiranës është një katastrofë e vërtetë nga çdo pikëpamje, pamore, e higjienës, e ndotjes ekologjike. Por me projektin që unë kam, ky korridor kthehet në rekreativ, me një kaskadë ujore e komplementuar me një korridor transporti me unazën e madhe por këtu në mes të korridorit të transportit, pjesa më e rëndësishme për mua është pjesa e korridorit rekreativ të lumit të Tiranës. Pikërisht këtu ne duhet të shfrytëzojmë të gjithë mundësinë për bashkëpunimin me artistët e kryeqytetit për t’i dhënë atë fytyre qytetare që sot i mungon Tiranës, për ta shtrirë në të gjithë qytetin”, deklaroi kandidati i “Aleanca për Qytetarin”, për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha.