E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita rinis protestat javën e ardhshmeNga Tema Partia Socialiste do të nisë protestat për hapjen e kutive të votimit, duke filluar që nga java e ardhshme. Burime pranë PS thanë dje se protesta do të zhvillohen më parë në rrethe dhe protes

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Opozita rinis protestat javën e ardhshmeNga Tema

Partia Socialiste do të nisë protestat për hapjen e kutive të votimit, duke filluar që nga java e ardhshme. Burime pranë PS thanë dje se protesta do të zhvillohen më parë në rrethe dhe protesta e mbylljes do të jetë më 21 dhjetor, në Tiranë. Vlora pritet të jetë qyteti që do të rinisë fazën e dytë të protestave të opozitës, për të vazhduar më pas me Shkodrën, Beratin e rrethe të tjera. Deputetët dhe zyrtarë të tjerë socialistë janë angazhuar në qarqet ku ata janë zgjedhur deputetë për të organizuar elektoratin socialist në protesta.

Rinisja e protestave të opozitës dëshmon se ende nuk ka shumë gjasa për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Socialistët nuk duket se po e mendojnë hyrjen në parlament, pasi të gjitha strategjitë e tyre lidhen vetëm me protesta. Më 21 dhjetor, socialistët mbyllin fazën e dytë të protestave të tyre, dhe më pas do të jetë fillimi i vitit të ardhshëm që do të sjellë një strategji të re të tyre për vazhdimin e veprimtarisë politike, në përpjekje për të mbërritur në qëllimin e tyre final, atë të hapjes së kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit ose, në të kundërt, rrëzimin e qeverisë Berisha.

Më 20 nëntor u mbyll faza e parë e protestave të opozitës nën moton, “Dua të shoh votën time”, fazë e cila u vlerësua si e suksesshme nga opozita, pasi protestat u mbështetën nga një numër i konsiderueshëm njerëzish. Protesta e 20 nëntorit dëshmoi për një mbështetje të gjerë të elektoratit tek opozita, në pretendimin e tyre për hapjen e kutive të votimit. Megjithatë, pas kësaj proteste, nuk pati asnjë reflektim nga ana e mazhorancës demokrate për uljen në bisedime me opozitën për të mbërritur në një marrëveshje për kërkesat e opozitës. Në të kundërt, kryeministri Berisha, qeveria e tij dhe deputetët e mazhorancës, ashpërsuan gjuhën politike ndaj opozitës, kryesisht ndaj kryetarit të PS, Edi Rama. Kryeministri Berisha dhe deputetët e mazhorancës demokrate prej disa ditësh kanë nisur një sulm të ashpër me akuza personale ndaj kryetarit të PS, Edi Rama.

Në këtë situatë, kur mazhoranca dhe opozita po vazhdojnë të qëndrojnë pa lëshuar pé, faktori ndërkombëtar ka shtuar thirrjet e tij drejtuar dy palëve që të ulen në bisedime për zgjidhjen e krizës politike në vend. Megjithatë, mazhoranca nuk ka dhënë asnjë shenjë të realizimit të kërkesave të opozitës, ndërsa krerët e kësaj të fundit po përgatiten për një tjetër seri protestash, të cilat duket se do ta ashpërsojnë më shumë krizën politike në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›