ALUIZNI në Durrës: Aplikoni në hipotekë
25/01/2010 Bëhen të ditur emrat e atyre që përfitojnë nga legalizimet
Apeli për shkak të ngadalësisë së ecurisë së procesit
DURRES- Drejtoria e ALUIZNI-t në Durrës ka vendosur të bëjë publike të gjitha listat e gatshme me emrat e personave që duhet të drejtohen tek specialistët apo në hipotekë për certifikatën e pronësisë. Ngadalësia në veprime e qytetarëve aplikues për të legalizuar ndërtimet pa leje në zonën informale të Durrësit ka shtyrë ALUZNI-n të shpallë listën. Një ditë kjo drejtori ka bërë të ditur se 56 kryefamiljarë mund të marrin certifikatën e pronësisë së banesës së tyre sapo të paraqiten në zyrën e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme. Nga ana tjetër 15 emra të listuar janë kërkuar nga drejtoria në Durrës për t’u bërë objekt i tërheqjes së lejes së legalizimit, fazë e cila pason me atë të përfitimit të certifikatës së pronësisë nga hipoteka. Andi Lila, drejtor i ALUIZNI-t, ka bërë të ditur se ritmi i punës së specialistëve është shumë më i lartë sesa interesimi i qytetarëve për të përfituar pronësinë e ndërtimit që kanë bërë pa leje. Disa herë Lila ka organizuar takime në komunitet për të ndërgjegjësuar aplikanët lidhur me procesin e legalizimit. Të parët përfitues nga ky proces në Durrës janë banorët e ish-Kënetës, të cilët pas legalizimit pritet të përfitojnë fonde të konsideruara në drejtim të rehabilitimit të infrastrukturës rrugore, ujit të pijshëm, kanalizimeve, gjelbërimit, ndriçimit rrugor dhe shërbimeve në arsim e shëndetësi. XH. Gradica