E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama flet për fitore imagjinare, PS i humbi zgjedhjet”

31-07-2011 / Gazeta 55

Sekretarja për çështjet e shoqërisë civile dhe shanseve të barabarta në PS, Edlira Haxhiymeri

Zërat për largimin e Edi Ramës ka Partia Socialiste janë riaktivizuar sërish, por këtë herë më fort se në të kaluarë. Shkak është bërë humbja e zgjedhjeve të 8 majit jo vetëm në bashkinë e Tiranës, por në gjithë territorin e Republikës PS dhe koalicioni i saj, janë 140 mijë vota më pak se koalicioni i Partisë Demokratike. Alarmin për keqdrejtimin e PS-së e jep dhe sekretarja për çështjet e shoqërisë civile dhe shanseve të barabarta në PS, Edlira Haxhiymeri. Ajo thotë se ka ardhur koha për reflektim dhe se Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi të veçanta për katrahurën elektorale të 8 majit.
“Zgjedhjet vendore 2011-të, të cilat vinin dy vjet pas zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë, është një votë që reflekton, pasqyron të gjitha mangësitë që janë vërejtur në mënyrën se si Partia Socialiste ka bërë politike, apo faktin që ajo nuk ka bërë politikë në këto dy vjet, por edhe pak më shumë se dy vjet. Fitoret imagjinare nuk i shërbejnë askujt, përveçse mendjeve të sëmura dhe që ngopin interesat personale, asgjë më shumë se kaq. Ne nuk mund të themi se kemi një fitore atëherë kur në shumicën e njësive vendore e kemi humbur të drejtën për të qeverisur. Ne nuk mund të themi që kemi fitore, kur shumicën e këshillave të komunave apo bashkive, nuk i kemi më tonat. Ne nuk mund të themi se kemi fitore kur diferenca e votës së përgjithshme mes dy koalicioneve, është e konsiderueshme. Nuk mund të themi se kemi fitore kur në kryeqytetin e Shqipërisë Partia Socialiste nga 20 mijë vota në vitin 2007 vjen sot dhe lufton për 10 vota. Unë e kam përmendur dikur dhe sërish do ta theksoj. Në zgjedhjet e 2005-ës zoti Rama iu drejtua njërit prej figurave simbolike të PS se, fitorja jote me 20 vota nuk na duhet, dorëzo mandatin. Ndërsa sot zoti Rama qan për 10 vota”, u shpreh ajo.
Haxhiymeri thekson më tej se pasojat e humbjes së PS-së janë vetëm të Edi Ramës, pasi ishte ky i fundit ai që nuk arriti të krijonte besueshmëri te votuesit e majtë.
“Zoti Rama nuk arriti të krijonte besueshmëri tek votuesit e majtë. Nuk arriti të krijonte koalicionin e duhur brenda të majtës. Ai nuk mundi të që siguronte bashkimin e të gjitha energjive të së majtës, të cilat sigurisht do t’i sillnin fitoren. Fakti që ai vazhdoi të konkurronte ashtu sikurse në 2009-ën, pa një program politik, madje unë do të thosha se u tërhoq nga kandidati i të djathtës, për të ofruar disa alternativa, pasi fillimisht e filloi fushatën pa asnjë lloj alternative, vetëm me bindjen se e kishte të sigurt fitoren e zgjedhjeve. Të gjitha këto nuk mund të kalonin pa u shënuar nga votuesi. Zoti Rama i kishte të gjitha mundësitë për të treguar kapacitetin e tij, mundësitë e tij. Ai tashmë është një figurë e ezauruar dhe më duhet të theksoj se PS ka nevojë për lidership të ri”, deklaroi më tej Edlira Haxhiymeri.   

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›