Greqi, maskat sulmojnë tre autobusë me shqiptarë

Rreth 100 pasagjerë që udhëtonin me autobusë të linjës Athinë-Tiranë kanë rënë pre e personave të armatosur në orët e para të ditës së diel
GREQI - Pasagjerë të tre autobusëve të linjës Athinë - Tiranë kanë qenë pre e një sulmi pak minuta pasi kishte hyrë dita e diel, ndërkohë që tre prej tyre kanë mbetur të plagosur me armë.
Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Agrinios, pikërisht në lokalin e quajtur "Ora 24", ku tre persona të armatosur dhe të maskuar kanë sulmuar emigrantë shqiptarë të cilët i ishin drejtuar shtetit shqiptar dhe që po bënin pushimin pak para hyrjes në doganë.
Burimet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke iu referuar njoftimit të policisë greke, shprehen se ngjarja ka ndodhur 330 kilometra nga Athina, në qytetin e Agrinios, ku disa persona të armatosur dhe me maska kanë sulmuar një lokal ku ishin ndaluar tre autobusë të linjës Athinë - Tiranë.
Bëhet e ditur se si pasojë e këtij sulmi kanë mbetur të plagosur shtetasit shqiptarë: Efimi Bika, 66 vjeçe, lindur në Përmet, Vangjel Stavro, 15 vjeç, lindur në Athinë dhe Soni Hodaj, 28 vjeç, lindur në Fier.
Burimet zyrtare të ministrisë shprehen se ngjarja është ndjekur nga ambasada shqiptare në Athinë dhe Konsullata e Përgjithshme në Janinë, të cilët kanë marrë kontakt të vazhdueshëm si me autoritetet policore, spitalore, ashtu dhe me spitalin e Agrinjos, ku ndodhen të shtruar tre shtetasit shqiptarë.
Mësohet se në gjendje më të rëndë ka qenë shtetasja Efimi Bika, e cila iu nënshtrua menjëherë një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërsa gjendja e të tre shtetasve është tashmë jashtë rrezikut për jetën.
Dëshmia e pasagjerit: Rrezikojnë të na vrasin
Burime nga policia e Gjirokastrës bëjnë të ditur se ka qenë pikërisht kjo e fundit e cila ka njoftuar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit e më pas policinë greke lidhur me grabitjen e ndodhur.
Mësohet se një shtetas në orët e para të së dielës ka marrë në telefon sallën operative të policisë në Gjirokastër dhe ka njoftuar se nipi i tij i cili po udhëtonte nga Athina drejt Tiranës e kishte telefonuar duke i kërkuar që të njoftohej policia për një grabitje që po ndodhte në qytetin e Agrinios.
Mësohet se pasagjeri që ka marrë në telefon ka deklaruar se personat e armatosur dhe të maskuar rrezikonin që t'i vrisnin pasi kishin qëlluar. Sipas tij, ata kishin shkuar me qëllim që të grabisnin vetë pasagjerët e linjës Athinë-Tiranë.
Ndërkohë, menjëherë më pas është njoftuar policia greke, si dhe Policia e Shtetit shqiptar, duke bërë kështu ndërlidhje të veprimeve. Burime nga policia e Gjirokastrës shprehet se dyshohet dhe që një nga synimet e grabitësve të ketë qenë arka e lokalit i cili funksiononte 24 orë dhe që në atë kohë kishte mbi 100 pasagjerë që ishin nisur për në Shqipëri dhe që kishin ndaluar.
Bëhet e ditur fillimisht para lokalit kanë qenë të ndaluar dy autobusë të linjës e më pas ka mbërritur një i tretë. Plumbat nga tre personat e maskuar dhe të armatosur, sipas burimeve nga policia, janë qëlluar në ajër, por mund të kenë bërë rikoshet, çka ka çuar edhe në plagosjen tre shtetasve shqiptarë. Por dyshohet që një gjë e tillë të jetë bërë edhe për presion.