E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Plug and Play” në Tiranë, Rama: Gur i rëndë kilometrik në rrugën e transformimit rrënjësor të Shqipërisë

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Platforma globale e zhvillimit të talenteve të teknologjisë, “Plug and Play”, ka zgjedhur Tiranën si qendrën e saj të 51-të në botë, për të mbledhur talentet e Ballkanit.

I pranishëm në këtë event te Piramida e Tiranës ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se pozicionimi i “Plug and Play”, platforma e mirënjohur globale për mbështetjen e start-up-eve, në Tiranë, është vërtetë një gur shumë i rëndë kilometrik në rrugën e transformimit rrënjësor të Shqipërisë dhe në të përpjetën që kemi akoma për t’u ngjitur në majën e 2030.

“Nuk besoj se gjenden në këtë qytet shumë njerëz që mund të ngrenë dorën dhe të thonë që: “Po, mua më kishte shkuar në mend që në vitin 2025 në Tiranë do të vinte të stacionohej Plug&Play”, një platformë globale që ka nxjerrë shumë kolosë të teknologjisë digjitale dhe që do ta zgjidhte Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, si qendrën e vet për këtë pjesë të botës, duke u bërë një portë e hapur për të gjithë vajzat dhe djemtë, jo vetëm të vendit tonë, por të gjithë rajonit që kanë ëndrra dhe ambicie për t’u bërë të mëdhenj në botën digjitale, ku askush nuk ka, as nga asnjë formë ose mënyrë asnjë pengesë të natyrës diskriminuese,” u shpreh Rama.

“Në këtë botë nuk ka rëndësi ku je, nuk ka rëndësi kush je, nuk ka rëndësi çfarë ngjyre ka lëkura jote, çfarë feje i përket apo nëse e mallkon Zotin nga mëngjesi deri në darkë, çfarë gjuhe flet, ka vetëm një gjë rëndësi, çfarë fantazie dhe aftësie ke për t’u dalluar nga të tjerët,” tha kreu i qeverisë.

“Nga ana tjetër, sigurisht që ka një gjë që duhet dhe gjëja që duhet është aksesi në hapësira si kjo e Plug&Play dhe unë jam shumë i emocionuar sot, jo se më kanë munguar eventet për të pasur emocione, por sepse në rastin konkret është vërtetë një gur shumë i rëndë kilometrik në rrugën e transformimit rrënjësor të Shqipërisë dhe në të përpjetën që kemi akoma për t’u ngjitur në majën e 2030,” nënvizoi Rama.

Gjatë fjalës së tij Rama nënvizoi edhe arritjet e kryera gjatë qeverisjes socialiste në fushën e teknologjisë dhe digjitalizimit.

“Sot jemi këtu, shumë pak orë më parë ishim në hapjen e derës së Institutit të Teknologjisë të Rochester-it, po në Tiranë. Një ditë më parë ishim në hapjen e derës së Qendrës së Trajnimit për Prodhimet Audiovizuale, edhe ajo me partnerë amerikanë nga Kalifornia, njerëz që vijnë nga industria më e madhe e prodhimeve audiovizuale në botë dhe po ashtu përfaqësues të kompanive të mëdha HBO, Netflix, e kështu me radhë që mbështesin qendrën,” u shpreh Rama.

“Jo shumë metra nga këtu po bëhet gati të hapë dyert “Shkolla 42” (Ecole 42), një tjetër hapësirë e jashtëzakonshme e krijuar në Francë që ofron edhe ajo mundësi njohjeje dhe dije për të gjithë ata që duan të eksplorojnë pafundësinë e botës digjitale. Pak metra të tjerë më lart, por në këtë rast duhen ngjitur shkallë është qendra e ekselencës për më të vegjlit, TUMO, e cila mirëpret shumë fëmijë dhe përfitoj nga rasti që ta përsëris që është në gjendje të mirëpresë akoma më shumë dhe të gjithë ata fëmijë nga 12 në 18 vjeç që dëshirojnë të hyjnë në botën e teknologjisë janë të mirëpritur dhe falë bashkëpunimit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan me bashkinë e Tiranës, kurset ofrohen tërësisht falas,” tha Rama.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›