Ora dimërore. Do flemë më shumë, gabohemi

Këtë fundjavë të gjithë do të flemë të dielën një orë më shumë. Natën e së shtunës duke u gdhirë e dielë akrepat do të shkojnë prapa 60 minuta dhe ora 3:00 do të jetë ora 2:00 pas mesnate.
Zhvendosja me 60 minuta para ose pas e akrepave nisi të bëhej thuajse i njëtrajtshëm në Europë nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit dhe të konsumonin me pak energji elektrike.
Ndryshimi i orës bëhet dy herë në vit në javën e fundit të tetorit dhe në të dielën e fundit të marsit, me qëllim shfrytëzimin sa më mirë të energjisë diellore.
Por ndërsa të gjithë mendojmë se do t`i shijojmë sa më shumë këto 60 minuta, gabohemi.Shkencëtarët thonë se ndryshimi i orës po konsumohet shumë shpejt. Pra, ndërsa ne mund të flemë një orë më shumë gjatë natës së të shtunës, falë kthimit të orës një orë prapa, ne do të mësohemi sërish brenda disa ditësh me orarin e ri.
Një studim i bërë në mbi 3 mijë persona për të zbuluar cilësinë e gjumit ditën që ora ndryshon në tetor, tregoi se shumë njerëz ndjehen më të lumtur dhe më energjik. Megjithatë, të mirat e mëngjesit të së dielës janë gënjeshtare, pasi me uljen e cilësisë së gjumit shumë njerëz flenë më keq se më parë.