E Diel, 1 Nëntor 2026

Bollano: 3/5 e banorëve në jug kanë qenë grekëNga TemaVasil Bollano vazhdon që të bëjë publike tezat e tij antishqiptare. Ditën e djeshme ai ka pohuar se 3/5 e banorëve të jugut kanë qenë grekë. Deklarata e Bollanos është bërë në Ditën Ndërkombëtare

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Bollano: 3/5 e banorëve në jug kanë qenë grekëNga Tema

Vasil Bollano vazhdon që të bëjë publike tezat e tij antishqiptare. Ditën e djeshme ai ka pohuar se 3/5 e banorëve të jugut kanë qenë grekë. Deklarata e Bollanos është bërë në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Kreu i Bashkisë së Himarës pohoi se Shqipëria është banuar nga grekët që në shek e VII para Krishtit, ndërsa tha se ata janë edhe themeluesit e qytetit të Dyrrahut, Durrësit të sotëm. Bollano ka provokuar disa herë shqiptarët, madje edhe me heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin, emrin e të cilit e ka greqizuar në faqen zyrtare të Bashkisë së Himarës. Vetëm pak ditë më parë, Bollano u kallëzua penalisht për dhënien e disa lejeve të ndërtimit në Himarë dhe Jalë.

Pohimi

Kreu i OMONIA-s dhe Bashkisë së Himarës bën provokimin e radhës ndaj shqiptarëve, duke paraqitur të dhëna të kundërshtueshme dhe me frymë antishqiptare. Gjatë një tryeze të zhvilluar për të drejtat e njeriut dhe minoriteteve, Bollano ka vijuar tezat e tij të theksuara antishqiptare. Ai është shprehur se 3/5 e popullsisë së jugut në Shqipëri ka qenë e populluar nga grekët. Sipas Bollanos, shifrat e paraqitura nga institucionet shtetërore për praninë e minoritetit grek në jug të vendit janë të pasakta, pasi numri i tyre është shumë herë më i madh. Ky njeri, aq i diskutuar për urrejtjen e tij ndaj shqiptarëve, nuk është mjaftuar me grekët e jugut, por ka pohuar se shtrirja e tyre është e madhe në të gjithë Shqipërinë. Bollano u shpreh se grekët kanë qenë të pranishëm në tokën shqiptare që në shekullin e VII para Krishtit, madje kanë ndërtuar edhe qytetin antik të Dyrrahut, Durrësin e sotëm. Ai është përpjekur që edhe vllehtë, të cilët përbëjnë një pakicë të vogël minoriteti në Shqipëri, t’i fusë në grupin e minoritetit grek, të cilët në fakt kanë gjuhën dhe kulturën e tyre, e cila nuk ka asnjë lidhje me Greqinë. “Prezenca e grekëve në territorin që përbën shtetin shqiptar të ditëve të sotme mund të datohet që prej shekullit të VII para Krishtit. Që prej kësaj kohe ka pasur një prani të vazhdueshme dhe dinamike, por jo vetëm të përqendruar në jug, por ata përbënin tërësisht 3/5 e popullsisë, pa përfshirë grekët që flisnin gjuhën vllahe”, - deklaroi Bollano. Pohimi i këtij të fundit kurrsesi që nuk mund të merret si një gafë, pasi ajo është një deklaratë e qëllimshme, në kuadër të tezave që Bollano ka përsëritur kundër shqiptarëve. Ndërsa Bollano pohon faktin se grekët përbënin 3/5 e popullsisë në jug të Shqipërisë, një regjistrim i bërë mbi përqindjen e minoritetit në Shqipëri para viteve ‘90, e ka nxjerrë këtë shifër jo më shumë se 60 mijë, ndërsa pas nisjes së lëvizjeve migratore kjo shifër mendohet të jetë përgjysmuar. Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, i cili ka kërkuar nga kryeministri Berisha regjistrimin e minoriteteve në jug të vendit.

Bollano akuzohet për falsifikimin e dokumenteve për ndërtimet në Himarë dhe Jalë

Përveç akuzave për falsifikim të historisë së Shqipërisë, Vasil Bollano akuzohet nga Prokuroria e Vlorës edhe për falsifikim të dokumenteve për ndërtimet në Himarë dhe Jalë. “Nga hetimet e kryera, si dhe nga provat e mbledhura në kuadër të këtij procedimi penal, ka rezultuar e provuar se nga ana e të pandehurve janë kryer veprime në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës gjatë shqyrtimit dhe miratimit të disa lejeve për ndërtim në territorin e Himarës dhe Jalës”, - thuhet në kallëzimin penal të Prokurorisë së Vlorës në ngarkim të kreut të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Sipas prokurorisë, Bollano ka miratuar leje për sheshe ndërtimi dhe leje ndërtimi, në favor të personave jo pronarë të truallit, duke cenuar të drejtën e pronësisë së pronarëve të tyre. Gjithashtu, Bollano akuzohet se ka miratuar leje për ndërtim në zonat turistike, kur në ligjin për urbanistikën është sanksionuar se miratimi i lejeve të ndërtimit në zonat turistike është kompetencë vetëm e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. Bollano akuzohet edhe se ka miratuar leje për ndërtim për dy ose tri kate banimi me vendim të KRRT së Bashkisë së Himarës, ndërsa zbardhja e tyre nga Vasillaq Bollano, në cilësinë e kryetarit të KRRT, është bërë për tri ose katër kate banimi, duke falsifikuar të dhënat e formularëve të lejeve, si dhe falsifikuar nëpërmjet ndërhyrjeve mekanike procesverbalet e mbledhjeve të KRRT së Bashkisë së Himarës. Përveç akuzave të mësipërme, Bollano akuzohet edhe për miratimin e lejeve për shesh ndërtimi dhe leje për ndërtim në zona jashtë vijës së verdhë të qytetit të Himarës, si dhe pa pasur një studim urbanistik të miratuar për truallin ku janë miratuar lejet e ndërtimit. Prokuroria bëri me dije se kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasillaq Bollano, nuk është paraqitur asnjëherë para organit të prokurorisë për të dhënë shpjegime lidhur me faktet që i janë atribuuar gjatë gjithë fazës së hetimeve paraprake dhe as në përfundim të tyre. Prokuroria pohoi se regjistrimi i këtij procedimi është bërë mbi bazën e kallëzimeve penale të bëra nga shtetasit Pirri Cali, Anastas Cali, Theodhori Veizi dhe Anastas Llaguri, banues të Himarës dhe Jalës.

Dënimi i Bollanos dhe mbrojtja e kryeministrit Berisha

Kreu i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, është dënuar pak muaj më parë nga gjykata e Vlorës me 6 muaj burg dhe 500 mijë lekë të reja. Përveç kësaj, Bollano nuk duhet të ushtrojë funksione publike për tre vjet me radhë. Por vendimi deri më tani nuk është zbatuar, pasi nuk ka marrë formë të prerë. Vendimi ndaj Bollanos shkaktoi edhe reagime politike, teksa kryeministri Berisha doli në mbrojtje të tij. Berisha e dënoi vendimin e Gjykatës së Vlorës, edhe pse ajo provoi që ai kishte shkelur ligjet shqiptare. Shkak për nisjen e hetimeve për kreun e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, u bënë ankesat e disa banorëve të zonës, të cilët kanë njoftuar prokurorinë për dëmin e shkaktuar në heqjen e tabelave orientuese në aksin Qeparo-Qafë Llogora. Pas verifikimeve në terren, ka rezultuar se Policia Bashkiake e Himarës i ka hequr ato me urdhër të kryetarit, Vasil Bollano. Sipas hetimeve të organit të akuzës, kreu i Bashkisë së Himarës është përgjegjës për heqjen e tabelave orientuese (sinjalistikë) në gjuhën shqipe nëpër rrugët e bregdetit, nga fshati Qeparo deri në Qafë-Llogora. Nga verifikimet në terren, prokuroria bëri me dije gjatë procesit gjyqësor se rezultoi që dëmi ekonomik i shkaktuar nga ky akt ishte 21 milionë lekë. Bollano nga ana e tij është mbrojtur duke thënë se tabelat, përveç gjuhës shqipe, duhet të shkruheshin edhe në greqisht, pasi, sipas pretendimeve të tij, kjo zonë është e banuar nga minoritarë grekë. Për vendosjen e tabelave është organizuar tenderi prej 5.3 milionë lekësh, i zhvilluar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, me objekt vendosjen e sinjalistikës rrugore në aksin rrugor Orikum-Himarë-Sarandë -Butrint. Gjatë punës së saj, firma fituese e tenderit, “AGE & CO sh. p. k.”, ka hasur probleme me Policinë Bashkiake të Himarës, e cila nuk ka lejuar vendosjen e tabelave sinjalistike.

Gjergj Kastriotin Ballano e bëri Jorgji Kastrioti

Provokimet e Vasil Bollanos ndaj shqiptarëve nuk kanë ndalur, as kur është bërë fjalë për heronj kombëtarë, madje më të madhin që vendi ynë ka pasur, Gjergj Kastriotin. Disa kohë më parë, në site-in zyrtar të Bashkisë së Himarës, Bollano ndryshonte emrin e tij, duke e kthyer atë në Jorgji Kastrioti. Madje, ai nuk e ka quajtur Skënderbeun shtetas shqiptar, por si shqipfolës. “Më 1403, mbreti i Napolit, Karli, zbarkon në brigjet e Himarës dhe shtyn shqipfolësit në drejtim të veriut. Disa vite më vonë, himarjotët, të udhëhequr nga Jorgji Stresi (Gjergj Stresi), mik personal i Jorgji Kastriotit (Gjergj Kastriotit), përpiqen të ndalojnë zaptimin e Epirit nga otomanët. Mbas zaptimit të Krujës nga turqit, e vetmja krahinë e lirë në të gjithë Epirin mbetet Himara, e vetëqeverisur nën mbrojtjen veneciane. Më 1473, himarjotët me udhëheqës Vllasin sulmojnë turqit dhe me ndihmën e venedikasve zaptuan kështjellën Sopotos (Borshit të sotëm) dhe çliruan zonën nga Vlora në Sajadhë. Por, të tradhtuar nga venedikasit, bënë armëpushim të veçantë (pa venedikasit), me turqit. Më 1481, himarjotët bënë kryengritje kundër turqve nën udhëheqjen e Korkodhilllos Klladhas dhe djalit të Skënderbeut, Jani Kastrioti (Gjon Kastrioti). Me ndihmën e mbretit të Napolit dhe të udhëhequr nga Jani Kastrioti fituan pavarësinë, duke iu paguar turqve një taksë nënshtrimi”, - shkruhet historia sipas Bollanos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›