Sherri me kolegët, gjendet i vetëvrarë polici 56-vjeçar
Zarif Hamzallari kishte shfaqur probleme depresioni dhe dy ditë më parë kishte debatuar pas protestës së socialistëve në Pogradec
POGRADEC Një 56-vjeçar është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij gjatë mbrëmjes së kaluar. Polici ka qenë në gjendje të dehur në momentin e tragjedisë me atë protagonist, teksa kohët e fundit ka shfaqur probleme pas disa përplasjeve që ka patur në punë. Duke iu referuar burimeve të Drejtorisë së Policisë në Korçë, mësohet se një efektiv i policisë është vetëvrarë me armë zjarri në qytetin e Pogradecit. Të njëjtat burime bëjnë të ditur për gazetën se ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së kaluar në lagjen 5 në Pogradec. Viktima i identifikuar si shtetasi Zarif Hamzallari, 56 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë punonjës i patrullës së përgjithshme pranë komisariatit të qytetit liqenor, është gjetur i vetëvrarë në banesë nga familjarët e tij. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor ku ka konstatuar se 56-vjeçari, babai i tre fëmijëve ishte vetëvrarë me një plumb në kokë me armën e punës, një pistoletë tip TT. Nga deklarimi i policisë dhe dëshmisë së bashkëshortes së viktimës, e cila e ka gjetur të pajetë viktimën, ka rezultuar se ky shtetas nuk vuante nga çrregullime psikike. Sipas rrëfimit të gruas pas ngjarjes tek kolegët e viktimës mësohet se Hamzallari kishte disa ditë që ndodhej në një gjendje stresi dhe ditën e djeshme përpara se të bënte këtë veprim ishte në gjendje të dehur. Dyshohet që një konflikt me disa kolegë në punë të ketë ndikuar në gjendjen e viktimës për të shkuar drejt vendimit in ekstremis. Gjithsesi, mendohet që depresioni si dhe alkooli që kishte konsumuar para aktit vetëflijues të ketë ndikuar në vendimin më tragjik të jetës së tij. Ndërkohë, nga burime të policisë mësohet se 56-vjeçari punonjës policie vetëm një ditë më parë ishte në krye të detyrës, për ruajtjen e rendit, në protestat e zhvilluara në qytetin e Pogradecit. Pas lënies së turnit, ai është kthyer në shtëpi dhe krejt rastësisht bashkëshortja e tij e ka gjetur atë të përgjakur në një nga dhomat e shtëpisë, të vetëvrarë.
Fushë-Krujë
Një tjetër vetëvrasje është shënuar dje në Fushë-Krujë. Një 76-vjeçar i ka dhënë fund jetës së tij në qytetin e Fushë-Krujës, ndërsa ka gëlltitur një kokërr fostoksinë, bëjnë të ditur burime zyrtare të policisë së Krujës. Sipas burimeve zyrtare të policisë së këtij rrethi, dje rreth orës 14.55, Selman Kodra, 76 vjeç, banues në Fushë-Kruje, ka shkuar për ndihmë mjekësore i helmuar dhe më pas ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak Tiranë. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore mendohet se Kodra është vetëhelmuar me fostoksinë. Ndërkohë që policia ka nisur edhe hetimet për gjetjen e shkaqeve që kanë dërguar 76-vjeçarin në marrjen e kësaj iniciative.
Irena Vreto