“Pavarësia e Kosovës, një nga faqet më të shkëlqyera të historisë së kombit”
Kryeministri Sali Berisha dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli takon pilotin e njohur kosovar me banim në SHBA, James Berisha, i cili promovon përmes fluturimit pavarësinë e Kosovës -
Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim James Berisha, pilotin e njohur kosovar me banim në SHBA, i cili në kuadër të misionit "Të fluturosh për Kosovën" prej më shumë se një vit përshkon me avionin dhe ekuipazhin e tij kontinente të tëra për të promovuar pavarësinë e Kosovës.
Sipas zyrës së shtypit pranë qeverisë, Kryeministri Berisha vlerësoi këto përpjekje për njohjen e Kosovës, duke e cilësuar pavarësinë e saj si një nga faqet më të shkëlqyera të historisë së kombit shqiptar.
"Pavarësia e Kosovës është shpërblimi më i mirë për tërë ato breza që u flijuan, u sakrifikuan dhe u shkrumbuan, pa mundur ta shohin dot të realizuar ëndrrën e tyre për një Kosovë të pavarur", tha Kryeministri Berisha.
Ai theksoi se misioni i pilotit James Berisha ka pasur një jehonë botërore dhe është një tregues i shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve, të cilët pas shumë vitesh përpjekjesh kanë kristalizuar genin e mbijetesës.
"Qeveria e Shqipërisë do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të kapur vitet e gjata të humbura nga ndarja mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke bashkëpunuar ngushtë në të gjitha fushat", tha Kryeministri Berisha.
Piloti me famë ndërkombëtare, James Berisha shprehu mirënjohjen për kontributin e qeverisë shqiptare në pavarësinë e Kosovës dhe në zhvillimin e mëtejshëm të saj, duke u ndalur veçanërisht edhe në rëndësinë historike të ndërtimit të rrugës Durrës-Morinë.
Ai e njohu Kryeministrin Berisha me vendimin për të vazhduar udhëtimin e tij misionar “Të fluturosh për Kosovën” edhe në 54 shtete të kontinentit afrikan.
Edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti sot pilotin shqiptar nga Kosova, James Berisha, i cili me avionin personal udhëton nëpër botë për të lobuar për pavarësinë e Kosovës.
Sipas një njoftimi për shtyp nga Kuvendi, Kryetarja Topalli i përcolli pilotit Berisha urimet dhe vlerësimet më të mira për këtë ide të jashtëzakonshme për promovimin e shtetit të Kosovës
"Vullneti dhe dashuria e admirueshme e pilotit Berisha për Kosovën dhe shqiptarët është impresionuese dhe një shembull frymëzimi për të gjithë", u shpreh Topalli.
Piloti me origjinë nga Rahoveci, James Berisha, duke i shpjeguar Kryetares së Kuvendit projektin e tij, tha se nisma "Unë fluturoj për Kosovën" është një rrugëtim i gjatë ajror, deri tashmë në 44 shtete, ku ai dhe mbështetësit e tij takohen dhe me personalitetet më të larta të çdo vendi.
Piloti Berisha i shprehu Kryetares së Kuvendit mirënjohjen e thellë në emër të shqiptarëve të Kosovës për lobimin dhe mbështetjen e përditshme në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, në komunitetin ndërkombëtar.