E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi dekreton moratoriumin e skafeve

TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekretoi dje ligjin “Për moratoriumin e mjeteve motorike lundruese të Republikës së Shqipërisë”.

Ky ligj, që u miratua nga parlamenti më 4 shkurt, synon të zbatohet edhe për një periudhë 3-vjeçare. Me 72 vota pro, maxhoranca ra dakord për miratimin e tij me ndryshimin e propozuar për heqjen e motorëve të ujit, njohur ndryshe si skuterave, nga një penalizim i tillë.

Kanë qenë deputetët e maxhorancës në komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, që e kanë cilësuar si të tepërt moslejimin në qarkullim të motorëve të ujit. Për këtë, ata insistuan që të ndryshohej.

Partia Socialiste e konsideron si antikushtetues moratoriumin e skafeve. Përmes disa deklaratave për shtyp, selia rozë i ka kërkuar Presidentit të Republikës që të mos e dekretojë një ligj të tillë. Përndryshe opozita ka paralajmëruar se do të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese që ta shpallë antikushtetues një ligj të tillë.

Fillimisht projekti për moratoriumin anti-skaf u iniciua nga qeveria në vitin 2006, pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike, me qëllim luftën pa kompromis kundër krimit dhe trafiqeve ilegale në det. Pas tre vjetësh, me skadimin e afatit fillestar, në vijim të politikës së saj për zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, qeveria vendosi ta zbatojë edhe për tre vjet të tjerë.

Ligji parashikon që gjatë tre viteve të ardhshëm të ndalohet qarkullimi i mjeteve motorike lundruese shqiptare në ujërat territoriale dhe të brendshme të Republikës së Shqipërisë. Nga ky moratorium, veç motorëve të ujit që përdoren gjatë sezonit veror, përjashtohen edhe mjetet motorike lundruese në përdorim të organeve shtetërore dhe të shërbimeve portuale, mjetet e destinuara vetëm për peshkim, mjetet e transportit detar etj.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›