Me legalizimet dhe reformën e pronësisë, hapet rruga për krijimin e qyteteve-metropole
Kryeministri Sali Berisha shpërndan lejet e para të legalizimeve dhe premton përfundimin e procesit në një afat shumë të shkurtër kohor, duke sjellë dobi të mëdha për qytetet e mëdha, të cilat po shkojnë me shpejtësi drejt urbanizimit
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje në ceremoninë e shpërndarjes së Lejeve të Legalizimit për një numër objektesh të formalizuara, se zgjidhja e problemit të legalizimeve është një kusht vendimtar në reformën e pronësisë dhe se qeveria ka ndërtuar përballjen ligjore më miqësore ndaj problemit të legalizimeve.
“Reforma e pronësisë është reforma e themelit të sistemit që ne ndërtojmë. Në këtë aspekt asnjë reformë tjetër nuk ka rëndësinë e saj. E vërteta është se në Shqipëri problemi i legalizimeve mori përmasa të paimagjinueshme. Përmasat e tij kanë krijuar probleme serioze urbanistike, por kjo përbën një nga zhvillimet më të rëndësishme në historinë e këtij vendi. Është ky fenomen që Tiranën, e cila për 40 vjet mbeti tek 200 mijë banorë e ka trefishuar sot. Është ky fenomen që qytetet tona të mëdha Durrësin, Shkodrën, Elbasanin, Fierin, Vlorën Korçën, Beratin i ka ridimensionuar dhe unë mund të them se vështirësitë e pamohueshme që ka krijuar janë dhe do të jenë aq kalimtare dhe të parëndësishme në krahasim me dobitë e mëdha të këtij fenomeni”, tha kryeministri Sali Berisha.
Kryeministri u shpreh se legalizimi në ecurinë e tij, zvogëlon çdo ditë e më shumë Shqipërinë rurale dhe e shndërron atë në Shqipëri urbane dhe është ky fenomen që fuqizon potencialet e qyteteve.
Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale ka shpërndarë dje 60 leje legalizimi për disa objekte informale, në kuadër të procesit të legalizimit kudo që ato ndodhen nga të gjitha qarqet e vendit. Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Shaban Memia theksoi se janë plotësuar të gjithë komponentët e domosdoshëm ligjorë dhe është bërë e mundur pajisja e poseduesve të tyre me lejen e legalizimit për 4 504 pasuri informale. “Është përgatitur dokumentacioni teknik dhe janë bërë përllogaritjet mbi detyrimet financiare për 12 297 objekte informale, një pjesë e poseduesve të të cilëve kanë nisur shlyerjen e detyrimeve”, vijoi Memia.