"Virtuozët", pas 20 vitesh në Tiranë
Shtypi i huaj i ka vlerësuar tepër. Lëvdatat janë nga më të ndryshmet. "22 fëmijë që luajnë me përsosmëri dhe krijojnë emocione të fuqishme", shkruan Kronen Cajtung, ndërsa për Kleine Zeitung, ata ishin një orkestër me një përsosmëri të paimagjinueshme dhe me një muzikalitet të spikatur. Italiania "Regione Evropa", i ka cilësuar si një kompleks me vlera botërore krijuar nga mjeshtri Zhani Ciko. Në Spanjë, e përditshmja "El Pais" shkon më tej duke theksuar faktin se ardhja e të rinjve nga Tirana në Festivalin e Murcias do të shkruhet me shkronja të arta në historinë e tij. Të shumta janë vlerësimet e në fakt edhe të merituara nëse do të hedhim një vështrim në biografinë e Orkestrës së Harqeve, të atyre që më vonë, morën edhe emrin "Virtuozët e rinj të Tiranës". Para 20 vitesh, ata ishin 22 fëmijë të cilët nën drejtimin e dirigjentit Zhani Ciko, formuan orkestrën në fjalë. U vlerësuan të suksesshëm për kohën kur emrin e krijuan së bashku. Ata ishin nxënës të liceut artistik "Jordan Misja" në Tiranë. Atëherë ishin 12-16-vjeçarë. Orkestra e Harqeve pati që në fillim sukses të plotë. Sot, pas 20 vitesh, ngjiten edhe një herë në skenën shqiptare, edhe një herë nën drejtimin e mësuesit të tyre, Zhani Ciko. Por nuk janë të gjithë. Impenjimet e shumta në skenat botërore e bënë të pamundur pjesëmarrjen. Por do të jenë aty: Ariola Garo, Suela Mullaj, Klajdi Sahatçi, Albana Laçi, Oreada Çelo, Eva Bardhi, Margret Çeku, Markeljan Koçibelli, Gert Kumi dhe Elda Laro. Ata janë instrumentistët që do të çelin këtë sezon të ri të aktiviteteve në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Vetë drejtori Ciko është i angazhuar në drejtimin e orkestrës. Arsyet nuk janë vetëm profesionale. Nota nostalgjie përfshijnë këtë koncert. "Ka qenë pa diskutim një ëndërr jo vetëm e imja, por edhe e gjithë këtyre instrumentistëve të talentuar për t‘u kthyer edhe një herë në një shfaqje në Tiranë. Jam shumë i gëzuar tani që kjo dëshirë po merr formë", shprehet Zhani Ciko. Së bashku ata krijuan orkestrën e cila rezultoi e suksesshme për të dyja palët si për mësuesin ashtu edhe për nxënësit. Në një kuptim me këtë formacion instrumentistësh, Zhani Ciko, i cili vinte pas një periudhe jo fort të mirë, gjeti mbështetje dhe rehabilitimin fillestar të figurës së tij. "Pikërisht këta nxënës ishin nxitja e parë për mua për të dalë nga ajo periudhë jo fort e këndshme për mua. Madje ishin ata që më nxitën për të dalë në pah pas periudhës time të rehabilitimit në një kohë kur ende kisha shumë probleme për t‘iu rikthyer skenës. Unë u bëra sërish dirigjent falë tyre dhe ata u bënë instrumentistë nëpërmjet meje. Ka qenë një praktikë e shkëlqyer sa pedagogjike aq edhe miqësore, artistike e krijuese", shprehet Ciko, i cili ende kujton kohën kur kolegët e nxitën që të punonte për të ngritur një grup me fëmijë instrumentistë. "Në fillim e pashë në mënyrë shumë skeptike, por ja që doli mirë. Ky formacion, bëri që pak nga pak edhe emri im të fillonte të shfaqej në skenë", vazhdon ai. Ishte viti 1989, kur për herë të parë së bashku, i kaluan kufijtë e Shqipërisë. Denjësisht nisi në këtë mënyrë edhe një garë konkursesh muzikore, ku grupi thuajse përherë ka fituar çmimet e para. Që në turnetë e para jashtë vendit në vitin ‘89 në Austri, në Itali, në Greqi ata kanë arritur një sukses të madh në publik. Më vonë morën pjesë në aktivitete në Spanjë, Francë, Slloveni, Zvicër dhe Lihteshtejn. Me një çudi të veçantë dëgjoheshin kudo krijimet e kompozitorëve shqiptarë, për të cilët kontakti me jashtë ka qenë rreptësisht i ndaluar. Suitat, vallet, gjithë kjo muzikë që mbante vulën kombëtare, përherë i entuziazmonte dëgjuesit e koncerteve. Orkestra ka fituar çmimet më të larta në vendin e vet në festivalet e majit, konkurset e shkollave të muzikës etj. Ka marrë pjesë në "Karinthische Sommer" (Austri), "Ai en Musique" (Francë). Në Festivalin Ballkanik në Greqi është cilësuar si ansambli më i mirë, ndërsa në prill 1996 në Festivalin Ndërkombëtar "Pro Archi" në Hungari fitoi çmimin e Parë "Summa Cum Laude". Në maj të vitit 1997, me gjithë ngjarjet tragjike në Shqipëri, kjo orkestër fitoi përsëri çmimin e parë në Festivalin Evropian të muzikës në Belgjikë. Ka bashkëpunuar me solistë të ndryshëm në Itali, Austri, si dhe me ansamblet korale në Greqi, Austri dhe Spanjë. Në vitin 1995, gjatë turneut në Francë iu dha emërtimi "Virtuozët e rinj të Tiranës". Në festivalin e Mileniumit "Muzika dhe Rinia" në vitin 2000 në Vjenë, virtuozët vlerësohen me çmimin e parë për orkestrat e harqeve dhe çmimin e madh të Bashkisë së Vjenës për të gjitha orkestrat. Më 20 janar, në një mbrëmje koncertore të veçantë, instrumentistët do të sjellin për publikun pjesë nga Rossini, Çajkovski, Kreisler, Zadeja e Zoraqi. Çelet kështu faza e 2-të e stinës koncertore "Klasik".
Orkestra e harqeve
Ariola Garo pas largimit në vitin 2004, është violinë e parë në disa orkestra si "Klassichen Philharmonie Bonn", "Salzburg Chamber", si dhe në "Stadtteater orchester Baden (Vjenë). Është gjithashtu anëtare e "Clasica Quartet".
Suela Mullaj transferohet shumë e re në Itali në Konservatorin "G.Verdi" të Milanos ku u diplomua. Ka fituar çmime të rëndësishme. Ka themeluar së bashku me pianistin M. Polumbo orkestrën prestigjioze UECO.
Klajdi Sahatçi vazhdoi studimet për violinë në Konservatorin e Milanos "G. Verdi". Ka një jetë koncertore intensive në muzikën e dhomës. Që nga 2007 është koncertmaestër i parë i orkestrës së "Teatro alla Scala" të Milanos dhe i "Tonhalle Orchestra Zurich"
Albana Laçi është anëtare e Orkestrës Simfonike të Gracit dhe Operës së këtij qyteti. Më pas koncert maestër në Orkestrën e Madhe KVG, si dhe në orkestrat "Spirit of Europe", "Filarmonia e Kombeve" dhe "Simfonietta Baden".
Oreada Çelo studioi në Shkollën e Lartë të Muzikës në Graz të Austrisë. Merr pjesë që nga viti 2001 me Orkestrën prestigjioze të Filarmonisë së Vjenës dhe në Orkestrën e Skenës së Operës Shtetërore në Vjenë. Zhvillon veprimtari koncertore si soliste.
Eva Bardhi vijon studimet në konservatorin Bruckner të Lincit. Në "Ensemble Aktuelle" caktohet violinë e parë, si dhe në "Ensemble Classico". Paralelisht me angazhim në disa Orkestra ndërkombëtare në Austri luan muzikë dhome në Salzburg.
Margret Çeku vijon Shkollën e lartë të Muzikës në Vjenë. Ndër angazhime vlen të përmendet "Ambasade Orchester" dhe "Residence Orkestër" të Vjenës. Është pjesëtare e Orkestrës Skenike në Operën Shtetërore të Vjenës.
Markeljan Koçibelli ndjek studimet në shkollën e lartë të muzikës në Mynih. Prej disa vitesh është koncertmaestër në Orkestrën Filarmonike të Augsburgut, si dhe me ansamblin e Kamersolistëve të Augsburgut me të cilët luajti si solist në turne në Shqipëri.
Gert Kumi fitoi një bursë në akademinë "Menuhin" në Zvicër. Në korrik të 2004-ës, ai u zgjodh për të luajtur në turneun amerikan të këngëtarit të famshëm, Elton John. Është profesor i violinës në Universitetin e Indianas, koncertmaestër dhe pedagog i violinës dhe i muzikës së dhomës në festivalin "Kryeveprat".
Pianistja Elda Laro ishte vetëm 10 vjeç kur pas një interpretimi u pranua në Akademinë e Arteve në klasën e pedagoges Margarita Kristidhi. Prej vitit 2000 është pianiste bashkëpunëtore pranë Teatrit V. Bellini të Katania-s. Vazhdon të zhvillojë një aktivitet intensiv koncertor.