“Opozita të votojë ‘imunitetin’ në 6 gusht”

Apelojnë Jozefina Topalli, kryetare e Parlamentit dhe ambasadorët Wollfarth dhe Holtkemper
“Shpresojmë që më 6 gusht të votojmë imunitetin”.
Kështu u shpreh dje Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, në konferencën për Kodet dhe Etikën Parlamentare, në të cilën ishin të pranishëm edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth dhe ambasadorja gjermane Karola Holtkemper.
Në fjalën e saj Kryeparlamentarja Topalli e cilësoi heqjen e imunitetit një çështje themelore dhe se shpreson që ai të votohet më 6 gusht.
Ndërkaq duke folur për kodet dhe etikën parlamentare Kryeparlamentarja tha se standardet etike parandalojnë korrupsionin, ndërsa e cilësoi rregulloren e parlamentit një dokument themelor reference. Topalli tha se Parlamenti është institucioni kyç në një sistem demokratik. Topalli tha se rregullorja e Kuvendit i ka dedikuar një hapësirë të veçantë rregullit dhe sjelljes së jetës parlamentare.
Ndërkohë, kreu i prezencës së OSBE, Eugen Wollfarth dhe ambasadorja gjermane në Tiranë, Karola Holtkemper kërkuan zbatim të kodit të etikës në jetën parlamentare.
Duke vlerësuar etikën parlamentare si thelbin e qeverisjes demokratike, ambasadori Wollfarth dhe ambasadorja gjermane theksuan se zbatimi i kodit të etikës do të përmirësonte imazhin e ligjvënësve shqiptar. Ndërsa ambasadorja Holtkemper gjatë fjalës së saj u ndal edhe tek çështja e heqjes së imunitetit, duke kërkuar që palët më 6 gusht të miratojnë projektligjin. Holtkemper vuri theksin te plotësimi i kuadrit të reformave për hir të axhendës së integrimit evropian.