Bosch: Kohët e fundit, mungesë transparence në trajtimin e rasteve të dyshuara për korrupsionNga TemaKryetari i Prezencës së OSBE, ambasadori Robert Bosch, duke folur dje në tryezën e rrumbullakët “Së bashku në luftën kundër korrupsionit”, tha se, ku
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Bosch: Kohët e fundit, mungesë transparence në trajtimin e rasteve të dyshuara për korrupsionNga TemaKryetari i Prezencës së OSBE, ambasadori Robert Bosch, duke folur dje në tryezën e rrumbullakët “Së bashku në luftën kundër korrupsionit”, tha se, kur korrupsioni zë rrënjë, ai ka ndikim negativ në çdo aspekt të jetës.
“Korrupsioni shkatërron ekonominë e vendit, minon stabilitetin shoqëror dhe gërryen besimin e publikut. Korrupsioni ul të ardhurat nga taksat, fryn kostot e shërbimeve publike, shfytyron konkurrencën në sektorin privat, dhe në shfaqjen e tij më të shëmtuar i dënon me varfëri grupet vulnerabël të shoqërisë”, - tha Bosch.
Më pas kreu i prezencës përmendi disa masa që janë marrë nga qeveria për të luftuar korrupsionin.
“Me gjithë këto që përmenda, ne të gjithë e dimë nga një sërë raportesh të kohëve të fundit, disa nga autorët e të cilëve ndodhen me ne sot këtu, që korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë sektorë të jetës në Shqipëri”, - tha Bosch.
“Çfarë dua të them me këtë?
Për shkak të mungesës së transparencës dhe për shkak të një baze të paqartë ligjore për të përcaktuar qartë të drejtat e pronës, praktikat korruptive janë më të vështira për t’u ndaluar duke penguar arritjen e qëllimit për krijimin e një tregu funksional të tokës. Një shqetësim tjetër mbetet edhe transparenca e financimit të partive.
Megjithëse Kodi Zgjedhor parashikon që Komisioni Qendror Zgjedhor ka për detyrë të mbledhë bilancet financiare të partive politike, atij i mungojnë instrumentet e duhura për hetimin e burimeve të financimit, dhe mungon detyrimi për të raportuar dhurimet që vijnë nga sektori privat.
Veç kësaj, angazhimi i institucioneve në luftën kundër korrupsionit shpesh nuk reflektohet në mënyrën e duhur për zbatimin konsekuent të legjislacionit ekzistues dhe në zbatimin e tij të detyrueshëm.
Lufta kundër korrupsionit nuk mund të fitohet pa një gjyqësor funksional. Gjyqësori shqiptar duhet ta vendosë veten si një organ plotësisht të pavarur. Kjo do të thotë të pavarur nga ndikimet politike, por do të thotë gjithashtu edhe që gjyqtarët nuk mund të blihen apo t’u bëhet presion nga palët në gjykim. Vetëm një gjyqësor i tillë mund të trajtojë me efektivitet çështjet e korrupsionit që vijnë nga administrata publike”, - vijoi më tej ambasadori.
Bosch tha gjithashtu se kohët e fundit ka pasur mungesë transparence në hetimin dhe gjykimin e disa rasteve të dyshuara për korrupsion.
“Kohët e fundit kemi parë njëfarë mungese transparence në trajtimin e rasteve të dyshuara për korrupsion. Kjo gjë i sjell gjyqësorit një reputacion të keq. I krijon publikut përshtypjen se personat që mund të jenë fajtorë, nuk janë dënuar. Për më tepër krijon një hije dyshimi mbi personat e pafajshëm, të cilët janë akuzuar për korrupsion”, - tha Bosch.
Ambasadori i OSBE nuk la pa përmendur dhe rëndësinë e medies në këtë betejë. Ai tha se medies duhet t’i krijohet një mbrojtje e veçantë.
“Ky fjalim do të ishte i mangët pa e përmendur rëndësinë e medies së lirë si një instrument bazë për të krijuar më tepër transparencë në procesin vendimmarrës.
Media e lirë duhet të shërbejë si një mjet i fortë dhe i fuqishëm për të vënë në dukje korrupsionin e mundshëm në jetën publike dhe për këtë meriton një mbrojtje të veçantë.
Sidoqoftë, edhe mediet kanë përgjegjësi të raportojnë faktet dhe jo të marrin përsipër rolin e gjyqësorit”, - nënvizoi Bosch.
Ambasadorja britanike: Duhet të luftohet ndaj kulturës së mosndëshkimit
Ambasadorja Britanike, Fiona McIlwham, duke folur dje në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, theksoi kulturën e mosndëshkimit që po lind në Shqipëri.
“Progres-Raporti i 2009 i Komisionit Evropian për Shqipërinë flet për një “kulturë mosndëshkimi” në jetën publike dhe nevojën për të krijuar një praktikë bindëse dënimesh të rasteve të korrupsionit. Të hënën, ministrat e Jashtëm evropianë nënvizuan urgjencën e kësaj sfide. Lufta kundër korrupsionit është e rëndësishme, jo vetëm për të ardhmen e integrimit evropian të Shqipërisë, por për vetë popullin shqiptar. Korrupsioni ka një kosto shumë të lartë dhe njerëzore.
Ajo theksoi se, “qeveria britanike vazhdon të mbështesë autoritetet shqiptare dhe shoqërinë civile në këtë luftë, si një prioritet. Mbretëria e Bashkuar e shikon luftimin e korrupsionit brenda institucioneve të zbatimit të ligjit, duke përfshirë policinë dhe drejtësinë, si veçanërisht urgjente”.