E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ora e Debatit", politika jashtë parlamentit

Emisioni i fundit për këtë sezon i gazetarit Alfred Peza i është kushtuar partive dhe politikanëve që zgjedhjet e 28 qershorit i lanë jashtë parlamentit. Figura të njohura të politikës si Neritan Ceka, Paskal Milo, Dashamir Shehi, Nard Ndoka, Petro Koçi por edhe të rinjtë e G99 kanë shpalosur në emisionin e gazetarit Alfred Peza strategjinë politike të partive të tyre tashmë që 4 vitet e ardhshme do të jenë jashtë sallës së parlamentit. Ndërkaq kreu i PDS-së Paskal Milo, partia e të cilit ishte në koalicion me PS-në ka kërkuar dorëheqjen e kryesocialistit Edi Rama si dhe riformatimin e të majtës e cila do të qëndrojë edhe 4 vite në opozitë. "Rama nuk duhet të jetë lideri i së majtës por duhet të bashkëpunojë me një ekip i cili të riformatojë të majtën" theksoi Milo. Ndërsa kreu i LZHK-së Dashamir Shehi u shpreh se e majta nuk mund të fitojë edhe për disa vite të tjera sepse është e korruptuar. Sipas tij e majta nuk fiton sepse ajo nuk ka inerci politike.
Nga ana tjetër vetë krerët e partive të vogla edhe pse kanë mbetur jashtë parlamentit nuk flasin për dorëheqje. Pavarësisht se gjatë fushates elektorale kishin deklaruar se do të largoheshin nga posti i kryetarit në rast se nuk do të merrnin asnjë deputet, sot të gjithë liderët e formacioneve të vogla politike konfirmojnë se do të qëndrojnë në krye të partive të tyre. Ky vendim i politikaneve të vjetër ka ngjallur edhe debate me përfaqësuesin e një formacioni të ri politik si Maklen Misha i G99, i cili ka deklaruar se në rast se një kryetar i një partie të madhe duhet të japë dorëheqjen në rastin e humbjes së një beteje elektorale ky parim duhet të vlejë për të gjithë.
Por kritikat më të mëdha për procesin zgjedhor të 28 qershorit partitë e vogla i kanë përqëndruar tek sistemi zgjedhor dhe sjellja e aleatëve të tyre të mëdhenj. Sipas Paskal Milos me zgjedhjet e 28 qershorit ka dështuar sistemi, kodi elektoral dhe kanë dështuar vetë dy partitë e mëdha. Ai shtoi gjithashtu se është ndjekur një strategji e partive të mëdha për të luftuar partitë aleate dhe për të fuqizuar pushtetin në duart e tyre. Ndërsa për Neritan Cekën u bë një masakër e parashikuar nga ata që hartuan kodin kundër partive të vogla.
Të 6-të politikanët që përfaqësojnë 6 formacione politike që nuk do të jenë më pjesë e parlamentit shqiptar kanë deklaruar në emisionin e gazetarit Alfred Peza se do të vazhdojnë të jenë aktivë në skenën politike veçanërisht duke ushtruar presion për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›