Opozitë me intervista
Ka ca kohë që zyrtarë të Partisë Socialiste refuzojnë të dalin me zë dhe figurë, tek xhami i shtypit, për të artikuluar qëndrimin publik të opozitës ndaj politikave të qeverisë Berisha, dhe koalicionit PD-LSI si shumicë parlamentare. Një thagmë që vetëm sezoni i verës mirëkupton.
Mirëpo për të plotësuar planin e punës socialistët dhe Edi Rama kanë vendosur të bëjnë opozitë me intervista. Intervista është zhanër shumë i popullarizuar gazetaresk. Rrjedh nga anglishtja dhe do të thotë takim ose bisedë. Dhe opozita e ka shfrytëzuar në maksimum këtë zhanër për të prodhuar safi politikë.
Javën e fundit kemi parë ose lexuar në media përfaqësues të opozitës të japin intervista, që sidozot janë mesazhe të drejtpërdrejta politike, për shembull, Spartak Ngjela “një prej aleatëve të kreut të PS-së, Edi Rama vlerëson se në këtë kohë fjalët janë të tepërta”. Afërmendsh Ngjela kundërshtonte me një intervistë Edi Ramën, që një ditë më parë në një intervistë për “shekullin”, deklaronte se “vjedhjen e zgjedhjeve duhet ta paguajë Saliu duke ikur, jo Shqipëria duke u djegur”, por Ngjela mendon ndryshe. Për Ngjelën në kundërshtim me ish-piromanin “Shqipëria duhet të digjet”, apo të sekuestrohet si në dy vitet e fundit. Sipas tij, opozita duhet të vijojë vetëm rrugën e forcës, në të kundërt “gjithë rrugët e tjera janë sorollatje nëpër kallamishte”.
Edhe sipas aleatit Skënder Gjinushi, që në një intervistë të para dy ditëve theksonte se “kjo s’është Opozitë”. Aleati më i vjetër i Partisë Socialiste, Skënder Gjinushi, është rreshtuar mes të gjithë faktorëve opozitarë, të cilët kundërshtojnë strategjinë që po ndjek Edi Rama. Në këtë intervistë Gjinushi shprehet se “Opozita nuk ka të drejtë, ka detyrim të mbrojë votën e qytetarëve”. Sikurse aleati tjetër i opozitës Paskal Milo thotë po në një intervistë se “Rama ka mjaft cilësi të mira, por unë në mënyrë shoqërore do t’i nënvizoj një dobësi tashmë të njohur në praktikën e marrëdhënieve me të: Është i pavëmendshëm... nënvleftëson kontaktet, i bën ato kur e ka litarin në fyt”. Gjithsesi e kuptoni vetë se çfarë mendimi dhe besimi kanë aleatët për Ramën, si drejtues i pavendosur dhe i paqartë, që nuk frymëzon askënd.
Megjithatë po ndryshe nga aleatët e majtë dhe lideri i opozitës, Edi Rama, mendojnë edhe kundërshtarët e tij të brendshëm, Andis Harasani, Kastriot Islami dhe Arben Malaj, që në ditë të ndryshme japin intervista që cilësojnë drejtimin e PS-së dhe opozitës, si “dikaster”, dhe sipas deputeti Islami: “PS-ja me Ramën, 12 vjet në opozitë”. Kurse Arben Malaj kritikonte në një intervistë për gazetën Panorama, se “Rama është i paqartë për mënyrën se si do të sillet në shtator opozita”. Dhe ai i kujtoi Ramës, se “në vitin 2004 ai ka protestuar me kafshë”, duke aluduar për OJQ-në e Erjon Velisë, që villte vrer ndaj qeverisë socialiste, kurse sot janë në krye të kësaj partie.
Sakaq Rama nuk ka kohë për të lexuar intervistat e kundërshtarëve brenda partisë, po i jep urdhër deputetit besnik Bare të japë një intervistë për të sonduar opinione brenda së majtës. Kreu i PS së Tiranës, deputeti Besnik Bare, nuk përjashtoi një koalicion bashkëpunimi me LSI apo dhe me PDIU-në. Në një intervistë për “Panorama”, ai shprehet se në të ardhmen aleancat e PS ndonjëherë duhen parë edhe në funksion të së keqes më të vogël që i krijohet vendit. Sigurisht LSI-ja ia preu shkurt drutë, me një sëpatë të Ylli Manjanit: që tha se “deklarata e shokut Bare se me demek na pranuaka të bëka koalicion edhe me LSI-në kundër Berishës, është gjëja më e shpifur që më kanë parë sytë”.
Ndërkohë sindroma e intervistave ka prekur edhe mrikat socialiste, si deputetja Olta Xhaçka, që jep një intervistë në një revistë psikologjike, në të cilën rrëfen jetën e saj pas 1998. Po kështu ish-nënkryetarja e bashkisë Tiranë Albana Dhimitri, jep në një tjetër revistë një intervistë, duke cilësuar largimin nga kulla e ngujimit të bashkisë si rezultat i “marshimit të Bashës mbi bashki”, dhe se Ramës “nuk i lanë kusur”. Një tjetër krijesë e Ramës, Elisa Spiropali dje në një intervistë tha se “ëndrra e të rinjve nuk i ngjan ëndrrës së Bashës”, etj.
Si do që të jetë politika opozitare me intervista të pilotuara, për të dhënë mesazhe të koduara janë forma të paqortueshme. Dhe duke parë që opozita e Ramës na ka mësuar dy vitet e fundit me gjuhën radikale të rrugës, politika me intervista është një formë tjetër e gjezdisjes pa kokë të opozitës. Të paktën të thonë gjëra të mençura në këto intervista sepse çfarë është dhe çfarë di të bëjë Edi Rama këtë e kemi fort të qartë. Problemi nuk është tek pyetjet që bëhen, por tek përgjigjet që jepen, thoshte gazetarja e njohur për intervistat e saj me historinë, Oriana Fallaci.