“Opozita të sjellë emrat për delegacionin”
25/01/2010 Përbërja e delegacionit shqiptar, Kryetarja e Kuvendit sqaron letrën drejtuar KiE-së
Asambleja parlamentare do të diskutojë më 28 janar draftrezolutën për Shqipërinë
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka nisur në mënyrë mediatike ftesën drejtuar opozitës shqiptare për të përcaktuar emrat e saj për delegacionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës, Asamblesë së NATO-s, Asamblesë së OSBE-së dhe institucione të tjera. Përmes një njoftimi për shtyp, ky institucion ka sqaruar në rreshtat e parë interpretimet e ndryshme mbi përfaqësimin e opozitës në delegacionin shqiptar, që do të marrë pjesë në mbledhjen më të afërt që pritet të zhvillohet në Këshillin e Evropës më 28 janar. Në këtë delegacion përveç Ilir Rusmalit, Lajla Përnaskës, Arenca Trashanit dhe Mesila Dodës si përfaqësues të Partisë Demokratike, është përfshirë edhe deputeti i PDU-së, Shpëtim Idrizi, si përfaqësues i opozitës, dhe deputeti i PS-së Kastriot Islami. Ky i fundit ka qenë anëtar i këtij delegacioni këto vite dhe sipas Kuvendit, ai do të qëndrojë si anëtar i këtij delegacioni deri në momentin e zëvendësimit nga PS-ja. “Mazhoranca nuk cakton emrat e opozitës në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Zoti Kastriot Islami ka qenë anëtar i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe mbetet deri në momentin që opozita do të caktojë emrat për këtë delegacion”, thuhet në njoftimin e Kuvendit. Duke qenë se Islami nuk ka marrë mandatin e deputetit për shkak të mosbërjes së betimit si gjithë grupi parlamentar i PS-së, ai nuk do të shkojë të përfaqësojë Shqipërinë në këtë delegacion. Në këtë mënyrë kriza politike në vend dhe bojkoti i opozitës janë reflektuar në paraqitjen e delegacionit të vendit tonë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg. Kryeparlamentarja mësohet që përbërjen e re tia ketë njoftuar Këshillit të Evropës me një letër, ndërkohë që Kuvendi nuk është njohur më parë me këtë lloj njoftimi. Por për këtë çështje Topalli nuk ka bërë asnjë sqarim në njoftimin e saj për shtyp. Neni 7 i Rregullores së Kuvendit ia njeh Kryetarit të Kuvendit përcaktimin e delegacioneve shqiptare, përfaqësuese në institucionet ndërkombëtare si një kompetencë, por sqaron edhe rrugën që duhet ndjekur në këtë rast. “Kryetari i Kuvendit, në këshillim me kryetarët e grupeve parlamentare, përcakton listën e anëtarëve dhe të kryesive të delegacioneve të përhershme të Kuvendit pranë organizatave ndërkombëtare. Përbërja e delegacioneve pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit. Lista e anëtarëve të delegacioneve të përhershme dhe çdo ndryshim i mëvonshëm në to i njoftohen Kuvendit në seancën plenare më të parë. Në rast kundërshtimesh, Kuvendi vendos me votim të hapur”, thuhet në pikën 3 të këtij neni. Ndërkohë që në bashkëpunim me Sekretariatin për Marrëdhëniet me Jashtë, Kryetari i Kuvendit cakton delegacionet e përkohshme, që përfaqësojnë Kuvendin në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Precedenti
Një vit më parë Kryetarja e Kuvendit shkaktoi polemika në politikën shqiptare për mënyrën se si shkarkoi dhe zëvendësoi në të njëjtin delegacion deputetin e partisë së saj, Aleksandër Biberajn. Ai e akuzoi Topallin se ka vepruar në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.
Asambleja
Punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të nisin që sot punimet e tyre për të vijuar deri më 28 janar, kohë kur do të votohet edhe projektrezoluta e Këshillit të Evropës për vendin tonë. Ky draft ka një sërë rekomandimesh për politikën shqiptare.