“Opozita të pranojë zgjidhjen që ofron ligji dhe kushtetuta”
Apelon kreu i diplomacisë europiane, Catherine Ashton
Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka bërë thirrje dhe njëherë se qeveria dhe opozita në Shqipëri, duhet t’i japin fund ngërçit politik, duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën. Ajo i ka kujtuar opozitës se situata politike mund të zgjidhet, vetëm brenda tagrit që të ofron ligji dhe kushtetuta.
Reagimi i Ashton vjen pas deklaratave të Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule.
Përmes zëdhënëses së saj Maja Kocijançiç, Ashton tha se kishte mbështetur gjithashtu iniciativën e Parlamentit Europian në 20 maj.
“Në mënyrë që të gjendet zgjidhja ndaj këtij ngërçi politik, dhe për të çuar përpara reformat që janë të domosdoshme për Shqipërinë që të bëjë progres drejt BE-së, tashmë e ka në dorë qeveria dhe opozita që të gjejnë zgjidhjet, në mënyrë transparente e duke respektuar kushtetutën e vendit”, tha zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijancic.
Pyetjes se çfarë pasojash do të ketë në të kundërt për Shqipërinë, zëdhënësja theksoi se BE është e shqetësuar për vazhdimin e ngërçit aktual politik pasi nuk nxit klimën e nevojshme për të çuar përpara reformat që kërkohen.
“Për këtë arsye mbështetëm iniciativën lehtësuese të Parlamentit Europian, e cila na vjen keq që nuk mundi të ndihmojë për të sjellë një zgjidhje, por siç e thashë, tani varet nga qeveria dhe opozita që të gjejnë një rrugë bashkë sesi të ecin përpara. Mesazhi ynë është i qartë. Ne mbështetëm iniciativën e Parlamentit për të gjetur një zgjidhje. Tani i takon qeverisë dhe opozitës. Nevojitet që ata të punojnë bashkë për të përparuar”, theksoi Kocijancic.