E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita sot në parlament, nismë për hapjen e kutive

TIRANE- Pas 6 muajsh mungesë në Kuvend, deputetët socialistë do të rikthehen pasditen e sotme në sallën e Kuvendit. Vendimi u deklarua dje pasdite nga kreu socialsit Edi Rama pak përpara se të zhvillohej mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Zoti Rama theksoi ndër të tjera dje se është gati celësi i kthimit të opozitës në Parlament, por i takon maxhorancës, të vendosë nëse e do apo jo opozitën në sallë apo e do bashkë me popullin në rrugë, deri kur në këtë vend të rivendoset një e drejtë, që ne nuk kemi ndërmend ta lëmë peng për asnjë arsye në botë” .

Deputetët socialistë pritet të depozitojnë sot në seancën plenare dy nisma ligjore që kanë të bëjnë me hetimin e zgjedhjeve. Pas betimit dhe marrjes ligjërisht të mandatit të deputetit, pritet që Fatmir Xhafa të sqarojë para maxhorancës dy projektet e socialistëve.

Burimet nga PS-ja sqaruan për “Gazeta Shqiptare” se, bëhet fjalë për një nismë që propozon ngritjen e një komisioni të posaçëm vetëm për hetimin e transparencës së zgjedhjeve të qershorit 2009, ku objekti i hetimit të jetë i pakushtëzuar. Këtu bëhet fjalë për një projekt me 7 deri në 8 nene, ku thelbi është hapja e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërsa nisma e dytë është më e gjerë, dhe parashikon që çdo parti parlamentare të ketë të drejtë të bëjë transparencë zgjedhore dhe të ketë shumicën në komisionin hetimor. Kjo, sipas sqarimit ligjor të socialistëve, ka vlerë deri në gjashtë muaj nga dita e zgjedhjeve. Një tjetër propozim i kësaj nisme të dytë, është që shumicën e komisionit dhe kryetarin ta ketë partia më e madhe e opozitës. Kjo lë të hapur mundësinë që kurdo që të kërkohet të hapen kutitë, kjo të sanksionohet me ligj. Nismat pritet të saktësohen gjatë ditës së sotme, dhe sidomos pasdites në sallën e seancave, kur deputetët socialistë do t’i depozitojnë dhe më pas do të largohen, në pritje të një përgjigjeje nga ana e maxhorancës parlamentare.
(s.g/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›