“Opozita servir mashtrimet se Shqipëria është në krizë”

Akuzon Kryeministri në mbledhjen e qeverisë
TIRANE - Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, kreu i ekzekutivit Berisha u shpreh se opozita shqiptare nuk mund të ndërtojë alternativën e saj mbi zinë e mjerimin e sajuar dhe mashtrimin se Shqipëria është në krizë ekonomike.
Në këtë kontekst, Berisha tha se, “të gjithë ata që mendojnë në këtë mënyrë le t’i shtrojnë pyetjen vetes: kush do të ishte ai institucione ekonomik ndërkombëtar që do të blinte me 104 milionë euro sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike të Shqipërisë, me një çmim qartësisht 30 deri në 40 për qind më të lartë se të gjitha privatizimet e bëra në rajon, kush do të ishte ai që do të ofronte kredi Shqipërisë, sipas kërkesës së saj, në rast se nuk do të kishte besim të plotë në potencialin e saj ekonomik dhe kush do të ishte ai që do të pranonte të blinte 12 për qind të aksioneve të AMC-së, pasi është në shqyrtim tashmë edhe licenca e katërt telefonike, një blerje kjo me 48 milionë euro?. Në një kohë krize nuk do të kishte financier, bankier, ekonomist, sipërmarrës që të mund të merrte një vendim të tillë”, nënvizoi kryeministri.
“T’u biesh borive të mjerimit, vetëm për karrigen tënde, ta ëndërrosh krizën si një mekanizëm për të ndërtuar pushtetin tënd, kjo është në radhë të parë, cinizëm ekstrem dhe çnjerëzim maksimale, një mashtrim i turpshëm”, theksoi kryeministri.
Në këtë kontekst, Berisha tha se në mënyrë absolute, nuk ka thënë dhe nuk mund të thotë njeri se pasojat e krizës nuk do të mund të prekin Shqipërinë, pasi sigurisht që ulja e kërkesës botërore ka ndikim direkt në eksportet e Shqipërisë.
Duke iu përgjigjur pretendimeve të opozitës për mungesën e një pakete konkrete të qeverisë shqiptare në rast krize, kryeministri bëri të qartë se qeveria shqiptare e ka vënë në zbatim këtë paketë fiskale antikrizë dy vjet më parë.
Kryeministri tha se janë tre arsye të forta që kanë bërë të mundur që Shqipëria të mos jetë në krizë, që janë edhe shtyllat kryesore të kësaj pakete antikrizë.
Së pari, ekonomia shqiptare nuk është në krizë, sepse kriza e gjeti këtë ekonomi si vendin me taksa më të ulëta në Evropë.
Kreu i ekzekutivit tha se, qeveria shqiptare po rrit investimet dhe në vitin 2008 ajo ka investuar 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, apo 32 për qind të buxhetit, u shpreh kryeministri, duke nënvizuar se kjo nismë është një shtyllë kryesore e paketës antikrizë të qeverive aktuale. Gjithashtu, kryeministri tha se qeveria ka ndjekur politikën e rritjes së rrogave dhe pensioneve, si element bazë për të rritur fuqinë blerëse.
Berisha theksoi se qeveria ka mbështetur sektorin e ndërtimit.
Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se zhvillimet pozitive të javës së fundit, privatizimi i sektorit të shpërndarjes së energjisë, shitja e 12 për qind të aksioneve të qeverisë në AMC dhe përfitimi i rreth 250 milionë euro kredi nga banka të mëdha ndërkombëtare për Shqipërinë, shprehin besimin e madh të komunitetit ndërkombëtar të biznesit ndaj ekonomisë shqiptare.
Ndërkohë opozita ka vazhduar sërish dje të abuzojë me krizën ekonomike.
Partia Socialdemokrate ka shprehur dje shqetësimin në lidhje me krizën ekonomike që prej disa muajsh ka përfshirë mbarë vendet e zhvilluara të botës.
Në emër të PSD, nënkryetari, Ëngjëll Bejtja, tha se “shqetësimi ynë bëhet edhe më i madh kur konstatojmë se kriza është shumëplanëshe, sepse ajo është një krizë sa ekonomike, aq edhe sociale”.
Duke iu referuar masave për parandalimin e saj që një sërë vendesh kanë ndërmarrë, Bejtja u shpreh se “vende të zhvilluara evropiane, midis tyre edhe fqinjët tanë, kanë filluar të projektojnë paketë masash antikrizë , në mënyrë që të kenë edhe ndihmën financiare të institucioneve ndërkombëtare”.
Nga ana e saj, Partia Socialiste ka ngritur dje shqetësimin e saj rreth përdorimit të fondeve publike, duke pretenduar se ato po për keqpërdoren nga qeveria, e cila sipas tyre po i përdor ato për fushatë elektorale.
Deputeti i selisë rozë, Besnik Dervishaj gjatë një konference për shtyp deklaroi dje se “qeveria po keqpërdor investimet publike për fushatë elektorale, sepse po përmenden vetëm shifra të milionave të tenderave të kryera , ose ndonjë prerje shiriti, ndërkohë që mund të kishim edhe ndonjë kilometër rrugë më shumë”.