E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjetja e eshtrave, ngrihet Task-Force

TIRANE- Qeveria vendosi dje krijimin e Task-Forcës për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist.

Disa ditë më parë, familjarë të viktimave të regjimit komunist gjetën, gjatë gërmimeve në një vend në malin e Dajtit, eshtrat e rreth 19 personave, të cilët mendohen se janë ekzekutuar nga regjimi diktatorial gjatë viteve 1970-1980.

Në bazë të projektligjit që do t’i paraqitet për miratim Kuvendit, ky organ do të kryesohet nga zëvendësministri i Brendshëm dhe do të ketë në përbërje drejtorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, të Arkivës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Arkivës së Ministrisë së Brendshme; Arkivit Qendror në Ministrinë e Mbrojtjes, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nëndrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, nëndrejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore; kryetari i Institutit të të Përndjekurve Politikë.

Sipas draftit të propozuar, “në mbledhjet e Task-Forcës ftohen të marrin pjesë përfaqësues të sistemit të Drejtësisë dhe të institucioneve të tjera të interesuara, kur çmohet se pjesëmarrja e tyre do jetë e vlefshme për përmbushjen e misionit të saj”. Task-Forca ndihmohet nga sekretariati teknik, i cili ka në përbërje një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë; nga Drejtoria Juridike në Ministrinë e Brendshme dhe një përfaqësues nga Policia e Shtetit.

Kryetari i Task-Forcës raporton me shkrim, pas çdo mbledhjeje, pranë kryeministrit lidhur me ecurinë, problematikat e hasura, masat e ndërmarra dhe rezultatet konkrete të arritura.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›