E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Opozita, protestë përpara bashkisë së Tiranës

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Opozita zhvilloi sot protestën e radhës përpara bashkisë së Tiranës, ku kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Tubuesit bllokuan rrugën para bashkisë dhe ngritën një podium të improvizuar ku e morën fjalën përfaqësues politikë dhe qytetarë.

Policia siguroi ndërtesën e bashkisë me kordon policor, ndërsa pati debate mes shoferëve të bllokuar në rrugë dhe protestuesve.

Organizatorët e protestës u shprehën se autoritetet janë vënë në dijeni për protestën.

Sipas tyre, ata nuk marrin masa qëllimisht për të krijuar incidente mes protestuesve dhe drejtuesve të mjeteve dhe për të krijuar kaos.

Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi u shpreh se “është koha që shqiptarët t’i thonë “jo” zhvatjes së taksave të tyre.

Teksa ftoi qytetarët në protestën kombëtare të 8 shkurtit, Blushi theksoi gjithashtu se shpresa për një drejtësi të pavarur nuk ekziston.

“Në emër të PL, ne do marrim pjese në protestë, tubim për shqiptarët që duan të jetojnë të lirë, e që s’duan të vidhen e që kanë uri ulëritëse për drejtësi, që është kthyer në hanxhar në duart e Ramës”, tha Blushi.

Ndërsa këshilltarja e PD në bashkinë e Tiranës, Alba Kepi tha se Tirana është bërë kryeqendra e hajdutëve.

“Unë dua ta nis sot me një datë të rëndësishme, pasi më 31 janar 1925 asambleja kushtuese e parlamentit shqiptar shpalli Tiranën kryeqytet të Shqipërisë. Në çdo vend të botës kjo datë do të festohej. Por Tirana sot është bërë kryeqendra e hajdutëve”, tha ajo.

Aktori i mirënjohur, Mehdi Malkaj, në fjalën e tij tha se, “jemi vonë për 8 shkurt për protestën, është më mirë ta bëjmë më shpejt, se po marr për shembull ‘komshinjtë’ tanë që për 20 ditë e hoqën kryeministrin”.

“U kam thënë këtyre që janë këtu, shoferëve, fikni makinat dhe ejani këtu, por jo, nuk vijnë se janë ‘intelektualë’. Këtu te ne është çudi e madhe, pasi edhe krimi është ‘intelektual’”, tha ai. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›